leoni

RKL: Vërtetohet përkatësia antropologjike e eshtrave të heroit të kombit, Isa Boletini

98-vjet pas vrasjes me tradhti dhe në pritë, të Isa Boletinit (1864- 1916), dhe shtatë të afërmve dhe bijve të tij, në Podgoricë të Malit të Zi, më 23 janar të vitit 1916 i rrethuar nga forcat qeveritare dhe ato ndërkombëtare, më në fund është definuar edhe përkatësia e eshtrave të heroit të kombit, Isa Boletini dhe njërit prej bijve të tij. Përmes  analizave antropologjike, Departamenti i Mjekësisë Ligjore ka nxjerrë analizat e fundit, të cilat me besueshmëri të lartë vërtetojnë se eshtrat janë të vetë Isa Boletinit. Ky rezultat doli në mesin e mbetjeve mortore të shtatë trupave. Këto analiza janë bërë pasi mostrat e mbetjeve mortore të Isa Boletinit, së bashku me gjashtë persona të tjerë, janë kthyer pas analizave të ADN-së nga “Institut de medicine legale” i Strasburgut. Arsim Gërxhaliu, drejtor i DML-së, ka thënë se pas analizave të ADN-së dhe atyre antropologjike është vërtetuar se mbetjet mortore janë të Isa Boletinit. Por në grupin e eshtrave, ndër të cilat besohej se janë edhe mbetjet mortore të dy djemve të tij, dy nipave dhe tre bashkëluftëtarëve – ka dalë se të fundit janë tre trupa femrash. Me anë të ADN-së është konstatuar me besueshmëri të nivelit të lartë vetëm eshtrat e njërit prej  djemve të Isa Boletinit. Shkëlzen Dragaj, shef i kabinetit të ministrit të Kulturës, ka deklaruar se nëse DML-ja merr përsipër me raport zyrtar se mbetjet mortore janë të Isa Boletinit, atëherë mund të fillojnë procedurat e rivarrimit të eshtrave të heroit të kombit Isa Boletinit dhe djalit të tij. Familja Boletini që nga muaji shkurt i këtij viti kishte caktuar 30 qershorin si datë kur do të varroset paraardhësi i tyre. Por tani ata thonë se me vonimin e rezultateve është e vështirë të shkojnë punët sipas planifikimit.

Odisejada e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit dhe të afërmve të tij është e gjatë, e dhembshme, por edhe indolente si jo rrallë herë në të kaluarën e të tanishmen tonë. Për zbulimin, nxjerrjen dhe rivarrimin e eshtrave të heroit shqiptar, Isa Boletini që është krahasuar me Robin Hudin, nuk është marrë Qeveria në Tiranë as në Prishtinë por trashëgimtarët e tij, Ata dhjetë vjet më parë kishin marrë eshtrat nga një varrezë në Podgoricë dhe i kishin sjellë në Mitrovicë, për të pritur edhe 10 vjet të tjera derisa ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë kanë vërtetuar se eshtrat e zbuluar në saje  të analizave të ADN-së dhe analizave antropologjike, janë të Isa Boletinit dhe të njërit prej bijve të tij. Tani 98 vjet pas rënies së Isa Boletinit, dy bijve dhe pesë të afërmve të tij, do të vendoset edhe data e varrimit të eshtrave, ku pa dyshim se do të marrin pjesë shumë autoritete nga Prishtina dhe Tirana dhe do të krenohen me heroin, Isa Boletini. Do të marrin pjesë edhe historianë që e kanë kontestuar figurën e tij edhe të tillë që e kanë quajtur kaçak dhe bashkëpunëtor të të huajve. Kjo është ndeshtrasha jonë, ky është realiteti faktik, kjo është indolenca e qeveritarëve tanë që duan t ia nxjerrin sytë njëri tjetrit për ta marrë pushtetin, por nuk bëjnë as edhe një hap, asnjë sakrificë, asnjë angazhim për dhjetëra mijëra eshtra shqiptarësh të shpërndarë kudo në shtetet fqinje, ku kanë mbetur me shekuj, ndërsa i lejojnë Greqisë të ndërtojë komplekse varrezash të ushtarëve pushtues grekë në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore.

