Qamil Durakoviq, kryetari i komunës së Srebrenicës, ku 20 vjet më parë janë vrarë e masakruar rreth 8. 000 boshnjakë myslimanë, është habitur tej mase me vendosjen e papritur në këtë lokalitet të forcave speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pa asnjë paralajmërim. “Askush nuk është kundër detyrave që ndërmarrin organet shtetërore, por vendosja e tyre e befasishme dhe pa paralajmërim në një vend ku është kryer gjenocidi më i tmerrshëm pas Luftës së Dytë Botërore, kjo është tepër shqetësuese dhe e frikshme për banorët e këtij lokalitet. Këtë akt militarist banorët e Srebrenicës e trajtojnë si një provokim të hapur me qëllim për të ngjallur frikë te banorët, të cilët i kanë të freskëta plagët dhe kujtesën për mizorinë që kanë kryer serbët kundër myslimanëve. Nëse është fjala për ushtrime ata ka qenë dashur të na lajmërojnë paraprakisht”, ka thënë për Al Xhazira, kryetari Durakoviq.
21 vjet më parë, gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, forcat paqeruajtëse të Evropës, kryesisht të Holandës, kishin caktuar një zonë gjoja për mbrojtje të myslimanëve. Pasi atje ishin tubuar mijëra vetë, forcat fashiste serbe në krye me gjeneralin vrastar, Mlladiq, të përkrahura nga Slobodan Milosheviqi kishin vrarë e masakruar duke i goditur me artileri të rëndë dhe më të gjitha llojet e armëve, rreth 8000 myslimanë të cilët fatin e tyre ia kishin besuar misionit evropian, i cilët kishin bërë sehir dhe krejt gjakftohtë kishin incizuar krimet monstruoze të serbëve, të cilëve për ta kryer masakrën kundër popullatës së paarmatosur u kishte shkuar në ndihmë edhe një batalion i ushtarëve grekë.