Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) e ka vlerësuar kolonizim të vendit vendimin për ndërtimin e shtëpive dhe objekteve të tjera për të serbët e kthyer në Kosovë. Qeveria e Kosovës ka lejuar që përmes ndërtimit dhe rindërtimit të shtëpive dhe objekteve fetare serbe të krijohet ndarja etnike, gjë që siç thotë kjo organizatë, po përdoret modeli izraelit i ndërtimit të lagjeve në tokat e okupuara të Palestinës. “Është planifikuar gjithashtu ndërtimi i shtëpive vetëm për serbë në fshatrat Mushtisht, komuna e Therandës dhe pastaj do të vazhdohet ndërtimi i shtëpive të tjera. KMDLNj ka reaguar menjëherë kundër këtij veprimi të Qeverisë së Serbisë e cila në Kosovë po e përdorë modelin izraelit të ndërtimit të lagjeve në tokat e okupuara të Palestinës të quajtur kibucë që ka për qëllim kolonizimin e atyre vendbanimeve sikur që edhe Serbia ka për qëllim kolonizimin e veriut të Kosovës”, thuhet në reagimin e KLMDNJ-së.
Sipas KLMDNJ-së, është qeveria e Serbisë ajo e cila po ushtron funksionin ekzekutiv në Kosovë, duke mos përfillur autoritetet kosovare për vazhdimin e ndërtimeve pa leje në veri të vendit. Ata vlerësojnë se janë shqiptarët e dëbuar gjatë luftës, ata që po diskriminohen në raport me kthimin në pronat e tyre. “Pengesë për kthimin e shqiptarëve në veri të Mitrovicës janë Serbia me strukturat paralele (policia, ushtria, paramilitarët), ndërkombëtarët që heshtin duke bërë diskriminime flagrante në baza etnike dhe institucionet e Kosovës për mosveprimin e tyre. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, eskalimin i situatës në Kosovë është i pashmangshëm, si për kah intensiteti ashtu edhe për pasojat. Mbrojtja e integritetit territorial dhe shtrirja e sovranitetit janë detyrime ligjore dhe kushtetuese të institucioneve të Kosovës dhe mosveprimi në këtë drejtim e vë në rrezik ekzistencën e Kosovës, sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe për pasojë do ta ketë ndarjen e Kosovës”, ka paralajmëruar KLMDNJ.