Gjergj Kastrioti Skënderbeu ( 1405 – 1468) në përvjetorin e ndarjes nga jeta fizike

Gjergj Kastrioti Skënderbeu është personaliteti më madhor, më meritor, më i njohur dhe më i çmuar i kombit shqiptar.

Dimensioni i  tij i jashtëzakonshëm  historik, lufta, qëndresa, heroizmi, grada superiore ushtarake në Perandorinë Osmane, pastaj kthimi  në Atdhe, organizmi i mbrojtjes së principatave të Arbërisë, kundërvënia forcës më të madhe të botës, e bëjnë komandantin dhe burrështetasin  ndër më të njohurit e  shekullit 15-të në tërë historinë botërore.

Emri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut është i pranishëm në të gjitha enciklopeditë botërore, ndërsa për jetën veprën dhe heroizmin e tij dhe të popullit shqiptar në atë kohë, janë shkruar qindra vepra të ndryshme letrare në Shqipëri, Evropë dhe në vende të ndryshme të botës.

Personaliteti, jeta dhe lufta e tij kanë pasur dhe kanë ndikim të madh në formimin dhe ruajtën e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Përjashto ndonjë ekstremist të krisur fetar, ndonjë historian turk, serb apo grek, figura e Skënderbeut është më e dashura dhe më e çmuara për çdo shqiptar liridashës, kudo ku ai jeton, në trojet shqiptare, në ngulimet shqiptare nëpër botë dhe në tërë mërgatën.

Gjergj Kastrioti ishte biri i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsa. Ishte i  fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Lindi më 6 maj  të vitit 1405 në Mat. U mor peng si nizamë pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës.

Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti “(Skënderi)” kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej që do të thotë princ ose fisnik pra Skënderbeg do të thotë Aleksandri princ ose fisnik. Ai nuk e harroi vendin e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare. Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.

Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.

Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone. Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit me Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.

 Betejat e Skënderbeut 1444-1466)

1 Fitoret e para ushtarake nën udhëheqjen e Skënderbeut (1444-1447)

2 Konflikti me Venedikun (1447 – 1448)

3 Mbrojtja e Krujës gjatë rrethimit të parë (korrik – tetor 1450)

4 Marrëveshja e Skënderbeut me Alfonsin V të Napolit më 26 mars 1451 në Gajetë.

5 Beteja e Modriçës e vitit 1451

6 Beteja e Pollogut e vitit 1453

7 Beteja e Oranikut e majit të vitit 1456

8 Më 18 tetor 1456 Kështjella e Modriçës bie tradhtisht në dorë të turqve

9 Përpjekjet për çlirimin e viseve jugore. Fitorja e Ujit të Bardhë (1457)

10 Mehmedi II dërgon Omer dhe Sinan Pashën për luftë kundër Skënderbeut në vitin 1458

11 Betejat e vitit 1462 në Mokër, Pollog dhe Livadhi

12 Paqja e Shkupit e 27 prillit 1463 mes Skënderbeut dhe Mehmedit II

13 Rrethimi i dytë i Krujës ( Qershor 1466)

14 Vdekja e Skënderbeut – Çfarë ndodhi me besëlidhjen pas vdekjes së tij?!

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.

Epoka e Skënderbeut në veprat e autorëve shqiptarë

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.

Ishte Dhimiter Frângu (dhe jo Dhimiter Frëngu) qe shkroi i pari jetën e Skënderbeut, realisht si u zhvillua, sepse Frângu ishte bashkëshoqërues i gjithë jetës dhe luftërave të Skënderbeut, arkëtar e shoqërues në udhëtimet e Princit Shqiptar, ndrysh nga Marin Barleti ku ka edhe trillime. Shkrimet latinisht të Frângut të vitit 1480, 12 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, mjerisht u përvetësuan nga të tjerë, dhe përkthimi dhe botimi i saj italisht u bë më vonë, pas vdekjes së Frângut. Patjetër se vepra e Barletit qe u botua latinisht ne fillim të shek të XVI (1504) kushtuar luftës heroike të arbërve për mbrojtjen e Shkodrës, (rrethimi i Shkodrës) pati jehonë të madhe. Por vepra që e lartësoi figurën e tij si historian humanist është “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, të cilën e botoi italisht në Romë rreth viteve 1508-1510. Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës. Veprat e M. Barletit u bënë burimi më i rëndësishëm ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë legjendare të shk. XV, kur nuk ishte zbuluar e njohur vepra e Dhimiter Frângut. Periudha e Skënderbeut u përjetësua edhe në vepra të tjera historike nga bashkëkohësit e heroit. Siç e thame një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Skënderbeut, Dhimitër Frângu, shkroi latinisht, në frymën e ideve humaniste të kohës një vepër për jetën e Skënderbeut.

Një vepër tjetër e rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptarë të shek. XV është “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka. Ajo mbeti në dorëshkrim dhe, për vlerën që ka për historinë mesjetare shqiptare, botuesi i saj i shek. të XIX më të drejtë e ka cilësuar atë si një “margaritar”.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Hero KombëtarGjergj Kastrioti – Skënderbeu (6 maj 1405- 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e tij: luftën njëshekullore kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV – fundi i shek. XV). Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptarë që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai realizoi të parin bashkim të shqiptarëve, Lidhjen Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themeluesi i të cilit u bë ai vetë. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai i dha mundësi banorëve të viseve të lira të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale.

Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara që ndikoi në formimin e mëtejshëm të lidhjeve më banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimin e të gjithë popullit shqiptar. Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke pasur të qartë së rrezikut osman mund t’i bëhej ballë vetëm më sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur pjesëmarrjen e vendeve evropiane në luftë kundër armikut të përbashkët.

Në kushtet e pabarazisë së theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij luftarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Ai mbante armikun në alarm të përhershëm, i priste rrugën e fuqizimet dhe, pasi e kishte futur në kurth, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme.

Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët edhe pas vdekjes së tij. Kujtimi i tij mbeti gjithnjë i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare.

Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti së për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci e të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …