Më 21 qershor të vitit 1999, datë kjo në koincidencë me nënshkrimin e Marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, Radio-Kosova e Lirë ka transmetuar programin e fundit ditor në zonat e luftës së UÇK-së, nga bunkeri i majës së malit Pallanik në kufirin mes fshatrave të pjesës jugore të Drenicës: Berishë, Nekoc, Kizharekë.
21 qershori i atij vitit të fitores historike, shënonte edhe ditën zyrtare të largimit definitiv nga Kosova të forcave kriminale ushtarake e policore serbe, sipas Marrëveshjes së Kumanovës të 10 qershorit 1999.
Në lajmet e orës 16.00 kemi transmetuar lajme vendore dhe të huaja që kishin të bënin me Kosovën, largimin e forcave serbe, demilitarizimin e UÇK-së, kthimin masiv nga Shqipëria e Maqedonia të shqiptarëve të dëbuarve nga trojet e tyre nën tytën e armëve dhe bajonetave të regjimit të Milosheviqit, rënien në mina të tre ushtarëve të UÇK-së dhe dy ushtarëve anglezë të KFOR-it, në Lagjen e Bytyçve te shkolla e fshatit Arllat, si dhe informata të tjera.
Po atë ditë kemi marrë vendim që Radio Kosova e Lirë, sapo të krijoheshin kushtet elementare të fillonte programin e transmetimit, në Prishtinë.
Në kushte dhe rrethana të reja, edhe pse Qeveria e Përkohshme e Kosovës kishte formuar në Tiranë, Ministrinë e Informimit, Radio-Kosova e Lirë nuk u mor në mbrojtje institucionale. Për fillimin e punëve të Radios dhe Agjencisë, në pjesën e parë të korrikut 1999 ishte paraparë një ndihmesë financiare nga Qeveria e Përkohshme.
Radios për fillim, në gusht të vitit 1999 nga fondi i Qeverisë iu kanë ndarë 10.000 DM. Më vonë kah shtatori i atij viti iu kanë ndarë edhe 15.000 Dm, në kohën kur kishim pranuar në punë 30 gazetarë, teknikë e redaktorë.
Me ato të holla, për tre muaj kemi ndarë rroga nga 100 deri në 300 DM dhe kemi blerë disa pajisje të reja, meqë ato të luftës ishin dëmtuar rëndë. Gjatë muajve në vazhdim jemi mbështetur vetëm në të ardhurat nga reklamat, meqë nga Qeveria, jo zyrtarisht na ishte bërë me dije se Radioja nuk do të financohej, në radhë të parë për shkak se nuk po vihej në kontroll të politikës. Reagimi, që Radio kishte bërë kundër një shkrimi të Veton Surroit, i cili veprimet e individëve të caktuar kundër disa serbëve, i quante veprime fashiste të UÇK-së, bëri që të ashpërsohet qëndrimi i Qeverisë së Përkohshme kundër Radios, ndërkohë që për shkak se shkrimin e Radios e kishte botuar Agjencia Kosova press, kreu i Qeverisë e ndërroi nga posti drejtorin e atëhershëm. Ky veprim i Qeverisë së Përkohshme në mbrojtje të një fantazme të titizmit, i cili kishte marrë guxim ta përdhoste luftën tonë çlirimtare, tregonte orientimin vasal të krerëve politikë të kohës, të cilët mendonin se në Kosovë po rikthehej bashkim-vëllazërimi dhe përbashkësia me Serbinë e hershme të viteve të para luftës.
Prej nëntorit të vitit 1999 e deri sot Radio-Kosova e Lirë ka mbijetuar falë vetëfinancimit dhe përpjekjeve të pareshtura për të mbijetuar në një garë marramendëse të konkurrencës në një regjim xhungle, i cili ka mbretëruar dhe ende mbretëron në Kosovë. Pavarësisht injorimit që na është bërë dhe na bëhet nga të gjitha qeveritë e deritanishme, kjo Radio asnjëherë të vetme nuk është përkulur, ashtu sikur nuk është përkulur as gjatë kohës së luftës, kur ka transmetuar nga bunkerët, që ishin në shënjestër të përditshme të forcave policore dhe ushtarake serbe.
Qasja autentike e problemeve në Radio, kritika drejtuar krerëve politikë për gabimet e shumta, sidomos për poltronizmin dhe nënshtrimin e tyre ndaj të huajve, lufta e pandërprerë kundër rikthimit të ideologjisë titiste rankoviçiste, mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së, zbardhja dhe jetëshkrimi i dëshmorëve e martirëve, kanë qenë dhe po mbesin temat e përmbajtjet mbi të cilat, kjo Radio, ka ndërtuar identitetin e vet informativ e kulturor, identitetin autentik kombëtar.
17 vjet pas fitores, Radio-Kosova e Lirë krenohet në radhë të parë për një qëndresë dinjitoze që ka bërë dhe po bën në mbrojtje të vlerave të luftës dhe përhapjen e programeve autentike informative, kulturore, me një qasje autentike, duke i qëndruar besnike vlerave afirmative kombëtare dhe vlerave universale njerëzore.
Gjatë këtyre viteve na kanë mbështetur edhe miq e bashkëmendimtarë, ndërsa me shumicë na kanë injoruar dhe na injoron klasa titiste e rankoviçste dhe ajo pacifiste, e cila qysh prej 17 viteve i ka uzurpuar institucionet e vendit dhe falë “meritave” të tyre në politikë-bërje dhe në udhëheqje, Serbia tashmë ka hyrë thellë në Kosovë dhe po e mbanë të rrethuar ardhmërinë e saj.
Radio-Kosova e Lirë e ka fituar luftën falë shpirt heroik e sakrifikues së luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, falë gjakut të tyre të derdhur për liri, duke qenë edhe vetë pjesë përbërëse e informimit dhe sakrificës në luftë, ndërsa pas luftës duke ndarë fatin e njëjtë me veteranët e invalidët e mbetur në mëshirën e kohës.
Sot Radio Kosova e Lirë, me të drejtë përkujton përvjetorët e fitoreve, por po ashtu i jep vetes të drejtë të kritikojë, të gjithë ata që ishin zotuar për të punuar me mish e shpirt për Kosovën, për amanetin e Legjendarit Adem Jashari, por me kohë atë amanet e kishin bërë vetëm pjesë të zbehur e të zbërdhulur të retorikës së tyre verbale, me qëllim të përfitimit të elektoratit.
Duke i qëndruar besnikë amanetit të dëshmorëve, të cilët i përkujtojmë për çdo ditë me nga 4 orë emisione tematike e dokumentare, duke i qëndruar besnikë kulturës afirmative kombëtare dhe vlerave tona autentike, duke qëndruar të patundur në të drejtën e natyrshme të çlirimit të trojeve shqiptare dhe bashkimit të tyre me një shtet të vetëm shqiptar në Ballkan, Radio-Kosova e Lirë është kampione e mbështetjes jo vetëm formale të realizmit gradual të aspiratave tona shekullore për liri, barazi e bashkim. Në këtë rrugë kemi pasur dhe kemi shumë përkrahës, edhe pse për hir të së vërtetës duhet pranuar faktin se shumica dërrmuese e medieve që kanë lidhje me klanet partiake e qeveritare e ka dëmtuar dhe dita ditës po e dëmton interesin e përgjithshëm të shqiptarëve, për unifikim e bashkim.
Rruga 17-vjeçare e mbijetesës së Radios-Kosova e Lirë ka qenë tejet e vështirë dhe vazhdon të jetë e tillë, por falë përkushtimit të stafit, gazetarëve e teknikëve, që kanë prejardhje nga lufta e UÇK-së dhe nga lëvizjet për liri e bashkim, kemi arritur ta mbajmë në eter zërin e pastër të lirisë, zërin e fitores, zërin që buron nga frymëmarrja e bronkeve të Shqipërisë.
Radio-Kosova e lirë edhe sot pas 17 viteve ju flet për lirinë e Kosovës, ju flet për ardhmërinë e rrethuar dhe denoncon të gjitha përpjekjet antishqiptare, të gjitha përpjekjet e kolaboracionistëve të ndryshëm, që kanë për qëllim përbaltjen e së kaluarës së lavdishme dhe nuk hezitojnë të bashkëpunojnë në dëm të interesit të kombit.