Azem Bejta u lind më 1889 në një familje të varfër në fshatin Galicë të Drenicës. Edhe i ati Bejtë Galica ishte një atdhetar i flakët i cili tërë kohën do ta kalonte në luftëra të pareshtura për çlirim nga sunduesit e vjetër dhe shpëtimin e vendit nga pushtuesit e rinj. Ndaj,që nga viti 1870 e deri më 1906,një pjesë të jetës së tij edhe ai do ta kalonte nëpër burgjet e kohës, gjatë sundimit të perandorisë turke.
Azemi ishte djali i tretë nga pesë vëllezërit, i cili erdhi në jetë pas martesës së dytë të Bejtës. Shtëpia në të cilën ai u lind , do të digjej e rrënohej disa herë nga pushtuesit turq e sllav,dhe në vendin ku Azem Galica u burrërua,pas përflakjesh e shkatërrimesh të një pas njëshme ajo më nuk do të ekzistonte. Ndaj,kjo edhe do ta bënte Azem Bejtën që ti urrente përgjithmonë pushtuesit e të gjitha ngjyrave, kundër të cilëve ai luftoi gjatë gjithë jetës.
Trimëritë e tij do të fillonin qysh në moshën 11 vjeçare,i cili sa herë vizitonte dajat në fshatin Selac, dëgjonte rrëfime të frikshme nga më të ndryshmet për një kriminel serb që u bënte shumë zullume shqiptarëve dhe i gjithë fshati frikësohej prej tij.
Trimi ynë pasi që do ta përcillte me sy disa herë, një ditë derisa ai kalonte përskaj shtëpisë së dajave, e kishte njohur këtë bandit të tmerrshëm, ndaj edhe pse ishte fëmijë vetëm 11 vjeçar,derisa të tjerët kur qëllonin jashtë iknin dhe strukeshin qosheve që të mos takonin atë as me sy, Azem Bejta pa asnjë droje,do të merrte pushkën e dajës të varur në mur dhe për dritare do ta plagoste rëndë kriminelin.
Por, sikur mos të mjaftonte varfëria dhe rritja me plot vështirësi nëpër të cilat kalonte ai dhe familja e tij e vendosur në një shtëpi të vogël të fshatit Galicë, atij përveç skamjes së madhe, do ti binte edhe një barrë tjetër më e rëndë nga momenti i luftimeve të zhvilluara kundër forcave turke më 1906,kur do ti vritej i ati dhe digjej shtëpia, nga sunduesit shekullor otoman.
Ndaj qysh në betejat e njohura të udhëhequra nga trimi Isa Buletini e Idriz Seferi të cilat u zhvilluan më 1910, kundër sunduesve turq në grykat e Kaçanikut dhe të Carralevës, do të merrte pjesë edhe Azem Bejta, lufta e të cilit nuk do të përfundonte aty, por do të zgjaste e zgjerohej edhe kundër pushtuesve të rinj sllav për 12 vite me radhë, qysh nga vërshimi i tyre më 1912 e deri në rënien e tij heroike më 1924 si njëri ndër luftëtarët më të denjë të çështjes sonë kombëtare në këto anë.
Azem Galica ishte dhe mbeti njëri ndër luftëtarët më të mëdhenj shqiptar të shekullit XX i cili qëndroi fort dhe me vendosmëri të paparë kundër të gjithë pushtuesve të tokave shqiptare duke u ngritur në piedestalin e trimërisë si hero i një përpjekje të drejtë dhe të domosdoshme për mbrojtjen me pushkë në dorë të vendit dhe popullit të tij me një të kaluar plot sakrifica dhe tragjedi gjithëkombëtare, të cilat neve si komb,ku më shumë e ku më pak,për fat të keq, na përcjellin edhe sot.
Sundimi i të ashtuquajturës, Serbia e parë (1912-1915)
Që nga fillimi i vërshimeve sllave në trojet tona etnike,kur edhe do të fillonin luftimet në Merdare ,si njëra nga pjesët e kufirit që ndante trojet shqiptare me Serbinë, në këto beteja të përgjakshme do të merrte pjesë edhe Azem Galica, me ç`rast,në përpjekjet për pengimin e marshimit të pushtuesve serb në Kosovë, do të binin mijëra luftëtar nga i gjithë vendi. Atë kohë edhe pse shqiptarëve nuk u mungonte trimëria për luftë dhe vullneti për ruajtjen e vendit ,u mungonin armët dhe municionet të cilat nuk i kishin që ta mbronin me sukses atdheun e tyre.
Madje edhe ato pakë armë të cilat kishin mundur ti grumbullonin kryengritësit tanë dikur, për të luftuar kundër Perandorisë turke, me një vendim të Fuqive të Mëdha, do tu merreshin gati të gjitha,duke i lënë shqiptarët në momentet më të liga para kërcënimit për okupim nga fqinjët hegjemonist, pa mbrojtje dhe duarthatë mu para fillimit të sulmeve serbe mbi Kosovë.
Sikur mos të mjaftonte as kjo, menjëherë pas pushtimit të Kosovës nga serbo-malazezët, okupatorët e rinj filluan një fushat të egër shfarosëse kundër shqiptarëve e sidomos në vitet 1913-1914,tmerri serb do të arrinte kulmin e egërsisë së një pushtuesi të paskrupullt dhe skajshmërishtë barbar,i cili do të niste me ndalimin e gjuhës, traditave, veshjes kombëtare, kthimin me dhunë të shqiptarëve në fenë sllavo-ortodokse, vrasjet në masë, djegiet e shtëpive, pasurisë dhe njerëzve të gjallë, duke organizuar edhe kampe të vdekjes, apo përqendrimi siç quheshin në një variant më të but të fjalës, ku tuboheshin me dhunë dhe vdisnin nën torturat më ç`njerëzore mijëra shqiptar të pafajshëm autokton.
Okupatorët brutal dhe të egër serbo-malazez me programet e tyre asimiluese,gjatë përpjekjeve të tyre antinjerëzore për zhbërjen e etnisë sonë kombëtare në Kosovë, nuk kërkonin vetëm ndërrimin e besimit fetar me forcë nga mysliman e katolik, në sllavo-ortodoks, por ata bënin gjithandej trojeve tona edhe sllavizimin e dhunshëm të emërtimeve në të gjitha vendbanimet shqiptare-fshatra dhe qytete, imponimin e veshjeve serbo-malazeze sipas zonave ku ata sundonin si dhe serbizimin e emrave dhe mbiemrave tanë, me synim për asimilimin e plotë të banorëve autokton shqiptar,në vatrat e tyre shekullore.
Të gjitha këto kryheshin përmes dhunës së egër, e cila zhvillohej e pa penguar mbi kombin tonë,nga pushtuesit sllav,para syve të gjithë Botës. Praktikimi i terrorit dhe torturave vdekjeprurëse nga xhandarmëria dhe ushtria serbo-malazeze, do të arrinte kulmin në Rrafsh të Dukagjinit, ku të gjithë ata shqiptar që nuk pranonin kthimin në sllavo-ortodoks, ndryshimin e veshjes kombëtare dhe sllavizimin e emrave dhe mbiemrave personal e familjar të tyre, shpoheshin në bajoneta të ushtrisë,digjeshin në zjarre të gjallë,dhe nguleshin nëpër hunj gardhi, gjithandej për frikësimin dhe detyrimin e tyre, që të hiqnin dorë njëherë e përgjithmonë nga kombi, gjuha dhe traditat e tyre.
Këtij gjenocidi të pa parë përveç operacioneve të rënda ndëshkimore nga regjimi shumë i ashpër ushtarak,me të madhe do ti kontribuonin përkrahësit dhe frymëzuesit kryesor të kësaj fushate shkombëtarizuese në troje tona si mitropoliti serb i Pejës Gavrillo Bozhiq dhe ministri i arsimit dhe çështjeve fetare malazeze Mirko Mijushkoviq.
Ndaj,vetëm gjatë periudhës së egër dy-vjeçare 1912-1913,do të vriteshin dhe shpërnguleshin rreth 120 mijë pjesëtar të kombit tonë,digjeshin mijëra shtëpi dhe rrafshoheshin me tokë qindra fshatra shqiptare.
Duke pasur parasysh vuajtjet biblike të shqiptarëve,me të drejtë ato kohëra të rënda për kombin,në gjuhën e popullit njiheshin si Vitet e Kiametit në Kosovë! (“Gjurmime albanologjike”- seria e shkencave historike I. 1971, fq.353,Prishtinë,1972.)
Nga shkaqe të tilla,në këto vite të errëta për popullin dhe vendin tonë të pushtuar,do të shpërthenin kryengritje të njëpasnjëshme kudo,por më të theksuara ishin ato në rajonin e Drenicës, ku pas një luftimi të ashpër në fshatin Mikushnicë në pranverën e vitit 1913,do të vritej edhe vëllai i Shotës, Dani (Ramadani) si pjesëtar i grupit të Azem Galicës, si dhe burgosej Azem Bejta.
Ai, për vuajtjen e dënimit u dërgua në kampin e Runikut, ku pas shumë torturave mbytjeve dhe tmerreve që ndodhnin aty mbi shqiptarët çdo ditë, familjarët e të burgosurve do të sulmonin kampin, për lirimin e bijve të tyre të cilët vdisnin nën torturat çnjerëzore të pushtuesve serb.
Kështu që ushtria dhe xhandarmëria pushtuese serbe duke zënë shkak nga ky sulm,në shenjë hakmarrje,do ti rreshtonin të gjithë të burgosurit shqiptar të cilët mbaheshin në atë kamp përqendrimi për ti pushkatuar,me ç`rast Azem Bejta do të arrinte që përmes plumbave të pushtuesit të arratisej.
Megjithatë në përpjekjet e tij për strehim pas ikjes nga kampi,ai do të hetohej nga një bashkëpunëtor shqiptar i xhandarmërisë serbe e cila do të vihej në ndjekje të tij,derisa ai i lodhur dhe pa armë e ushqim,do të plagosej dhe kapej në Malet e Drenicës.(Bedri Tahiri, libri ” Azem Bejtë Galica” 1995 Shkëndija Prishtinë)
Pas arrestimit të tij, xhandarmëria serbe do ti merrte edhe dy vëllezërit e mëdhenj të Azem Galicës, në shtëpinë e tyre ku ata gjendeshin, dhe në vitin 1913, nga frika e arratisjes së sërishme të Azem Galicës, nuk do ti burgoste më në Kosovë,por që të tre do ti dërgonte në burgun e njohur për siguri të lartë ,dhe më të rëndin e kohës, në Pozharevc të Serbisë.
Ikja nga Burgu
Por, Azem Bejta ishte ai Ujku i Vjetër, për të cilin nuk kishin rëndësi vetëm hekurat e “kafazit” që do ta rrethonin këtë Luan, as vendi ku ai do të mbahej i mbyllur, por vendimtare për të ishte Zotësia e rrallë njerëzore që ai posedonte dhe trimëria e pashembullt që i kishte dhuruar natyra e cila i mundësonte atij arratisjen nga kazamatet serbe, sado thellë që mund të ishin ato edhe në Serbi, siç ishte Pozharevci i cili gjendet fare afër kryeqytetit serb-Beogradit.
Ndaj,pas dy vjetësh torturimi, Azem Bejta me dy vëllezërit e burgosur kishin arritur ta shpërthenin edhe burgun e sigurisë së lartë të Pozharevcit në zemër të Serbisë, kur Azemi në një natë të pranverës së vitit 1915 pas vuajtjeve të rënda e të pa durueshme, do ta tregonte edhe një herë veten, duke befasuar rojet famëkeqe ,thyer dyert e hekurta të burgut në Pozharevc dhe mposhtë pushkët e xhandarmërisë kriminale serbe,e cila atyre do t`u vihej prapa në ndjekje,përgjatë gjithë Serbisë, deri në Kosovën e pushtuar të cilën me zjarr e me hekur, atëkohë e mbanin nën okupim.
Madje edhe pse Azem Bejta me dy vëllezërit e tij ndodheshin në vend të huaj dhe të panjohur për ta, me gjithë errësirën e natës, mbikëqyrjen e rreptë të rojeve të burgut, dhe kujdesit të ngritur në shkallën më të lart të sigurisë, destinuar me vendime të veçanta dhe ndër më të rreptat për mbikëqyrje të përhershme dhe në detaje të çdo lëvizje, sidomos të Azem Bejtës, i cili konsiderohej dhe trajtohej si i burgosuri më i rrezikshëm jo vetëm në Pozharevc, por nga të gjithë të burgosurit e asaj kohe që mbante të mbyllur në burgje- Serbia, përkundër të gjitha këtyre masave të veçanta , do të arrinte që bashkë me vëllezërit të arratisej edhe nga ky burg famëkeq edhe pse ndodhej gati në fund të Serbisë.
Ai edhe pse i burgosur, i mbajtur ditë dhe natë nën vëzhgim, nën masat më të rrepta të trajtimit,kishte arritur që ti dorëzonte rojet e burgut, tu merrte armët dhe municionin e atyre që për dy vite me radhë e kishin rrahur dhe torturuar barbarisht duke e mbajtur të lidhur në burg dhe pas disa dit udhëtimesh dhe kalimit të qindra kilometrave këmbë, arave të zbuluara dhe maleve të pa njohura të Serbisë, të etur e të uritur dhe të lodhur për vdekje nga ndjekjet e pareshtura dhe udhëtimi i gjatë do të arrinin të ktheheshin në Kosovën e pushtuar dhe Drenicën e tyre të djegur, “shëndosh e mirë”.
Ndaj, me të arritur në Vendlindje, Azem Bejta do të formonte çetat çlirimtare , eliminonte spiunët- shqipfolës që për ato dy vite të mospranisë së çetave kryengritëse në ato anë, pa asnjë droje për ndëshkim-kishin trashur bashkëpunimin me pushtuesin dhe do të fillonte luftën e hapur kundër xhandarmërisë dhe ushtrisë pushtuese serbe, duke arritur me çetat e tij kreshnike që të çlironin shumë fshatra dhe vendbanime në Drenicë e më tej dhe krijonin edhe një “shtet” të lirë të quajtur Arbëria e Vogël në zemër të Kosovës.
Ai gjatë shtegtimeve të tij luftarake,që para burgosjes së tij, nga një vend në tjetrin-nëpër Drenicë ,kishte njohur edhe Shotën me të cilën pas arratisjes nga burgu në vitin 1915, do të martoheshin pa ndonjë dasmë e shpenzime, sipas kushteve të luftës dhe vetëm me disa krisje pushkësh të cilat paralajmëronin bashkimin e tyre dhe të armëve të lirisë,kundër armikut të përbashkët, lufta dhe përpjekjet heroike të të cilëve, nga ajo kohë deri në vdekje më nuk do të pushonin.
Djegia e Shtëpisë së Azem Galicës
Që nga arratisja e Azemit nga burgu i Pozharevcit, dhe krijimit të çetës së tij, nga frika e konfrontimeve me kryengritësit shqiptare, xhandarmëria serbe për një kohë kishte pezulluar në heshtje ndjekjen e luftëtarëve kombëtar. Por me të dëgjuar për martesën e Azemit dhe Shote Galicës, me shpresën se ky ishte momenti i duhur që t`a zinin heroin tonë në befasi,vetëm disa ditë pas martesës,ushtar dhe xhandar serb ndërmorën një ekspeditë të ashpër për kapjen e tij.
Ndaj,shtëpia e Azem Galicës, shpejt u gjet e rrethuar, kurse në luftimet e rrepta që do të shpërthenin në befasi,u detyruan të merrnin pjesë edhe nëna e Azemit Sherifja si dhe nusja e sapo ardhur Shote Galica, të cilat do të luftonin me ushtarë dhe xhandar të Serbisë deri në orët e vona të mbrëmjes, kur forcat pushtuese serbe të cilat territ të natës i`a kishin frikën si paralajmërimit të vdekjes, do të tërhiqeshin me bishtin ndër vegë nga fshati Galicë.
Por nga përvoja e hidhur me okupatorët e vendit, Azemi dhe bashkëluftëtarët e tij,e dinin se me arritjen e mëngjesit, forcat pushtuese do të ktheheshin përsëri në vendin e krimit, ndaj për tu shpëtuar masakrave serbe, ishin shtrënguar që të gjithë familjarët, përfshi edhe nënën dhe motrën e tij, të largoheshin nga shtëpia.
Kështu që Azem Galica, mori me vete nusen e tij Shotën e cila do të vishej në rroba burrash, vente mbi kokë plisin e bardhë kombëtar dhe kapte pushkën e lirisë për të mos iu ndarë më kurrë luftës deri në fund të jetës së saj, si dhe vëllain e vogël 14 vjeçar Ademin për t`iu bashkuar çetës në mal,kurse nëna e Azemit me të bijën do të strehoheshin për rreth pesë vite me radhë tek farefisi,të afërm dhe të njohur gjithandej Drenicës, duke kaluar nga fshati në fshat, pasi që kishin mbetur pa plëng as shtëpi,të djegura dhe shkatërruara nga forcat pushtuese serbe të cilat që të nesërmen kishin zbarkuar sërish me përforcime të reja në Galicë,për të djegur deri në themel shtëpinë e Azemit dhe plaçkitur çdo gjë të mundshme me të cilën paramendohej mbijetesa dhe rikthimi i tyre aty.
Ndaj,Azemi, Shota dhe Ademi i ri,me të zbardhur mëngjesi, do ta shihnin me dhembje nga malet ku ata ishin strehuar se si digjej shtëpia e tyre dhe plaçkiteshin edhe ato pak gjëra që ata kishin pasur, nga xhandarët dhe ushtarët e pushtuesit serb, të cilët për t`ua pamundësuar atyre kthimin do ti rrënonin edhe muret e mbetura të shtëpisë deri në themel.
Mjerisht, Azem Bejta dhe pjesëtarët e familjes së tij,kurrë nuk do të arrinin të rehatoheshin më aty, nga lufta në luftë e deri në rënien e tyre për liri, pa mundur ti gëzohen më asnjëherë si duhet vendlindjes së tyre të shtrenjtë dhe fshatit ku ata dikur kishin shtëpinë.
Sundimi Austro-Hungarez dhe bullgar në Kosovë (1915-1918)
Në vitin 1916, forcat pushtuese serbosllave do të thyheshin me turp dhe kapitullonin pa asnjë kusht para ushtrisë Austro-Hungareze, e cila do ti përzinte ato nga Kosova dhe trojet e pushtuara shqiptare. Por edhe pas ardhjes së austro-hungarezëve, një pjesë e tokave tona do të pushtohej nga ushtria bullgare, kurse pjesa tjetër nga Austro-Hungaria,me ç`rast Kosova do të ndahej në dy pjesë dhe sundohej prapë nga dy regjime të huaja.
Në ato troje që do të binin nën sundimin austro-hungarezë, shqiptarët do gëzonin shumicën e të drejtave të tyre kombëtare,ku do të hapeshin edhe shkollat në gjuhën shqipe dhe vendosej administrata vendore në to, të cilat gjatë pushtimit serbo-malazez që nga viti 1912 deri më 1915, të gjitha ishin të ndaluara.
Kurse pjesa e trojeve shqiptare të mbetura nën sundimin bullgar nuk i kishin këto të drejta, për ç`shkak, jo rrallë do të konfrontohej, Azem Bejta dhe Shaban Polluzha me këta pushtues.
Megjithëse edhe Austro-Hungaria do të përpiqej për ç`armatosjen e çetave shqiptare, Azem Bejta, gjatë asaj kohe, problemet kryesore do t`i kishte me pushtuesit bullgar, i cili në pranverën e vitit 1917,edhe pse gjendej vetëm me Shotën dhe vëllain 16-17 vjeçar Ademin,do të zhvillonin luftime të rrepta me xhandarmërinë pushtuese bullgare në fshatin Obri të Drenicës,ku do të vriteshin disa bullgar, por do plagosej edhe Azemi si dhe vëllai i tij i vogël,Ademi.
Bashkimi i çetave kryengritëse të Drenicës
Gjendja e vështirë e shqiptarëve nën pushtimin bullgar dhe qëndrimet e xhandarmërisë Austro-Hungareze për çarmatosjen me çdo kusht të kryengritësve të cilët nuk pranonin ti dorëzonin armët, detyruan Azem Bejtën që në vitin 1917, të takohej në malet e Radishevës me udhëheqësin e çetave të Drenicës veriore Shaqir Smakën me të cilin do të arrinin ujdinë për bashkimin e çetave të tyre.
Por,pas pak kohësh ata do të rrethoheshin nga xhandarmëria austro-hungareze,me ç`rast do të vritej Shaqir Smaka, ndaj, Azem Bejta edhe pse i ri dhe vetëm në moshën 28 vjeçare, do të emërohej udhëheqës i çetave çlirimtare.
Ngritja e Flamurit Kombëtar në Pejë
Duke parë lëvizjet ushtarake dhe politike që zhvilloheshin në përfundim të Luftës së Parë Botërore,kur tanimë ishte e sigurt se Austro-Hungaria po humbiste luftën dhe ushtria e saj pritej të tërhiqej nga trojet tona,komanda çetnike e qeverisë së Serbisë që në vjeshtën e vitit 1917, së pari në Sanxhak e më vonë në pranverën e vitit 1918 do ta dërgonte edhe në brendësi të Kosovës, deri në Dukagjin e Pejë,udhëheqësin çetnik Kosta Millovanoviqin-“Peçancin” me qëllim të përgatitjes së terrenit për ripushtimin e Kosovës nga Serbia.
Ndaj si i lindur në Deçan,Kosta Millovanoviq, fillimisht do të deklarohej me djallëzi dhe rrejshëm se gjoja kishte ardhur që të arrinte një marrëveshje me fqinjët shqiptar me të cilët ishte “rritur” dhe Azem Bejtën e çetën e tij,për luftë të përbashkët kundër forcave austro-hungareze dhe bullgare,duke shpërndarë premtime boshe,se kinse edhe pas çlirimit të Kosovës nga Austro-Hungaria dhe ushtria pushtuese bullgare, Serbia nuk do ta sulmonte, por përkundrazi ,ajo do ta pranonte mëvetësinë e saj dhe t`u njihte shqiptarëve pavarësinë ?!…..
Mirëpo, qysh nga gjysma e tetorit të vitit 1918, sapo luftëtarët e çetës së Azem Bejtës, në mes të Pejës dhe Runikut do të zinin rreth 1000 ushtar Austro-Hungarez -rob, çlironin Pejën me rrethinë dhe ngritnin Flamurin Kombëtar Shqiptar në Bashkinë e Pejës ,ku Azem Galica dhe luftëtarët e tij do të brohoriteshin dhe përshëndeteshin në mënyrë frenetike nga shumë banorë të Pejës me rrethinë, menjëherë do të ndryshonte edhe qëndrimi i këtij çetniku mashtrues.
Azem Bejta nga fundi i tetorit të vitit 1918, të 1000 ushtarët e zënë Austro-Hungarez, do ti përcillte për në Mitrovicë,ku kishin arritur forcat franceze , për t`ua dorëzuar atyre robërit e luftës.
Ndaj, sipas shënimeve të dr. Mehmet Rukiqit, gjenerali francezë Bashle si udhëheqës i atyre forcave, përveç përshëndetjes drejtuar shqiptarëve, dhe mirënjohjes ndaj luftëtarëve kryengritës për trimëri, ai Azem Bejtën do ta nderonte edhe me një shpat-lufte, si falënderim për heroizmat e tij.
Por, fatkeqësisht gëzimi e hareja si dhe këngët e vallja kombëtare,që pas disa vitesh prapë zhvilloheshin në liri në trojet tona të rënduara me shumë pushtime edhe kësaj radhe, siç u kishte ndodhë shpesh herë – shqiptarëve të pa fat,nuk do të zgjasnin shumë, pasi që forcat franceze u bënë shqiptarëve edhe një tradhti të madhe, kur pas hapjes së rrugës nga ushtria e tyre, prapa saj vinte -“bisht” e ngjitur, si hija e zezë e vdekjes ushtria serbe me bajonetat e saj të mprehta për vazhdimin e masakrimit të shqiptarëve dhe ripushtimin e Kosovës edhe një herë.
Kush ishte Kosta Millovanoviq “Peqanci”:
Sipas shënimeve biografike, në disa webseite-interneti,thuhet se ai në vitin 1879, ishte lindur në Deçan dhe rritur në Gurakoc të Burimit(Istogut) i cili nga viti 1892,do të shkonte në Serbi, ku në moshën 21 vjeçare do të ftohej për kryerjen e shërbimit ushtarak atje.
Kurse,në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20,ai do të aktivizohej në të ashtuquajturat grupe të komitëve çetnike-serbe, të cilat bënin luftë diversante dhe kishin për detyrë vrasjen e figurave të njohura shqiptare në Rrethinat e Kumanovës, Shkupit dhe trojeve tjera shqiptare të ish Dardanisë.
Në këtë mënyrë,përmes dërgimit të grupeve çetnike të ashtuquajtura “komitë” Serbia synonte rritjen e ndikimit të saj në terren,pasi që perandoria turke kishte filluar tërheqjet e pjesshme nga territore të ndryshme në Ballkan, dhe ajo pretendonte pushtimin me forcë të trojeve shqiptare edhe në këto anë.
Ndaj,për shërbime të tilla, në vitin 1904, atij do ti epej titulli “Vojvodë”i çetnikëve.
Kjo kishte shtyrë komandën e tyre që në vitin 1910, kur luftërat tona kombëtare do të merrnin hov, dhe trojet e Dardanisë kishin nisur kryengritjet e tyre të fuqishme për çlirim, Kosta Millovanoviq të dërgohej edhe njëherë në territoret e banuara me shqiptar në rrethinat e Shkupit dhe të Kumanovës, për krijimin e bazave serbe, në territoret që do të çliroheshin nga shqiptarët, në mënyrë që atje të përgatiste grupe luftëtarësh dhe logjistikën e nevojshme për invadimet e ardhshme të Serbisë të cilat do të pasonin gjatë vitit 1912.
Kurse, me fillimin e luftës së parë ballkanike,ai do të mobilizohej në armatën e tretë serbe për të luftuar kundër shqiptarëve në Merdare dhe Betejën e Kumanovës, si dhe do të merrte pjesë në okupimin e Rrafshit të Dukagjinit,më tepër me premtime për të drejta të barabarta të shqiptarëve dhe lirin e tyre se sa me ndonjë luftë të fortë, të cilit do ti dilnin në ndihmë edhe banorët e pakët serbo-malazezë ku për fat të keq nuk i mungonin as të njohurit dhe kumbarët shqipfolës, sidomos në rrethinat prej nga ai vinte.
Ndërsa pas shpërthimit të luftës së parë botërore,Kosta Millovanoviq do të shkonte në frontin e Selanikut si ushtar i Serbisë, për tu ngritur në gradën e togerit atje,ku udhëhiqte një divizion.
Ndërsa, pas humbjes së luftës nga ana e Serbisë,të cilës në ikje nga forcat Austro-Hungareze dhe ato bullgare, nuk mundi ti shpëtonte as ndihma, ruse,franceze dhe angleze,ushtria serbe me të gjithë 125 mijë pjesëtarët e saj në ikje e sipër nga këto forca në vitin 1915,do të tërhiqej përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt bregdetit.
Ndaj nga komanda e ushtrisë serbe, Kosta Millovanoviq do të zgjidhej si udhëheqës për tërheqjen e një Divizioni të ushtarëve serb,përmes Shqipërisë në drejtim të detit Adriatik, prej nga do të barteshin me anijet ruse dhe franceze së pari në ishullin Korfuz për tu vendosur më vonë në frontin e Selanikut( Wikipedia-Kosta Millovanoviq -peqanac)
Tërheqja e ushtrisë serbe bëhej në marrëveshje me Esat Toptanin dhe ndihmën e përkrahësve të tij, pasi që Kosta Millovanoviq (Peqanci)jo vetëm se e njihte mentalitetin e shqiptarëve, por ai e fliste edhe gjuhën shqipe mirë.
Tërheqja përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi do të zgjaste nga nëntori i vitit 1915 deri në Janar të vitit 1916(Wikipedia- “Milan Nediq”)
Në verën e vitit 1916,sipas porosisë së komandës çetnike, ai do të shkonte në rajonin e Toplicës,gjoja për të ndihmuar në organizimin e kryengritjes guerile dhe luftuar kundër ushtrisë bullgare e cila atë kohë kishte pushtuar disa pjesë të banuara me serbë pranë kufirit me Bullgarinë.
Në Toplicë dhe rrethinë, ai do të qëndronte deri nga fundi i vitit 1917,kur do ta tradhtonte edhe bashkë-organizatorin e atjeshëm të luftimeve,Kosta Vojinoviqin i cili i kishte filluar që më parë luftimet me bullgarët në ato anë.
Por, me gjithë pritjet e mëdha, përveç ndonjë aksioni të pa qëndrueshëm dhe disa djegieve e shkatërrimeve, pas të cilave tërhiqej shpejt me përkrahësit e tij,Kosta Millovanoviqi, jo vetëm se nuk do të ndihmonte, por ai edhe do ta sabotonte keq luftën e udhëheqësit vendor Kosta Vojinoviq si dhe do të humbiste shumicën e betejave dhe gati të gjithë ushtarët e tij në luftime me bullgarët në rrethinat e Toplicës.
Madje, pas zgjerimit të ofensivës bullgare nga Nishi në drejtim të Leskovcit dhe gjithë hapësirat e Toplicës,atij nuk do ti mbetej më vend askund, përveç se me rreth 100 pasuesit e mbijetuar të tij, në pranverën e vitit 1917, me arsyetimin se dëshironte t`a pushtonte Sanxhakun, Rrafshin e Dukagjinit dhe Pejën,të largohej përfundimisht nga luftimet në ato anë, duke lënë të vetmuar ish bashkëluftëtarin dhe bashkë-organizatorin e kryengritjes guerile, Kosta Vojinoviq në gjysmën e aksionit të nisur bashkë kundër bullgarëve, mu në momentin kur udhëheqësi vendor Kosta Vojinoviq, do të binte nën rrethim, i cili edhe do të vritej nga bullgarët.(bënte vetëvrasje-sipas serbëve). (Wikipedia-“Kosta Millovanoviq-Peqanac” )
Pas formimit të mbretërisë serbo-kroato-sllovene më 1 Dhjetor të vitit 1918, ai do ti shërbente një kohë kësaj qeverie në shuarjen e kryengritjeve shqiptare në Kosovë deri nga viti 1923?..
Tradhti të njëjta dhe të ngjashme ai do të bënte gjatë gjithë jetës së tij, të cilat nuk do të pushonin as gjatë luftës së dytë botërore,pasi që sa herë dështonte në aksionet e nisura, ai kërkonte ndonjë palë më të fuqishme për të hyrë në shërbim të saj.
Ai në këtë kohë së pari ishte afruar me të ashtuquajturën “qeveri e shpëtimit kombëtar” të kryeministrit serb Millan Nediq, 29 gusht të vitit 1941- 4 tetor të vitit 1944, nën pushtimin gjerman,por para se ti afrohej atij ai , do tu ofrohej edhe gjermanëve për luftimin e partizanëve,por që pas një kohe të shkurtër edhe gjermanët do ta përzinin nga radhët e tyre.
Pas këtyre aventurave ai do ta provonte një aventurë tjetër edhe më të rrezikshme, duke u përpjekur që përmes shërbimeve që u ofronte gjermanëve ta vriste edhe Drazha Mihajloviqin,për të zënë vendin e tij dhe bërë udhëheqësi i vetëm i të gjithë çetnikëve të Serbisë.
Por pas dështimit të kësaj tentative i përbuzur nga gjermanët dhe qeveria e Milan Nediqit e cila pas rreth 5 muaj edhe ajo do të binte,Kosta Millovanoviq do të mblidhte rreth 100 pasuesit e mbetur të tij,të cilët të shumtën e rasteve, nuk e kaluan këtë numër asnjëherë, dhe një shumë të madhe parash prej 700.000 marka gjermane në ari, që ai atëkohë posedonte,tani për t`iu bashkuar forcave të Drazha Mihajloviqit.
Mirëpo për shkak të përpjekjeve që Kosta Millovanoviq kishte bërë për vrasjen e Drazha Mihajlit, ky i fundit do ti dërgonte tre oficer të tij, kinse për ta pranuar Kosta Millovanoviqin,me urdhër për marrjen e parave dhe vrasjen e tij, i cili edhe do të pushkatohej me urdhrin e Drazha Mihajloviqit, nga të dërguarit e Drazhës në fund – Maj, të vitit 1944, afër vendit të quajtur Soko-banje, në Serbi.
Por ti qasemi edhe një herë, kthimit të tij në Kosovë;
Pasi që Kosta Millovanoviq,i cili veten do ta quante(Peqanci) sipas qytetit të Pejës me arsyetimin se gjoja vinte nga andej,e që për fat të keq edhe disa shqipfolës me dëshirë e quajnë edhe sot (peqanac) megjithëse mbiemri i tij, ishte Millovanoviq, një kohë kishte qëndruar në Serbi dhe duke mos pasur sukses në luftime,tani ishte ofruar në anën e Austro-Hungarezëve, për të luftuar kundër forcave bullgare,i cili sipas shënimeve të biografisë së tij në wikipedia, kishte arritur që në tetor të vitit 1917, disa nga trupat e tij çetnike ti infiltronte në forcat Austro-Hungareze, infiltrim ky, të cilin ai si çetnik i rryer që ishte, duhet ta ketë përdorur edhe për kthimin në Kosovë, në pranverën e vitit 1918, që të përgatiste terrenin, për riokupimin e saj nga Serbia.
Kurse pas okupimit, për një kohë bukur të gjatë, ai do të përpiqej që ti shuante kryengritjet shqiptare në Kosovë,të cilave deri në vitin 1924 do tu printe Azem Galica.
Ishte koha kur Austro-Hungaria gjendej para tërheqjes kurse forcat franceze sapo kishin mbërri në kufijtë e Kosovës,marshimin e të cilave përpiqej me shumë mjeshtri ta shfrytëzonte Serbia, për depërtimin e saj në Vendin tonë. Ndaj, kryengritësit shqiptar,me gjithë premtimet serbe e franceze,që me kohë kishin dëshmuar vendosmërinë e tyre për luftë kundër ripushtimit serb të Kosovës, që nga fillimi i tentimeve të para për pushtimin e saj.
Ndaj oficerët serb duke njohur trimëritë e Azem Galicës,ishin munduar që prezencën e forcave franceze t`a përdornin edhe si garantues për premtimet e tyre, kinse Azem Bejtën ata do ta bënin “Vojvodë” (udhëheqës) të Kosovës,nëse ai do të pranonte pushtimin e saj nga Serbia.
Por,Azem Bejta i dëshpëruar nga tradhtia e francezëve dhe pabesit sllave të cilat nuk njihnin fund as kufij,do tu përgjigjej prerë dhe i vendosur të dy palëve se hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë,në çfarëdo mënyre qoftë,nënkuptonte luftë për shqiptarët,dhe ata ishin të vendosur që sundimin e askujt, kurrë më të mos e njihnin as pranonin mbi atdheun e tyre të shtrenjtë.
Madje për tu par edhe më qartë qëllimet e okupatorëve sllav,me të arritur të ushtrisë serbe pas asaj franceze në Mitrovicë, do të urdhërohej shkarkimi i kryetarit të saj shqiptar,Ibrahim Deva,dhe vendosja e një sllavi me emrin Jovan Kotorr në vend të tij.
Mirëpo,Azem Bejta, do tu përcillte një ultimatum qeveritarëve serb, që brenda 24 orësh të rikthehej ish kryetari i saj shqiptar në Mitrovicë,ose ai do ta niste luftën me ta.
Mjerisht,ky ishte vetëm fillimi i keçë i një periudhe të errët që atëbotë i përgatitej Kosovës dhe trojeve tjera nën pushtim,kur me të marrë lajmin se forcat serbe pas atyre franceze, kishin arrit deri në Mitrovicë,i trimëruar nga kjo informatë, udhëheqësi kriminel i çetnikëve serb, Kosta Millovanoviq (Peqanci) jo vetëm se do ta mohonte lirin e Kosovës, por ai do ta urdhëronte edhe ndihmësin e tij,për heqjen me forcë të Flamurit Shqiptar nga Ndërtesa e bashkisë së Pejës, të cilin e kishte vënë Azem Galica, me ç`rast do të vinte deri tek gjakderdhja në mes të luftëtarëve shqiptarë dhe çetnikëve serb, ku do të vritej ndihmësi i Kosta “Peqancit” por edhe vëllai i Shote Galicës, Rexhepi, në mbrojtje të Flamurit Kombëtar.
Kthimi i Kosta Millovanoviqit- Peqancit në Kosovë dhe rrafsh të Dukagjinit, për të cilin siç u cek më lartë, thuhet se ishte i lindur në Deçan dhe rritur në Gurakoc të Burimit (Istogut) me pretendime për ripushtimin e Kosovës dhe hakmarrjen ndaj shqiptarëve, për gjoja se, ata dikur ia paskan vrarë të atin, i kishte shqetësuar pa masë të gjithë shqiptarët e këtyre trojeve.
Ndaj,duke parë se tokat tona po ripushtoheshin përsëri nga sllavët, populli shqiptar në masë të madhe do ti bashkohej luftës së Azem Bejtës, kështu që në fillim të vitit 1919, ai udhëhiqte disa mijëra luftëtar, i cili në bashkëpunim me Sadik Ramën, falë edhe ndihmës së Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës me seli në Shkodër, që furnizonte kryengritësit me armatim e municion, do të organizonin një kryengritje të fuqishme, duke çliruar pjesën më të madhe të Rrafshit të Dukagjinit.
Ndaj, në shenjë hakmarrje ndaj tij, në vitin 1920, xhandarmëria serbe, e nxitur edhe nga naçellniku i Mitrovicës, (Jovan Kotorri),do ti pushkatonte nënën dhe motrën e Azem Galicës,me të cilin Jovan Kotorri, kishte hesape të vjetra që kur Azem Bejta e kishte përzënë nga zyra dhe urdhëruar shkarkimin e tij brenda 24 orësh për rivendosjen e kryetarit shqiptar në Mitrovicë.
Ndaj për shpagimin e vrasjes së Nënës dhe Motrës së Azem Galicës,pa kaluar shumë kohë, Shota me të vëllain do ta nxirrnin Jovan Kotorrin nga shtëpia, midis qytetit të Mitrovicës para hundëve të rojeve serbe që kujdeseshin për të, dhe vrisnin kriminelin serb, gruan dhe asistenten e tij të cilat jo vetëm se ndihmonin dhe merrnin pjesë në organizimin e vrasjeve por edhe bënin propagandë çetnike, për shfarosjen në masë të shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera nën pushtim.
Ndaj, rezistenca për çlirimin kombëtar të Kosovës dhe kryengritjet e armatosura të shqiptarëve,nuk do të pushonin asnjëherë dhe për asnjë çast,derisa do të zgjasnin pushtimet. Kryengritjes së Azem Bejtës iu përgjigjën shumë luftëtarë jo vetëm nga Drenica por edhe nga të gjitha trojet tjera të cilët përveç luftimit të pushtuesit,kishin për detyrë t`u kundërviheshin edhe shpërnguljeve me dhunë të shqiptarëve për në Turqi,ta luftonin kolonizimin e Kosovës me sllav të ardhur nga Serbia e Mali i Zi dhe pengonin asimilimin e pjesëtarëve të kombit tonë nën pushtimin e serb.
Serbia,në mënyrë që ti kontrollonte më lehtë shqiptarët, do të provonte që ti merrte me dhunë djemtë e tyre në ushtri, por Azem Bejta me bashkëluftëtarët e tij i kishte ftuar me kohë të rinjtë shqiptar që tu bashkoheshin çetave çlirimtare, dhe të mos u përgjigjeshin ftesave për shërbim në ushtrinë pushtuese sllave.
Ndaj ai dhe bashkëluftëtarët e tij do të përcilleshin këmba këmbës nga forcat e okupatorit, kështu që në muajin shkurt të vitit 1920,çeta e Azem Bejtës do të rrethohej nga rreth 500-600,forca të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe në fshatin Gradicë të Drenicës me ç`rast do të zhvilloheshin luftime të ashpra, që nga mëngjesi deri në mbrëmje, ku luftëtarët shqiptar,përveç se do të arrinin të vrisnin rreth 30 ushtar dhe xhandar të pushtuesit,ata do ta qanin edhe rrethimin serb, duke tërhequr një pjesëtar të vrarë të çetës dhe disa bashkëluftëtar të plagosur në luftimet e zhvilluara.
Krijimi i “Arbërisë së Vogël”
Pas një qëndrese mbi 5 vjeçare dhe luftimeve të pareshtura që me arratisjen e tij nga burgu i Pozharevcit në vitin 1915, Azem Bejta me çetën shqiptare, në qershorin e vitit 1920 do ti detyronte forcat pushtuese serbe,të lidhnin një marrëveshje për krijimin e shtetit të tij, sipas të ashtuquajturës “Marrëveshje mbi Zonat e Lira”
Kështu që,nga bisedimet në mes të forcave pushtuese serbe dhe çetës së Azem Bejtës, do të arrihej që të formohej një “shtet” i lirë në Drenicë,i cili atëbotë u quajt “Arbëria e Vogël” si shteti i parë i këtij lloji në rajon i cili për ushtri kishte çetën me luftëtar shqiptar për mbrojtjen nga ndërhyrjet e ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe në territorin e lirë të “Arbërisë”.
Aktiviteti luftarak i Azem Galicës,Bajram Currit e Hasan Prishtinës dhe kryengritësve tjerë shqiptar,kishte bërë që në atë kohë, nga 9 nëntori i vitit 1921, me vendimin e Fuqive të Mëdha, të krijohej edhe një zonë e lirë për shqiptarët nën pushtim e cila do të quhej “Zona neutrale e Junikut”.
Ajo përfshinte disa fshatra përreth si Brovinën, Ponoshecin ,Mulliqin Shishmanin, Babajn e Bokës,Popcin, Kosharen etj, hapësirë e cila shtrihej nga Qafa e Morinës e deri në grykë të Deçanit.
“Zona neutrale e Junikut” do të ekzistonte deri në muajin shkurt të vitit 1923,kur sipas kujtimeve të Hajriz Demakut ish luftëtar dhe anëtar i moçëm i “Lëvizjes nacional demokratike shqiptare”,me nënshkrimin e Cana Beg Kryeziut në Beograd, si përfaqësues i atëhershëm i Shqipërisë, kjo zonë do ti epej Serbisë,për ruajtjen e së cilës gjatë gjithë kohës kishte luftuar edhe Azem Bejta me çetën e tij.
Edhe “Arbëria e Vogël” në fillim do të shtrihej në gjithë territorin e komunës së Prekazit duke përfshi mbi 10 fshatra përreth, por që kohë pas kohe, sidomos kur çeta e Azem Bejtës duhej ti vinte në ndihmë “Zonës neutrale të Junikut”e cila mbijetoi për tri vjet, nga sulmet e shpeshta që organizonte ushtria dhe xhandarmëria serbe edhe shteti i Azem Bejtës, përgjatë kësaj periudhe nga qershori i vitit 1920 deri nga fillimi i vitit 1924,do të ngushtohej në tri fshatrat e fundit: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë.
Ndaj, siç kishte vepruar gjithmonë për fitim kohe dhe tradhti, Serbia edhe marrëveshjen për krijimin e “Arbërisë së Vogël” do ta shfrytëzonte për vrasjen e udhëheqësve të dalluar të çetave kryengritëse me të holla e mashtrim, si dhe ngushtimin e këtij “Shteti të Lirë” pak nga pak,qoftë edhe përmes zaptimit nga lagja në lagje e fshati në fshat deri te vrasja e Azem Bejtës më 1924,dhe shuarja e tërësishme e Arbërisë.
Shqiptarët e pezmatuar sidomos pas rënies së “Zonës neutrale të Junikut” me nënshkrimin e përfaqësuesit të qeveris shqiptare dhe bashkëpunimit të saj me Serbinë , mblodhën forcat e tyre nën udhëheqjen e Bajram Currit dhe në Qershor të vitit 1924,nisën nga Kruma një kryengritje duke marrë Tiranën dhe rrëzuar Ahmet Zogun, me ç`rast ai do të ikte në mbretërinë atëhershme jugosllave.
Por as Serbia, gjatë asaj kohe nuk do të rrinte duarkryq, ajo pas një viti e gjysmë të shuarjes së “Zonës neutrale të Junikut” dhe mbi katër vitesh ekzistence të Arbërisë së Vogël,në fillim të muajit korrik të vitit 1924,ushtria dhe xhandarmëria pushtuese e saj, do të grumbullonte forca të mëdha nga garnizoni ushtarak serb në Shkup dhe qytetet brenda Serbisë,me armatime të rënda dhe topa modern luftarak, së pari në Mitrovicë,ku do të mobilizoheshin edhe shumë xhandar dhe kolon serbo- malazez duke propaganduar se gjoja ushtarët e grumbulluar të tyre, do të dërgoheshin në kufi me Shqipërinë,për shkak të gjendjes së paqëndrueshme atje ,pas rrëzimit të qeveris së Ahmet Zogut në qershorin e atij viti.
Por, marshimi i ushtrisë pushtuese serbe,i filluar natën nga Mitrovica në drejtim të Pejës, me të arritur në fshatin Vojtesh, do të kthehej në drejtim të Galicës dhe “Arbëris së Vogël” duke rrethuar pas mesnatës të tri fshatrat ende të lira, Galicën, Lubavecin dhe Mikushnicën.
Serbia kishte dërguar atje mbi 1000 trupat e saj më të stërvitura dhe më të mirë-përgatitura si dhe oficerët më të zot për luftime,me qëllim të shuarjes definitive si të Arbërisë së Vogël, ashtu edhe të lëvizjes kryengritëse të shqiptarëve në përgjithësi.
Megjithëse sulmet serbe do të fillonin herët, që para agut të mëngjesit,me të gjitha llojet e armatimeve të rënda dhe nga të gjitha anët duke u munduar që ti zinin luftëtarët e Azem Bejtës në befasi,përkundër dëmtimeve nga topat e ushtrisë pushtuese serbe, Azem Bejta me disa nga bashkëluftëtarët e tij, do të arrinte që ta qante rrethimin e hekurt trepalësh të cilin e kishte vënë ushtria, xhandarmëria dhe vullnetarët serbo-malazez.
Por, për fatin e keq të shqiptarëve, lëvizjes së tyre kryengritëse dhe vetë Azem Bejtës, gjatë qarjes së rrethimit kur ata tanimë ndodheshin pranë fshatit Mikushnicë, një plumb i armikut do ta qëllonte në xhepin e lëkurtë të fishekëve rezervë, të cilin Azem Galica e mbante të lidhur në brez, me ç`rast do të eksplodonte duke i shkaktuar dëmtime të rënda në boshtin kurrizor dhe bërë të pa lëvizshëm gjithë trupin e tij.
Megjithatë, përkundër vrasjes dhe plagosjes së shumë bashkëluftëtarëve të Azem Galicës, ashtu siç edhe ishin betuar, Shota me luftëtarët e mbetur, do të arrinin që ta tërhiqnin Azem Bejtën e plagosur,për të mos lejuar që ai të binte në duart e pushtuesve sllavë, i gjallë as i vdekur të cilin përkohësisht do ta vendosnin në kullat e Sadik Ramës së Gjurgjevikut, me shpresë që në momentin e parë të mundshëm, ta dërgonin për shërim në Shqipëri.
Mirëpo, gjendja e tij sa vinte e keqësohej dhe pas 10 ditësh vuajtje, ai do të mundej nga plagët e rënda që kishin dëmtuar pjesët më vitale të trupit të tij,kështu që më 25 Korrik të vitit 1924, heroi i kombit-Azem Bejta do të mbyllte sytë përgjithmonë.
Ndaj, trupi i tij i pa jetë, me ndihmën e disa litarëve do të lëshohej në thellësitë e një shpellë të fshehtë të cilin edhe përkundër shumë përpjekjesh nuk do të mund ta gjenin asnjëherë forcat pushtuese serbe.
Madje edhe pas vdekjes së Azem Bejtës,nuk do të shuhej as çeta çlirimtare e tij,të cilën për më tepër se dy vjet me radhë,do ta udhëhiqte Shote Galica, deri në sëmurjen e saj, dhe vdekjen e shumë bashkëluftëtarëve të mbetur pa municion e armatim,ngase pas rikthimit të tij në pushtet, Ahmet Zogut do ti ndalonte ato rreptësishtë për kryengritësit shqiptar nën okupim.
Ndaj,shkëlqimi i veprës dhe historisë së luftërave çlirimtare që udhëhoqi Azem Bejta, me gjithë përpjekjet e bashkëpunëtorëve jo të paktë të okupatorit serb dhe pasardhësve të tyre, për njollosjen e heroizmave të tij,veprat e tij për atdheun dhe kombin nuk u tjetërsuan asnjëherë dhe u ruajtën të pastra e të papërlyera deri në ditët tona. Kështu që me arsye dhe plot të drejtë, fjalët aq domethënëse të tij ,drejtuar spiunëve dhe tradhtarëve të kombit qysh në atë kohë,do të ktheheshin nga rapsodët në këngë, të cilat edhe sot japin fuqishëm dhe me zë këtë porosi:
“Azem Bejta ka pas thanë,
Burrë i mirë kush donë me kanë,
Punëve t’kçia hyzmet s’u ban,
Se vjen dita e i bjen pishman”.
Burimet:
- Wikipedia
2.www.dardania webmaster “Azem Galica” 17 Maj 2011
- Bedri Tahiri “Azem Bejtë Galica” botuar më 1995 Shkëndija,Prishtinë.
- “Gjurmime albanologjike”-seria e shkencave historike I.1971,fq.335. Prishtinë,1972
5 Bedri Tahiri “Azem Bejta dhe lëvizja kaqake gjatë viteve 1915-1918” Zëri i Kosovës 28 qershor 2011.
6 . (http://www.mergimtari.ch/AzemGalica/SHOTA1.jpg)
7. Dr. Mehmet Rukiqi, Si negocioi Azem Galica me serbët për pavarësinë e Kosovës.