Komisioni Evropian, pas takimit të Kolegjit të Komisionerëve, ka miratuar raportin vjetor për Kosovën, për vitin 2023. Në raport si pikë kryesore theksohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë raport thuhet se të dyja vendet përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të BE-së, ende nuk kanë filluar t’i zbatojnë obligimet që dalin pikërisht nga Marrëveshja e Brukselit. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit. Sipas raportit, drafti i muajit maj të këtij viti, i paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut, që ishte propozuar nga Serbia është hedhur poshtë, pasi theksohet se nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet e dialogut. Andaj, BE-ja kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë më 21 tetor në Bruksel. Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të kenë “sjellje konstruktive” në nismat rajonale. Kosova duhet të mbajë zotimet e saj të Dialogut dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara të Dialogut dhe Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj. Po ashtu, në raport kërkohet që zgjedhjet e parakohshme lokale të mbahen sa më shpejt në të katër komunat, të organizuara në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës. Sanksionet e BE-së kundër Kosovës nuk kanë lëvizur, për shkak të mungesës së hapave vendimtarë për të de-përshkallëzuar situatën në përputhje me deklaratën e 3 qershorit.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …