Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, bashkë me drejtorin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Hajdin Berisha, sot kanë qenë për një vizitë falënderuese në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Shpëtim Robaj” në Malishevë.
Kryetari Kastrati theksoi se ndien shumë keqardhje që për arsye të një udhëtimi jashtë vendi, nuk ka mundur të jetë afër qytetarëve të prekur nga helmimi, si dhe afër stafit shëndetësor që po menaxhonin situatën, mirëpo ka shprehur mirënjohje e falënderim të thellë për gjithë stafin e QKMF-së, në krye me drejtorin e saj, Afrim Krasniqi, që në mënyrën me të mirë e më efikase të mundshme e kanë menaxhuar situatën e rëndë, ku ditë më parë u helmuan qytetarë të komunës sonë, si pasojë e konsumimit të ushqimeve të dëmshme në një nga lokalet e gastronomisë në Malishevë.
Kryetari Kastrati dhe drejtori Berisha, të gjithë të prekurve nga helmimi ju kanë uruar shërim sa më të shpejtë, si dhe kanë shprehur edhe njëherë gatishmërinë e qeverisjes komunale për të menaxhuar deri në normalizimin e plotë të situatës.
Gjithashtu, kryetari Kastrati tha se “Komuna e Malishevës në bashkëpunim me institucionet kompetente do të punoj derisa të zbardhen plotësisht shkaqet që sollën këtë ngjarje që na ka prekur të gjithëve”.