Ministri i Kurtit, Hekuran Murati, nuk merr përgjegjësi për dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë, që duhej të kishte filluar me 1 nëntor. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka fajësuar dikasterin e drejtuar nga Hakuran Murati i cili për KosovaPress ka thënë se e kanë ndihmuar ASK-në për procesin e regjistrimit, por që sipas tij si Ministri nuk janë përgjegjës për këtë proces. Në anën tjetër, zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha ditë më parë ka thënë se shkaktare që regjistrimi të mos fillojë me kohë ka qenë edhe Ministria e Financave. Sipas tij, formimi i komisioneve për mbikëqyrës dhe regjistrues ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave. “Ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione, përkundër që neve kemi propozuar…Kështu është e pamundshme të realizohet regjistrimi me 1 nëntor…Komisionet për rekrutimin, ne i kemi propozuar komisionin për pranimin e mbikëqyrësve dhe në bazë të vendimit që është hap ky konkurs për angazhim një muaj, në vendim shkruhet se komisionet i krijon Ministri i Financave. Ne i kemi dërguar propozimet dhe jemi në pritje të themelimit të këtyre komisioneve”, kishte thënë Berisha.