Nën organizimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në sallën e Kuvendit Komunal në Rahovec është mbajtur dëgjimi publik me qytetarë me qëllim të njoftimit nga afër me procedurat për shpronësim për interes publik të pronës së palujtshme ish shoqërore NSH “Jugopetroll” parcela kadastrale nr. 1817-0 dhe Objektin që menaxhohet dhe administrohet nga AKP, i cili gjendet në parcelën nr.1318-1 në pronësi të komunës së Rahovecit, shpronësimi i cili është i nevojshëm për realizimin e projektit “Ndërtimi i Sheshit Qendror të Qytetit” Zona Kadastrale Rahovec. Në këtë dëgjim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga niveli lokal, drejtori i DGJKP, Afrim Oruqi, ai i Urbanizmit, Albnor Mullabazi dhe zyrtar tjerë. Të pranishmit në këtë dëgjim publik, janë njoftuar për së afërmi me parcelat, duke interaktuar për të dhënë qëndrimet e tyre për detajet, kërkesat dhe rekomandimet e tyre. Samir Bruqi, zyrtar i lartë i Departamentit të Shpronësimit në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, ka thënë se vlerësimet e pronave do të bëhen në përputhje me ligjin e shpronësimit.