leoni

Prof. dr. Nusret Pllana: Gjaku i Dëshmorëve të Kombit është në themelet e lirisë sonë

Prof. dr. Nusret Pllana: Gjaku i Dëshmorëve të Kombit është në themelet e lirisë sonë

 (Në përvjetorin e rënies së Dëshmorëve të Kombit, Beat Coli dhe Valenton Spahiu)

Përkufizim

Dëshmorët e Kombit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po i përkujtojmë sot, edhe me këtë përmendore, janë themelet e lirisë së kësaj pjese të atdheut që quhet Kosovë, janë çlirimi shekullor nga robëria serbo sllave, janë udha e madhe e bashkimit kombëtar, me të cilin do të hiqen nga jeta jonë historike padrejtësitë e mëdha që mbi popullin shqiptar kanë bërë Fuqitë e Mëdha të Evropës dhe fqinjët tanë.

Hyrje

Sot kur po i përkujtojmë këta dy Dëshmorë të Kombit, Beat Colin dhe Valenton Spahiun, të përjetësuar edhe në këtë përmendore, doemos na vijnë në kujtesë ngjarjet e para 23vjetësh, kur këta të rinj vetëm 17 vjeçar, bashkë me vëllain e Beatit, Bekimin, 16 vjeçar, bëhen pjesë e ushtrisë më të veçantë në botë, sepse është krijuar, është rritur dhe ka zhvilluar një luftë çlirimtare pa shtet dhe pa pushtet, pa fabrika të armatimit, por edhe pa fabrika të uniformave, pa kuzhina ushtarake dhe pa kazerma e garnizone. Të gjitha këto, kjo ushtri, ndër më të rejat në historinë e botës, i kishte në gjirin e popullit. Sepse nga andej kishte dalë, nga gjiri i popullit të vet, që e mbajti, e ushqeu, e ruajti dhe e strehoi, ia lidhi plagët, por edhe ia hapi varret kur luftëtarët binin për lirinë e kësaj pjese të atdheut.

Rrëfimet e Bekimit në TV Syri, se si e ka rrezikuar jetën e vet në male për ta strehuar armatimin e gjetur të armikut e për t’ia dorëzuar UÇK-së, kujdesi dhe dashuria që e tregonte për ushtarët e tij Gjeneral Ramush Haradinaj, e sidomos për ata që ishin nën 18 vjet, si Beati e Valentoni e plot të tjerë, vendosmëria deri në rrezikim të jetës e Dom Kolës, për të mos i ndarë në Kishën tonë shqiptarët në myslimanë e katolik, edhe përkundër kërcënimeve për ekzekutim nga ana e policisë fashiste serbe, janë rrëfime për antologji të luftëtarit të lirisë Bekim Coli, që është një hero i gjallë me plotkuptimin e fjalës, e që meriton një duartrokitje të veçantë sot nga ju.

Beati dhe Valentoni hapën faqe të reja të historisë

Këta Dëshmorë të Kombit që po i përkujtojmë sot, Beat Colin dhe Valenton Spahiun, janë dëshmorë të një ushtrie më të re në botë. Edhe këta ishin vetëm 17 vjeçar kur ranë për lirinë e atdheut, që një ditë do të bëhet i tëri, ashtu siç e kishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe ashtu siç e kishte shpallur në Vlorë, plaku i urtë, Ismail Qemali, më 1912.

Fuqitë e Mëdha të Evropës, i copëtuan tokat shqiptare, për të ruajtur qetësinë e saj dhe për të kënaqur pangopësinë e fqinjëve tanë shovinist. Mirëpo, me rënien e Beatit dhe të Valentonit si dhe të gjithë Dëshmorëve të Kombit, kurdo që kanë rënë, në jetën tonë janë hapur faqe të reja të historisë. Sot, kur vijmë këtu, para këtij lapidari, vijmë dhe nderojmë gjakun e dëshmorëve tanë, të Beat Colit dhe të Valenton Spahiut, vijmë dhe flasim me lirinë tonë, vijmë dhe mësojmë se për të folur shqip historia jonë më e re, duhej edhe gjaku i këtyre dy luftëtarëve të lirisë. Kush nga gjenerata jonë, që nga bankat e shkollës fillore e derisa kemi mbushur burgjet serbe, kemi pasur rastin të shkojmë te ndonjë përmendore e dëshmorëve tanë dhe t’u themi: Lavdi!, se ke rënë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Nuk i kemi pasur dhe nuk na kanë lënë t’i mësojmë, edhe ata që i kemi pasur. Na kishte hyrë në gjak vëllazërimi dhe bashkimi, andaj dëshmorët tanë kishin mbetur në arkivin e historisë, të cilin duhet ta hapim, ta mësojmë dhe të ju japim brezave të rinj të shqiptarëve. Kjo është ajo faqe e re e historisë kombëtare, që është hapur me rënien e këtyre Dëshmorëve të kombit që po i përkujtojmë sot.

Përfundim

Dëshmorët e Kombit, Beat Coli dhe Valenton Spahiu, kur po i përkujtojmë sot, në përvjetorin e rënies së tyre, sot do të ishin dyzet e një vjeçar. Do të ishin burra të pjekur dhe baballarë të mirë. Do të ishin qytetarë të Kosovës së lirë. Mirëpo, ata sot, edhe në këtë lapidar që po i përkujtojmë, janë bërë pjesë e historisë së lirisë sonë, janë bërë pjesë e udhës së madhe të bashkimit kombëtar, janë bërë pjesë e përmbysjes së robërisë shekullore të shqiptarëve, janë bërë pjesë e mësimit dhe edukimit të brezave të rinj të shqiptarëve, se si duhet atdheu dhe liria e tij.

Beat Coli dhe Valenton Spahiu, do të jenë përjetshëm vetëm 17 vjeçar, sepse Dëshmorët kanë vetëm ditëlindje!

Lavdi Dëshmorëve të Kombit në ditëlindjen e tyre të 17-të!

Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit Beat Coli dhe Valenton Spahiu!

Irzniq, 8. 10. 2023

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …