Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, për mos raportim të saktë të pasurisë. “Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktakuzën e plotë e cila rezulton se është përpiluar më 31 janar 2023, nga prokurori Astrit Gashi. Sipas aktakuzës, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj. Aktakuza thotë se, e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort. Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2. Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj, raporton “Betimi për Drejtësi”. Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.
Kontrolloni gjithashtu
Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë
Sllovakia, është njëra nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …