Sot në orën 17:30 mbahet marsh në solidaritet me popullin palestinez, duke u nisur në sheshin Zahir Pajaziti dhe vazhdon deri te Qeveria e Kosovës

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist,ka njoftuar se sot në orën 17:30 bashkë me aktivistë tjerë të pavarur, do të organizojë marsh në solidaritet me popullin palestinez në sheshin Zahir Pajaziti dhe vazhdon deri te Qeveria e Kosovës.

“Këtë të enjte ne mblidhemi në shesh për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm dhe solidaritet mbarëkombëtar me popullin palestinez.

Për më shumë se një muaj, Izraeli është duke e mbajtur nën terror popullin palestinez. Vetëm brenda kësaj periudhe, shteti izreaelit ka vrarë mbi 11 mijë palestinezë prej tyre rreth 4,000 fëmijë, ka bombarduar spitale, ka dëbuar, burgosur e lënë pa ushqim, rrymë e shërbime tjera elementare, duke ua bërë jetën të papërballueshme shumicës tjetër që vazhdojnë të jenë gjallë në Gaza dhe Bregun Perëndimor”, thuhet në njoftimin e tyre

Tutje në njoftim theksohet se dhuna sistematike dhe masakrimi i popullit palestinez është episodi më tragjik i njerëzimit në këtë shekull, dëshmitare/ë të se cilës jemi të gjitha/ë. “Një popull i tërë, toka e të cilëve është kolonizuar, është duke u mbajtur nën terror. E përderisa ky popull, gjysma e të cilit në Gaza janë fëmijë, po gjëmon nga vuajtjet, ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur a të paanshëm. Ne nuk mund t’i mbyllim sytë karshit vrasjes e torturimit të tyre. Neve nuk duhet e as nuk mund të na heshtojnë propagandat dhe rreshtimet e institucioneve dhe shteteve evropiane në anën e Izraelit gjenocidal.

Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin palestinez dhe çdo civil të pafajshëm izraelit. Megjithatë, ndonëse kundërshtojmë politikat dhe krimet e Hamasit, ne nuk i bashkojmë zërat tanë me ata që në emër të barazimtarive janë duke u shndërruar në financues të gjenocidit ndaj Palestinës”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Kontrolloni gjithashtu

Tetë vjet më parë, Televizioni Dielli ka filluar transmetimin e programit kulturor, informativ, edukativ e arsimor

Sot TV Dielli shënon tetë-vjetorin e fillimit të transmetimit. Tetë vjet më parë,  më 11 …