Politikanët, të cilët nuk i kuptojnë rrjedhat e politikës dhe strategjisë ndërkombëtare, si primare, nuk janë politikanë të njëmendtë dhe nuk mund të sjellin rezultate për vetët, as për shtetet e tyre, derisa nuk kanë forcë të duhur ushtarake, as ekonomike për t’ u përballur me problemet e rënda për zgjidhje, sikur janë Shqipëria dhe Kosova.
U desh shumë kohë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ta kuptojë se kryetari i Serbisë, Aleksander Vuçiq, është dyfytyrësh. Ai, ndryshe paraqitet në takimet politike e diplomatike me autoritet ndërkombëtare e krejt ndryshe vepron, madje edhe duke mos i fshehur veprimet e qëllimet e tij.
E desh rënia e dëshmorit më të ri të Kosovës, luftëtarit të UÇK-së dhe pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, gjatë sulmit të bandave të armatosura serbe në Veri dhe qëndrimit zyrtar të Serbisë lidhur me këtë krim, që Edi Rama ta kuptojë mirë se cili ishte Vuçiqi dhe cilën politikë përfaqëson ai.
Ndodhi sulmi në Banjskë të Zveçanit, kundër policisë së Kosovës dhe Albin Kurti, pranoi për herë të parë, publikisht, se gjatë takimeve në bisedime me kryetarin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, ai e shan, e fyen dhe e përçmon, madje në prani të shefit të BE-së, Josep Borell dhe emisarit, Miroslav Lajçak.
Nuk është shumë me rëndësi pse nuk e ka treguar këtë detaj, pasi njëherë e në një kohë, ai kishte thënë se Vuçiqi nuk kishte bërë krime si Millosheviqi dhe nuk mund të fajësohet, për krimet e regjimit, edhe pse ai kishte qenë pjesë e makinerisë vrastare, si ministër i Informimit dhe jo vetëm aq.
Dua të shtoj me këtë rast se me urdhër të Aleksander Vuçiqit, më 27 mars të vitit 1999, tri ditë pas intervenimit të NATO-s kundër Serbisë, dy aeroplanë serbë kishin goditur selinë e Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapres, në fshatin Berishë të Rrafshnaltës së Drenicës, pasi pak kohë më parë ai kishte deklaruar se nuk dinte për ato medie të UÇK-së, por premtonte se së shpejti do të zhdukeshin, ndërsa krimineli super krimineli Sheshel, premtonte se në Malet e Berishës do të ndërtonte stadiumin më të madh të Serbisë. Këto fakte nuk i dinë Kurti as Edi Rama, sepse nuk u duken të ndonjë rëndësie të veçantë, edhe pse gjatë sulmeve të aeroplanëve serbë me 8 arka të mbushura me bomba kasetë, ishte martirizuar 17-vjeçari, Elbasan Jakup Berisha dhe ishin plagosur rëndë e lehtë 8 pjesëtarë të tjerë të familjes së tij.
Edi Rama dhe Albin Kurti, nuk kanë mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit dhe nuk janë një zë i vetëm në mbrojte të interesit kombëtar shqiptar, andaj edhe çalojnë, Kurti nga arroganca, megallomania e mendjemadhësia, Ram nga vetëbesimi se është i pagabueshëm në qëndrimet e tij dhe nga qëllimi për t u treguar mbi të gjitha diplomat i nivelit botëror, me synime që nuk i fsheh.
Është për të ardhur keq por Rama as Kurti, nuk lënë të kuptohet se e njohin në thellësi strategjinë amerikane dhe atë të 27 vendeve anëtare të BE-së, lidhur me situatën aktuale të sigurisë në botë në kohën e luftës së Rusisë me Ukrainën.
Amerika, NATO-ja dhe BE-ja kanë bërë dhe të bëjnë gjithçka që munden, në mënyrë që lufta të mos zgjerohet në rajonin e Ballkanit, ku Kali i Zi i Rusisë në Ballkan është pikërisht Vuçiqi dhe Serbia përgjithësisht.
Për të mos lejuar, Rusinë të implikohet dhe ta zgjerojnë luftës, ata krejt natyrshëm po mundohen të gjejnë zgjidhjet e mundshme, qoftë edhe duke e përkëdhelur Vuçiqin, qoftë edhe duke mbyllur njërin sy apo vesh, qoftë edhe krejt hapur, sepse interesi i tyre strategjik është shumë më madh sesa një Asociacion i serbëve në Veri të Kosovës, madje edhe sesa vetë Kosova, kur është në pyetje politika e përgjithshme botërore dhe sferat e interesit golobal.
Bota e di se Rusia po lufton jo vetëm me Ukrainën por edhe NATO-n si furnizuese të luftës. Pa mbështetjen ushtarake të NATO-s, Amerikës dhe shumë shteteve perëndimore, Ukraina nuk do të kishte qëndruar as disa javë dhe kurrsesi deri sot, për një vit e gjysmë luftë.
Kryeministri, Edi Rama, mbështetet në faktin se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe nuk guxon të sulmohet nga askush, ndërsa Albin Kurti mjaftohet me faktin se forcat e NATO-s aktualisht janë të pranishme në Kosovë madje prej qershorit të vitit 1999 dhe ato e mbrojnë Kosovën nga agresioni i mundshëm i Serbisë.
Në dukje këto dy mbështetje edhe qëndrojnë në kushte paqeje, por jo edhe kur merret vendimi për agresion.
Rusia me rastin e intervenimit në Ukrainë, nuk mori leje nga NATO-ja, nga BE-ja as nga Amerika. Nuk kishte marrë leje as kur njëanshëm kushte vendosur trupat ushtarake në Siri, në mbështetje të diktatorit mizor, Bashar al Asad, duke iu kundërvënë, Amerikës, e cila e kishte futur në luftë Sirinë. Rusia qysh atëherë kishte treguar se nuk ka frikë nga NATO-ja, as nga Amerika, as nga Turqia, as nga shtete të tjera të rajonit e botës. Rusia ka korrë fitore në Siri dhe kjo e kishte trimëruar për ta filluar luftën dhe për të aneksuar rajonet rusisht-folëse të Ukrainës, që dikur kishin qenë pjesë e Rusisë, ashtu sikur edhe tërë Ukraina, deri në vitin 1991.
Andaj është i vështirë dialogu-Kosova Serbi. Amerika as NATO-ja nuk mund të sillen ndaj Serbisë, sikur në vitin 1999 dhe as e kanë atë qëllim, pasi në radhë të parë kanë interesat globale dhe jo ato të një territori të caktuar, sikur është pjese e veriut të Kosovës dhe e banuar me shumicë serbe.
Amerika, NATO- BE-ja kërkojnë kompromis, në radhë të parë nga Kosova, sepse është qengj i flijimit, sepse na kanë thënë dhe na thonë hapur se ne iu kemi çliruar, andaj edhe duhet të na dëgjoni, sepse pa ne nuk mund të ekzistoni, jo vetëm në Veri, por askund.
Për të mos u rrezikuar paqja botërore, Evropa e vitit 1913 kishte lejuar copëtimin e trojeve shqiptare nga gjitonët: grekë, bullgarë, serbë e malazez dhe kishte arritur paqe të dhunshme në vitin 1920, duke pranuar shtetin shqiptar në një të tretën e territorit etnik të katër Vilajeteve të kohës së Perandorisë Osmane, që shtriheshin në një sipërfaqe mbi 110 mijë kilometra katrorë.
Të gjithë këtë histori tragjike të shqiptarëve e dinë mirë Edi Rama dhe Albin Kurti, e dinë të gjithë shqiptarët liridashës, ashtu sikur e dinë fort mirë se nuk ka më Toplicë, nuk ka më Plavë Guci, Anamal e Ulqin, nuk ka më Çamëri, Pargë e Prevezë, ndoshta së shpejti nuk do të ketë as Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, nëse nuk arrihet rastësisht ndonjë marrëveshje për shkëmbin territoresh. Ndërkohë, zëvendës-ministri i Punëve të Jashtme, të Rusisë, Aleksandër Grushko shprehet se për shkak të politikës nxitëse të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Rusia nuk sheh mundësi për një stabilizim afatgjatë të situatës në Kosovë.
Sipas tij, reagimi i Perëndimit ndaj provokimeve të Kosovës është i ngadaltë dhe joparimor. “Nuk ka asnjë perspektivë për stabilizim afatgjatë. Lideri i Kosovës Kurti, i cili ruan tensionet në terren dhe dëbon serbët, po mbështetet tek shefat e tij, Uashingtoni dhe Brukseli, për të rritur më tej presionin ndaj Beogradit, duke kërkuar njohjen e rajonit që shpalli pavarësinë në kundërshtim me rezolutën 1244 të OKB-së”, deklaroi rusi Grushko. Edhe pse ende nuk kemi të bëjmë me një kërcënim, për të gjitha sa kanë ndodhur dhe po ndodhin në veriun e Kosovës, Rusia akuzon BE-në dhe Amerikën.
Edi Rama dhe Albin Kurti nuk i kanë unike qëndrimet e tyre politike. Për fatkeqësinë tonë kombëtare, secili prej të dyve begenis mendjen e vet.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditë më parë ka thënë në konferencën për mediet se KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës, propozim të cilin tha se e ka bërë më parë në samitin e NATO-s. Ai vuri në dukje se e ka paralajmëruar përshkallëzimin e ngjarjeve dhe theksoi se nuk duhet pritur më për të vepruar. Këtë e meriton dhe e pret që ta dëgjojë i gjithë ky rajon që boll ka vuajtur në historinë e vetë nga degradimet të hajvallëkut. Kjo histori mund të përshkallëzohet në përplasje të armatosura prej vitesh. E kam paralajmëruar prej kohësh mundësinë e pështjellimit të këtij skenari tragjik dhe fatkeq në veriun e Kosovës, qoftë në këtë tryezë apo në tryezat e tjera më të larta. Jo se jam më i mençur se të tjerët, apo se lexoj të ardhmen, por thjesht se nuk jam i zënë me hallet e gjithë botës, siç janë të mëdhenjtë e kësaj bote apo s’jam i mbyllur në qerthuj e së shkuarës, si udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë. Sot formati i Brukselit, ku venë e vinë dy burra nga këtej, hynë e dalin dy burra atje, s’ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Bashkë me stokun e të gjitha marrëveshjeve, të pazbatuara, mund të sjellë largqoftë një stok viktimash të një konflikti të armatosur. KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Është propozim që e kam bërë më parë dhe në samitin e NATO-s”, pohoi Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga mediet në Bosnje lidhur me propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se Veriun e Kosovës duhet ta marrë nën kontroll KFOR-i. Ai me këtë rast ka deklaruar se kudo në Kosovë e para përgjigjet policia e vendit e pastaj KFOR-i dhe Policia e EULEX-it. Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur.
Edi Rama me këtë rast mbështet atë që i duket e mundshme nga frika për eskalim, sepse serbët nuk do ta lënë me kaq. Albin Kurti kërkon status-quonë me çdo kusht, me këtë rast duke harruar se jo vetëm njëherë por qe 24 vjet serbët në veri kanë sulmuar forcat e KFOR-t, kanë vrarë disa prej tyre kanë plagosur me qindra dhe asgjë nuk ka ndërruar. Sa më shumë prani e Policisë së Kosovës në veri, bastisje, burgosje hetime, aq më larg marrëveshjes, dhe, ndarje përfundimtare të veriut, në mos paqësisht, atëherë pse jo edhe me ndihmën e mirëpritur ushtarake të Rusisë, për Serbinë, e cila mezi po pret një sinjal definitiv nga Beogradi.
Ahmet Qeriqi
- 9. 2023
Prishtinë