Kryeministri, Albin Kurti, priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend. Ai theksoi që është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me Komandantin e KFOR-it. Temë kryesore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.