Në Ditën Botërore të zemrës, një ekip mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, ka shënuar këtë ditë, me një aktivitet në qendër të qytetit të Vitisë, ku u janë shpërndarë qytetarëve fletushka por edhe u janë dhënë rekomandime për parandalimin e sëmundjeve të zemrës, e këshilla për shëndetin dhe aktivitetin fizik. Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, i shoqëruar edhe nga komandanti i policisë, kapiten Afrim Halili, ka vizituar ekipin shëndetësor gjatë këtij aktiviteti. Dita Botërore e Zemrës mbahet në nivel global çdo vit më 29 shtator, me qëllimin kryesor të ndërgjegjësimit dhe informimit, si dhe edukimin e njerëzve lidhur me sëmundjet kardiovaskulare (SKV), të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën. Dita Botërore e Zemrës gjithashtu, synon të promovojë masa parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.