Rrethanat në të cilat u vra tradhtisht, Isa Boletini, më 23 janar 1916 në Podgoricë

Rrëfimi i Tafilit, nipit të Isa Boletinit, që i mbijetoi ngjarjes. Ai është mbështetur në monografinë e profesor Skënder Luarasit për Isa Boletinin. “Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin: Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!“. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje. “Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as Krajlit, as Mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolverë në duar. Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”, rrëfen i mbijetuari.

Ja si e përshkruan vrasjen në pabesi të Isa Boletinit, komunisti malazezo-jugosllav Milovan Gjilas

Nuk ka ndodhur shpesh që sllavët të shkruajnë me respekt për shqiptarët, aq më pak ata të jugut. Por duket madhështia e Isa Boletinit i ka kaluar caqet. Millovan Gjillas, shkrimtari i njohur disident, në veprën e tij “Toka pa Drejtësi”, botuar në versionin anglisht në Nju Jork, në vitin 1958, shkruan me respekt për shqiptarin në këtë vepër të tijën, që shumë e kanë krahasuar të barasvlershme me “Donin e Qetë” të Shollohovit. Ja si e sjell ai momentin e vrasjes së Boletinit: “Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë. Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr. Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt. Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megji-thëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur. Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të! Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.

Varrimi në Podgoricë

Të marrë në pyetje nga autoritetet austriake, ministrat malazezë u justifikuan se kishin pasur informata se Isa Boletini do të provokonte ngjarje për të djegur dhe plaçkitur qytetin. Sipas tyre, ai ishte vrarë duke sulmuar prefekturën në përpjekje me patrullat e ushtrisë. Organizatorë të drejtpërdrejtë të vrasjes ishin ministri i Luftës, gjenerali Veshoviq, i kunati i Krajl Nikollës, komandanti i Përgjithshëm, gjeneral Janko Vukotiqi, ministri i Punëve të Brendshme, Plamenac, prefekti i Podgoricës, Ramadanoviçi e të tjerë. Trupat e Isa Boletinit dhe njerëzve të tij u vendosën fillimisht në një dhomë të prefekturës, ku u bë edhe identifikimi. Varrimi u bë në Podgoricë dy ditë më pas me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve banorë të zonës. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti një fjalim para se arkivoli i Boletinit të futej nën dhe. Gjithsesi askush nuk besonte për vrasjen e Boletinit, pasi nuk ishte hera e parë që lajmet e bënin të vrarë. Po kështu nuk u besua dhe një komunikatë zyrtare e ushtrisë austriake, që jepte lajmin e vrasjes së tij “gjatë një përpjekjeje me malazezët”. Eshtrat e tij u transportuan në Boletin me 25 shtator 2004.

Indolenca 98-vjeçare

Nuk mohohet fakti se vepra e Isa Boletinit është nderuar, jo në çdo kohë, sikur pretendojnë disa historianë, por megjithatë në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës u nxor një monografi shkencore, u gjiruan  edhe filma, u zbulua shtatorja në Shkodër dhe Isa Boletini zuri vendin meritor në tekstet e  Historisë së  popullit shqiptar. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu një batalion special të ushtrisë shqiptare, që u instalua në Irak, mban emrin e Isa Boletinit. Këto janë të vërteta, por shteti shqiptar prej kohës së Ahmet Zogut e deri te kjo e Bujar Nishanit, asnjëherë nuk është interesuar, në rrugë zyrtare, institucionale për nxjerrjen dhe atdhesimin e eshtrave të Isa Boletinit dhe të afërmve të tij. Këtë nuk e kanë bërë as autoritetet e vendit, as zonja kryetare, Hajhaga, e cila mund edhe të marrë pjesë në rivarrimin e eshtrave. Këtë nuk e kanë bërë as  këta “heronjtë” e vetëshpallur të luftës, të cilët me aq lehtësi i referohen  traditës heroike të kombit,  sidomos nëpër fushata zgjedhore.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …