Dy personalitete të shquara në pulla postare të Kosovës

Në kuadër të tematikës “Personalitete të shquara”, Filatelia e Postës së Kosovës emetoi sot dy pulla postare me imazhet e ndritura të personaliteteve të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare: Ernest Koliqi dhe Ali Podrimja.

Ernest Koliqi u lind më 20 maj 1903, në Shkodër. Ishte poet, mësues, eseist, përkthyes, gazetar dhe dramaturg. Ai dha kontribut të çmuar në krijimtarinë letrare shqiptare dhe në përkthime të veprave nga letërsinë botërore. Për arsimin kosovar, Dr. Koliqi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet 1939/41, kur si ministër i arsimit të Shqipërisë dërgoi një kuadro arsimor prej 200 mësimdhënësve, të cilët hapën qindra shkolla shqipe në trojet shqiptare në ish Jugosllavi. Veprimtaria dhe angazhimi i tij ishin të pandalshme, derisa u nda nga jeta më 17 janar 1975.

Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942, në Gjakovë. Ishte shkrimtar dhe autor i dhjetëra vëllimeve me poezi të vlerësuara ndërkombëtarisht. Si mjeshtër i rrallë i përdorimit të simbolikës dhe metaforës, arriti që te lexuesi t’i bartë edhe ndjenjat më komplekse dhe imazhet e pasura, prandaj me plot të drejtë cilësohet si përfaqësues më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Krahas kontributit në letërsi dhe kulturë, Podrimja shquhej edhe për angazhimin e tij shoqëror e politik, andaj vlerësohej në të gjitha trojet shqiptare. Ai kështu vazhdoi deri në frymën e fundit të jetës së tij, më 21 korrik 2012.

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj për mbi dy dekada po vazhdon të nderon dhe promovon në gjithë botën me pulla postare personalitete të shquara kombëtare dhe miq ndërkombëtar, që kanë lënë gjurmë të pashlyera në shërbim të atdheut tonë, në shumë fusha të ndryshme.

Kontrolloni gjithashtu

Ka ndërruar jetë Lulzim Cara, babai i Heroit të Kosovës, Indrit Cara

Ka ndërruar jetë, Lulzim Cara, babai i Heroit të Kosovës, Indrit Cara. Lulzimi ishte një …