leoni

Posta e Kosovës ka emërtuar pullën postare me portretet e heronjve ë kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies

Demir Reshiti: HERONJTË QË SFIDUAN VDEKJEN II

(Në 34 vjetorin e rënies në altarin e lirisë të heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu)

Thjeshtësia e punëtorit dhe qëndrimi prej militantit revolucionar – gërshetoheshin në personalitetin e Fahriut

Fahri Fazliu – Fatmiri u lind në vitin 1963 në Llaushë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Demonstratat e përgjithshme popullore të vitit 1981 Fahriun e gjetën në shkollën e mesme. Ai ishte pjesëmarrës aktiv i tyre ku u shqua për vendosmëri dhe guxim. Këto ngjarje do ta kalisin atë si patriot dhe revolucionar.

Pas kryerjes së shkollës së mesme shkon në shërbim ushtarak në vitin ’81-’82. Gjatë kësaj periudhe ai iu nënshtrua presioneve e provokimeve nga më të ndryshmet, por nuk u thye për asnjë moment. Të gjitha këto provokime iu bënë vetëm pse Fahriu reagonte ndaj padrejtësive që iu bëheshin atij dhe shokëve të tij vetëm pse ishin shqiptarë.

Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, Fahriu u lidh më tepër me hallet e popullit duke u bërë shembull i veprimit revolucionar. Krahas punës ilegale, pasi u punësua si dispeçer i trenave në Organizatën Hekurudhore “Prishtina”, ai do të jetë i pari që urdhëresat do t’i shkruajë në gjuhën amtare, me çka u thoshte pushtuesve dhe veglave të tyre se gjuhë e këtij vendi është gjuha shqipe. Për qëndrim të këtillë u suspendua disa herë nga puna, por duke iu falënderuar shokëve të tij të punës do ta kthejnë prapë. Në vendin ku punonte pati rast të takohej me shumë nga ata që shkonin t’i vizitonin të afërmit e tyre nëpër kazamatet jugosllave. Ai iu ndihmonte atyre me aq sa kishte mundësi.

Fahriu ishte student i vitit të dytë në Fakultetin e Ndërtimtarisë, ndërsa kishte edhe tre provime për të diplomuar në Shkollën e Lartë të Komunikacionit në Zagreb. Në valën e protestave, grevave, demonstratave të vitit ’88-’89, ai ishte pjesëmarrës aktiv dhe njëri nga organizatorët e tyre. Në këtë kohë kur minatorët gjendeshin në zgafelle ai ishte në sallë, në mesin e studentëve të cilëve u jepte zemër të qëndrojnë deri sa të jetë e nevojshme.

Thjeshtësia e punëtorit dhe qëndrimi prej militantit revolucionar – komponentë këto që aq bukur gërshetoheshin në personalitetin e Fahriut, patjetër do të japin efektet e tyre. Në ngjarjet e marsit dhe të majit të vitit 1989 atë e gjeje kudo: ishte në Prishtinë, në Ferizaj, në Besianë etj.

Vrasjet e shumta, plagosjet, arrestimet e keqtrajtimet do ta pikëllojnë Fahriun, por nuk do ta thyejnë asnjëherë sepse ishte i bindur se vetëm populli shqiptar mund dhe do ta detyrojë pushtuesin të tërhiqet përgjithmonë nga këto troje, pra se vetëm përpjekjet e pandërprera, lufta e pandërprerë me të gjitha mjetet dhe pasurimi i kësaj lufte me forma të reja e më të larta organizimi, janë garanci se mund të fitohet liria.

Flaka e luftës për çlirim do ta lidhë ngushtë me Afrim Zhitinë dhe Fadil Vatën, lidhje këto që do të këputen vetëm pas vdekjes (me Afrimin edhe vdekjen e bënë së bashku, kurse Fadili do të vdesë pas disa muajsh). Në tetor Fahriu me shokë do të konstatojnë: “Situata është eksplozive, mjafton një xixë që ajo të shpërthejë në tërë Kosovën”. Veprimtaria e dendur e tij organizative do të hetohet nga UDB-ja, por edhe ai shumë shpejt e hetoi përcjelljen që i bëhej dhe si revolucionar dhe militant do të thoshte: “I gjallë nuk bie në dorë të armikut”.

Më 2 nëntor 1989, Fahriut i vihen pas dhe atë së bashku me Afrim Zhitinë i rrethojnë në banesën e babait të tij. Të betuar njëherë se nuk i bien të gjallë në dorë armikut, kërcyen nga dritarja dhe tentuan ta çajnë rrethimin. Duke çarë rrethimin Afrimi plagoset rëndë, kështu që të dy detyrohen të barrikadohen në Hyrjen e VII-të. Nga ajo se si ishte përgatitur armiku dukej se bëhej luftë përmasash të mëdha. Inspektorë, policë, ushtarë me armë më moderne dhe autoblindë luftonin kundër dy të rinjve me vetëm dy armë, por me dy zemra të guximshme trimash, të brumosura me patriotizmin revolucionar të popullit tonë dhe idealin e madh për lirinë e Kosovës. Që nga ora 12 e 45 minuta deri në ora 19 nuk ndalen të shtënat. Shovinistët serbomëdhenj dhe sahanlëpirësit e tyre duke parë heroizmin e këtyre dy trimave, nuk mundën t’i pranonin vetes se ata ishin vetëm dy, prandaj me mjetet e informimit në TV e Radio gjatë tërë ditës manipulohej me numrin e të barrikaduarve: thuhej se janë barrikaduar 6 pastaj 4 etj.

Kjo luftë e pabarabartë përfundoi atëherë vetëm kur UDB-ja kriminale vuri në dispozicion të gjitha mjetet, madje përdori edhe helme kimike. Fahri Fazliu me një plumb në ballë edhe një në këmbë dhe Afrim Zhitia me shtatë plumba në trup dhe një në ballë ranë heroikisht në luftën e nderit, ranë që të fitojnë përjetësinë.

  1. 11. 2023

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …