RKL

RKL: Tani, kah do t ia mbajë Qeveria Kurti?

Zhvillimet e fundit në vendin tonë, ngrenë shumë pyetje të vështira, për të dhënë përgjigje parashikuese, reale.

A mundet Kosova të mbijetojë pa bashkësinë ndërkombëtare, pa Amerikën,  pa 27 vendet anëtare të BE-së, pa Anglinë, dhe ku do të kërkojë partneritet, nëse braktiset ose sanksionohet edhe më tej nga aleatët e deridjeshëm?.

Shtetet e  fuqishme  botës tjetër, sikur janë Kina dhe Rusia, nuk mund të jenë partnerë të natyrshëm, me vendin tonë,  në radhë të parë për  faktin se këto dy fuqi botërore nuk e njohin shtetin,  as pavarësinë e Kosovës, edhe pse rastin tonë,  diplomacia ruse e kalkulon për analogji me disa veprime të veta.

Kina, shteti më i fortë në botë, mbase pas Amerikës, thjesht nuk e njeh Kosovën dhe nuk ka pasur madje asnjë përpjekje deri tani nga institucionet e vendit, për lidhje të ndonjë segmenti institucional, për të bashkëpunuar me këtë shtet tejet të fuqishëm. Madje edhe po të na pranonte Kina, Qeveria Kurti  do ta refuzonte , sepse është shtet komunist.

Turqia është aleat dhe partner i Kosovës, por edhe ky shtet i fortë i botës nuk pajtohet me veprimet e Qeverisë Kurti dhe largimin nga BE-ja apo Amerika, me të cilat ka partneritet të fuqishëm. Madje ithtarët dhe shumë nga militantët e Kurtit, (jo nga anëtarësia e gjerë) e urrejnë Turqinë, më shumë se Serbinë sepse dikur na paska pas pushtuar pa na pyetur, edhe pse asaj  Turqie, Perandorie të atëhershme,   gjysh-stërgjyshërit  tanë i kanë shërbyer po aq sa turqit, në mos më shumë.

Kosova nuk mund të rreshtohet me shtetet arabe apo islame, përderisa orientimi historik, strategjik prej Rilindjes Kombëtare e këtej ka qenë Evropa, pjesë e së cilët kemi qenë e jeni historikisht, gjeografikisht, si dhe në shumë segmente të tjera.

India, një shtet i fuqishëm i botës, nuk na njeh, madje nuk e di se ku i bie Kosova.

Koreja e Veriut, jo se jo, sepse është shtet komunist dhe Qeveria e  Kosovës nuk e pranon asnjë regjim komunist, pavarësisht se Vetëvendosja deklarohet parti e majtë, për arsye që dihen.

Japonia është aleatja më e fuqishme dhe më besnike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, andaj nuk kemi pse i drejtohemi për ndonjë aleancë, cilado qoftë ajo.

Australia po ashtu.

Ka shumë shtete në botë me të cilat kemi miqësi e mirëkuptim, por asnjëra nga to nuk ka ndonjë peshë, në politikat ndërkombëtare, madje as Greqia, shteti shumë i dashur dhe i respektuar i Albin Kurtit e sidomos i Dejona Mihalit. Greqia është mikja më e fortë e Serbisë, në Ballkan, pavarësisht si mendon, krye-qeveritari. Ajo ditë më parë ri-konfirmoi  se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ngado të hulumtojmë, ngado të kalkulojmë,  sërish kthehemi atu ku kemi qenë dhe ku jemi, me Evropën dhe Amerikën. Kosova, populli i saj ka zgjedhur me kohë këtë rrugë, pavarësisht se kush e qeveris atë. Në Kosovë jetojë afër dy milionë shqiptarë dhe vullneti i tyre nuk është i njëjtë me  ta zëmë dy-treqind mijë votues të Albinit, nëse janë, tash për tash.

Amerika dhe Evropa e dinë, e kanë kuptuar me kohë vullnetin e shumicës shqiptare të Kosovës, por  edhe të krejt shqiptarëve unanimisht, si populli më pro-amerikan në botë.

Andaj, këtë aleancë nuk mund ta rrezikojë askush, pavarësisht tekeve, megalomanisë, arrogancës, papërgjegjësisë.

Duke folur për papërgjegjësinë e kryeministrit  të Kosovës dhe shpalljen e Lajçakut si argat të Serbisë, emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka marrë në mbrojtje emisarin europian, Miroslav Lajçak, pas akuzave të kryeministrit Albin Kurti për njëanshmëri në dialogun Kosovë-Serbi. Escobar tha se ishte alarmuar edhe nga sulmet personale që i ishin bërë Lajçakut në rrjetet sociale në Kosovë dhe thotë se për këtë ia ka parashtruar një kërkesë presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë”, ka thënë Escobar për Zërin e Amerikës. Duke komentuar deklaratat e Kurtit për Lajçakun, ai ka thënë se emisari europian gëzon besimin e plotë të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara. “Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga Qeveria e Kosovës”, ka saktësuar Escobar.

Ahmet Qeriqi

  1. 9. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …