NJË NËNË QË IA DHA ATDHEUT NJË DËSHMOR TË KOMBIT
Sadie (Pllana) Berisha
E shtrenjta vajzë e Banush Pllanës, që tërë jetën e barti në shpirt masakrën e Tivarit!
E nderuara vajzë e nënës Xhevrije, që të rriti me aq mundime!
E mira motër e Asllanit dhe Shukrijes, vdekja e të cilëve të la pa fjalë!
E dashur NËNË e Arianitit, Dëshmorit të Kombit, që ia fale lirisë së Atdheut!
Motër Sadie!
Sot, ( 19 tetor 2023) po ndahemi nga Ti, duke të përcjellë në banesën e fundit, të të gjithë të gjallëve, sepse dihet, jeta një ditë e ka një fund! Kjo ditë e fundit, që po ndahemi nga Ti, bijë, motër, nënë Sadije, na ka rënë hise të ta kujtojmë rrugën e gjatë jetësore, që ke bërë, duke lënë shenja që nuk harrohen kurrë! Nuk harrohen, as vuajtjet për babanë që kurrë në jetë nuk e harroi rrugën e tmerrit të Tivarit, ku humbi shokët, miqtë, luftëtarët, që tërë jetën i barti në shpirt si kujtim dhe si dhembje! Nuk harrohen as vuajtjet e nënë Xhevrijes, e cila mbi çdo gjë ju dha dashurinë për njerëzit dhe për vendin. Një pjesë të dhembjes ta shtuan vëllai Asllani dhe kunata Shukrija, që të lanë pas duke kujtuar mallin dhe mungesën e tyre!
Por, rënia e Arianitit në altarin e lirisë së kësaj pjese të atdheut, të Kosovës sonë të shumë vuajtur në shekuj, ta mori gjithë dhembjen e të gjitha nënave të Kosovës, që lirisë sonë ia falën bijtë dhe bijat më të mira të atdheut! Arianiti sot është shenjë e lirisë sonë, e Kosovës që një ditë do të bëhet Shqipëri, ashtu siç e kishte falur Zoti dhe ashtu siç e kanë dashur shqiptarët në shekuj.
Motra Sadie Pllana-Berisha, lindi më 23 tetor të vitit 1948, në Prishtinë, nga Nëna Xhevrija dhe Babai Banushi. Ishte motër e dashur e Asllanit, Ylfetes, Selatinit, Vahides, Ademit, Besës e Besimit. Skollën fillore dhe atë të mesme për infermiere e mbaroi në Prishtinë. Sa duket, për njerëz të caktuar, rrugët jetësore sikur janë përcaktuar që më parë. Motra Sadie Pllana, ishte martuar me atdhetarin e Llashticës së Gjilanit, Ilaz Berishën, i cili asnjëherë nuk është lodhur që të vejë një gur të çmueshëm në kalanë e madhe të lirisë së atdheut!
Nga kjo martesë, lindën fëmijët e mrekullueshëm, Arbërorja, Arbëri, Ardhmëria dhe Arianiti. Më i vogli i Nënë Sadijes dhe Babait Ilazit, Arianiti, kur ishte vetëm 17-vjeçar bie për të mos vdekur kurrë, sepse bëhet shenjë e lirie sonë, shenjë e rrugës së madhe të bashkimit kombëtar, bëhet i përjetshëm me moshën e tij 17 -vjeçare, sepse Dëshmorët e Kombit kanë vetëm ditëlindje!
Ti, Motër Sadie, ishe në shërbim të lirisë së atdheut, sepse asnjëherë nuk u kurseve duke ndihmuar me çdo gjë që kishte mundësi, duke filluar nga sigurimi i barërave e deri të injeksionet dhe gjëra të tjera të nevojshme për ushtarët, për të plagosurit, për ata që kishin nevojë nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, bashkë me Arianitin tënd, sollën lirinë që e kishim pritur më shumë se një shekull.
E shtrenjta Motër Sadie!
Sot kur po të përcjellim në banesën tënde të fundit, atje ku do të jesh bashkë me të gjithë ata që i ke dashur, e themi me bindje të plotë, e themi me dashuri, se ishe nënë e dashur dhe e përkushtuar shumë për fëmijët e tu të mrekullueshëm, ishe motër e veçantë me qetësinë tënde hyjnore, ishe bashkëshorte e një veprimtari të çështjes kombëtare, që asnjëherë nuk u lodhët t’i shërbeni ardhjes së lirisë sonë, ishe gjyshe e mbesave dhe nipave, që të deshtën aq shumë, ishe bamirëse dhe humaniste e madhe, sa edhe furnizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte brenga jote, që të mos mbetej keq asnjë i plagosur, asnjë i ri, që ia kishte prekur plumbi trupin, asnjë vajzë, që mbante uniformën e lirisë sonë.
Por, erdhi një ditë, kjo sëmurje e rëndë, që të ndau nga ne, që të ndau nga fëmijtë tu, nga bashkëshorti yt, atdhetari Ilaz Berisha, nga të gjithë ata që i deshe dhe të deshën shumë! Por, atje ku po të përcjellim, të pret përherë 17-vjeçar, Dëshmori i Kombit, Arianiti yt!
Pushofsh e qetë dhe e paç të lehtë dheun e Kosovës, lirisë së të cilës ia fale një pjesë të jetës tënde, djalin Arianitin, Dëshmorin e Kombit!
Lamtumirë për herë të fundit, motër e dashur Sadije Pllana-Berisha!
Qofsh përjetësisht pjesë e mallit tonë për çdo gjë që ke bërë në shërbim të jetës së njerëzve dhe lirisë së Kosovës!
Pishtinë, më 19. 10. 2023