Nezir Myrtaj: Radio-Kosova e lirë fitoi betejën (21. 6. 1999)

Nezir Myrtaj: Radio-Kosova e lirë fitoi betejën (21. 6. 1999)

Disa kohë para se të qëroheshin nga Kosova njësitë pushtuese militare serbe, u asgjësua propaganda burimore e tyre e përhapur nga radiostacionet e shumta serbe. Pas bombardimit nga ana e NATO-s të qendrave e të antenave transmetuese, jo vetëm brenda Kosovës por edhe në Serbi, mundësitë e pushtuesit për të vazhduar luftën speciale kundër shqiptarëve u zvogëluan  ndjeshëm. Tani, zëri i çjerrë i radio-Beogradit, i transmetuar nga thellësia  e ndonjë bunkeri, ku më qartë dëgjohej zhurma e gjeneratorit që siguronte energjinë elektrike, sesa zëri i spikerit, sikur pasqyronte grahmat e fundit të pushtuesit. Ishte mposhtur edhe antena e tmerrshme në majën e Goleshit, e cila tash dukej së një relik për mëkat i kohës kur në krahasim me antenën e radios “Kosova e lirë” përfytyrohej si Davidi para Goliatit. “Kosova e lirë” fitoi betejën. Duke qenë vazhdimisht objekt sulmi , ekipi i punëtorëve të saj vazhdoi veprimtarinë në përputhje me rregullat e doktrinës ushtarake në rrethana lufte. Ai punoi në bunkerët mbrojtës, të ndërtuar në majën e quajtur Pallanik të Berishës, prej nga buronte zëri i “Kosovës së lirë”. Ky zë mbante gjallë optimizmin te qindra mijëra shqiptarë të strehuar nëpër malet e Kosovës, edhe në ditët më të vështira për ta, nën rrethim të militarëve serb. Ai ishte bërë jo vetëm burim i informimit, por edhe frymëzimi, prandaj, ora 16:00, ata i gjente në radiotransistorët  afër veshit duke shfrytëzuar fuqinë e fundit të baterive të tyre për tu njohur me ngjarjet më të reja të ditës. Është e padyshimtë se “Kosova e lirë” në këtë kohë ishte bërë radioja më e dëgjueshme, por edhe më e dashur në Kosovë. Në këtë kuptim, vlerësimi që dha këto ditë gazeta “Koha Ditore” në një shkrim të vetin, sipas të cilit kjo radio në krahasim me radiot tjera, më e dëgjueshmja ishte gjatë kohës së luftës, tingëllon ironikisht, kur dihet se gjatë kësaj kohe ajo nuk kishte më kë të krahasohej. Në Kosovë nuk kishte asnjë radio tjetër, përveç “Kosovës së lirë”, zëri i së cilës po dëgjohej deri në thellësi të Malësisë së Shqipërisë, që ishte bërë e vetmja lidhje e drejtpërdrejtë edhe sentimentale më Kosovën për dhjetëra e dhjetëra mijëra kosovarë të vendosur në kampet e Kukësit e të vendeve rreth tij. Radio “Kosova e lirë” po shtonte kurajën te ata për kthim të afërt në Kosovën e lirë.

Zëri i “Kosovës së lirë” vepronte si bar qetësues edhe kundër tmerrit që radiostacionet e ndryshme të vendeve të huaja, përhapnin me propagandën e tyre, te populli shqiptar brenda Kosovës. Burim i kësaj propagande të tmerrshme ishte bërë ajo armatë gazetarësh shqiptarë, të cilët, pasi kishin braktisur Kosovën, raportonin për ngjarjet në të, nga kampet e refugjatëve apo edhe nga dhomat e hoteleve të ndryshme. Prandaj “Kosovës së lirë i kishte rënë edhe barra për neutralizimin dhe zhdavaritjen e efekteve të kësaj propagande.

Duke mbijetuar të gjitha pengesat dhe vështirësitë e luftës, sikurse edhe të gjithë ata që bënë luftën ata që i sfiduan saja, radio “Kosova e lirë” vazhdoi emisionin e saj në shërbim të lirisë së Kosovës deri më 21 qershor, kur përfundoi afati për largimin nga Kosova e të të gjitha forcave të pushtuesit serb. Në emisionin e saj të fundit, më 21 qershor të vitit 1999, ajo kumtoi triumfalisht se nga Kosova u largua anti historia.

 

Nezir Myrtaj: Zhvillimet në Rusi, dekurajim për Serbinë

Dje u bë e ditur se presidenti rus, Jelcin, shkarkoi kryeministrin e tij, Primkov. Ky hap i papritur nuk e befasoi opinionin, kur merret parasysh fakti se edhe pararendësit e Primakovit nuk kanë bërë jetë kryeministrore më të gjatë se shtatë-tetë muaj.

Ndonëse shkarkimi i kryeministrit rus u arsyetua me dobësitë e tij në fushën ekonomike të qeverisjes, nuk mund të përjashtohet mundësia që ai të jetë edhe pasojë e konfliktit në Kosovë. Për fatin se ky veprim  u ndërmor në kohën e shtimi të përpjekjeve të diplomacisë ruse për tu implementuar në procesin  e gjetjes së një zgjidhjeje politike të këtij konflikti, paaftësia e politikës ruse për të zënë vendin e vetë në skenën e politikës ndërkombëtare në rastin e Kosovës, mase kuptohet se nuk do të kalonte pa pasoja edhe për vetë kryeministrin.

Jelcini, i cili më parë kishte konfirmuar interesat ruse në rajon, deklaroi me një frymë dëshpërimi se konflikti në Kosovë, as ishte nisur prej rij edhe asi ishte konflikt i tij, duke paralajmëruar se në qoftë se nuk përfillen përpjekjet ruse për një proces politik, Rusia do të tërhiqet nga përkrahja e mëtejme e këtij procesi. Megjithatë nuk dihet nëse kjo deklaratë tingëllon më shumë se heqje dorë nga toni i mëtejmë inkurajues ndaj Beogradit, apo si formë e re e kërcënimit rus, fakti se me largimin e Primakovit nga posti i kryeministrit do të shkaktohet kriza qeveritare në Rusi, flet më shumë për një qëndrim defansiv rus në pozicionin konfrontuse me Perëndimin për shkak të Kosovës. Ky qëndrim bëhet edhe më bindës kur dihet se Primakovi njihet si një përkrahës i zellshëm i regjimit serb, që dëshmohet edhe me përkrahjen ndaj tij të komunistëve rusë, përfaqësuesit e të cilëve në Dumën ruse kundërshtuan vendimin e Jelcinit për shkarkimin e kryeministrit.

Përveç krizës qeveritare, parashenjat e rrjedhave në Rusi tregojnë se atje pritet të shkaktohet edhe kriza politike dhe ajo shtetërore. Duma ruse, dhoma e ulët e parlamentit, e dominuar nga komunistët e Zujganovit dhe nga grupacione të tjera të majta, pa vonesë kërkuan dorëheqjen e Jelcinit. Pasi vendimi i Dumës nuk është obligues, mbase edhe nuk pritet që Jelcin të plotësojë këtë kërkesë, mirëpo, mund të pritet ndonjë veprim bllokues i kësaj dhome të parlamentit rus në zgjedhjen e kryeministrit të ri, Sergej Stepashin, ministër i deritanishëm i sigurimit shtetëror.

Rrethanat e reja të krijuara në Rusi, pa dyshim, do të pasqyrohen edhe në zhvillimet rreth konfliktit në Kosovë. Qarqet diplomatike perëndimore kanë shfaqur bindjen e një zgjidhjeje politike të krizës. Mirëpo, supozohet se këto zhvillime në Rusi, nuk do të kenë qenë të mirëseardhura  për regjimin militaristë të Millosheviqit. Shpresat e tij për një ndihmë më të madhe, nga Rusia, kur ajo është e detyruar të ballafaqohet me problemet e saj të brendshme, do të shuhen. Dekurajimin i këtij regjimi vjen në kohën kur ai u përpoq me forcë të sajojë një aleancë ruso-kineze, si kundërpeshë të vendeve të Perëndimit dhe në kohën kur kishte menduar se edhe e kishte sajuar atë.  Se këto përpjekje serbe do të përfundojnë si puna e Sizifit, mbase paralajmëron edhe vërejtja e Jelcini se konflikti në Kosovë nuk është nisur nga ai, prandaj sa ka përgjegjësi për zgjidhjen e tij.

( Arkvi i Radios III)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …