Në ditën e tretë të vizitës në Itali, kryetari i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi takime të tjera me komunitetin arbëresh. Ai u ndal në shtëpinë e Jeronim De Radës në Makia Albanese ku vlerësoi rolin dhe kontributin e poetit rilindas. “Arbëreshët e Italisë kanë shumë për t’u krenuar. Por ju të Macchia Albanese keni shumë më shumë arsye, pasi mbani në gjirin tuaj rilindasin Jeronim De Rada, poetin e madh që i këndoi e dha kontribut për Shqipërinë. Unë jam rritur me De Radën e më vjen keq që erdha pas kaq vitesh ta takoj atë. Ju faleminderit të gjithëve për gjithë atdhedashurinë tuaj të pamasë”, tha Begaj. Ai nderoi dhe poetin tjetër arbëresh, Zef Serembe, me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Më pas kreu i shtetit pati një sërë takimesh me anëtarë të komunitetit arbëresh, ku kërkoi rritje të bashkëpunimit midis rajonit të Kalabrisë dhe Shqipërisë, përfshirë këtu dhe në fushën e turizmit. Këto potenciale turistike shqiptare, si dhe potencialet e konsoliduara turistike të Rajonit të Kalabrisë, që laget nga dy dete dhe me peizazhe të mrekullueshme, na bëjnë optimistë për mundësitë e panumërta të bashkëpunimit të koordinuar dhe të integruar në fushën e turizmit”, shtoi presidenti.