Viktor Malaj: Kundërshtoj t’ i pranoj si të vërteta pohimet e Kancelarit gjerman, Sholc, se “Izraeli po ushtron të drejtën e tij për vetëmbrojtje

Kundërshtoj të pranoj se lufta që po zhvillon aktualisht Izraeli kundër organizatës palestineze Hamas është “luftë e civilizimit kundër barbarisë”, siç e përcaktoi atë kryeministri izraelit Netanjahu, një sërë qeverish evropiane të paparimta të cilave dëshpërimisht iu bashkua dhe qeveria jonë për ta kërcyer bashkërisht vallen e të padrejtës dhe të pavërtetës. Si qytetar i kësaj bote, populli hebre gëzon gjithë admirimin tim për qëndresën stoike, mbijetesën unike dhe ruajtjen e pashembullt të identitetit të vet etnokulturor për dhjetëra shekuj, ashtu siç gëzon simpatinë time për kalvarin shumëshekullor që ka kaluar dhe përndjekjen çnjerëzore që ka pësuar nga sundimi nazist gjerman gjatë viteve ’30-’40 të shekullit të kaluar. E, megjithatë, kundërshtoj të justifikoj apo pranoj sjelljet dhe politikat fqinjësore të shumicës së qeverive të këtij populli, veçanërisht asaj të sotme.

Vetëdija ime e vlerëson dhe e dënon pa asnjë lloj ngurrimi aktin e 7 tetorit si akt terrorist të kryer nga organizata palestineze Hamas, por, gjithashtu, arsyeja ime më bind se aktet e shumta të bombardimeve të kryera nga ushtria izraelite mbi qendra banimi me popullsi civile palestineze mbas asaj dite janë akte të padiskutueshme terroriste. Lufta pushtuese në vetvete, për nga kohëzgjatja dhe pasojat njerëzore, materiale dhe socio-psikologjike është akti më terrorist i mundshëm.

Kundërshtoj të pranoj si të vërteta pohimet e përsëritura të Kancelarit gjerman Olaf Sholc se “Izraeli po ushtron të drejtën e tij për vetëmbrojtje… Tel Avivi është i përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar dhe vepron në përputhje me të”, si një pohim që ulë ndjeshëm dinjitetin e tij vetjak politik dhe reputacionin e qeverisë së njërit prej vendeve më prestigjioze të botës. Përkundrazi, gjykimi i Kryeministrit kanadez, Xhastin Trudo  se: “Çmimi i drejtësisë nuk mund të jetë vuajtja e vazhdueshme e të gjithë civilëve palestinezë. Edhe luftërat kanë rregullat e tyre”, është në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare dhe moralin dominues të njerëzimit. Një shtet që është gjetur fajtor dhjetëra herë për shkeljen e konventave ndërkombëtare dhe që nuk ka zbatuar shumicën e rreth 130 rezolutave të OKB-së që i kërkonin tërheqjen nga hapësirat e pushtuara, ndalimin e ndërtimit të ngulimeve jashtë territorit të vet dhe mosdëbimin e popullsive fqinje nga shtëpitë e tyre, nuk ka si të jetë një shtet “i përkushtuar ndaj Ligjit Ndërkombëtar”.

Kundërshtoj të marr apriori si të vërtetë gjithçka thonë të mëdhenjtë, të pasurit dhe të fortët e kësaj bote. Zaptimi i territoreve të popujve të tjerë nuk është luftë mbrojtëse. Dëbimi masiv i popullsisë civile nga vendbanimet e veta dhe ndalimi me çdo mjet i të larguarve të mëparshëm për t’u kthyer në vatrat e veta jo vetëm është akt moralisht i papranueshëm, por edhe ndërkombëtarisht i paligjshëm. Kryerja e këtij akti nga qeveria e një populli i cili, me të drejtë u lejua të kthehej në trojet e veta pas mbi dy mijë vitesh, kundrejt një populli që u zbua me forcë nga vendbanimet e veta vetëm pesëdhjetë vjet më parë, është dyfish më e dënueshme. Territoret e banuara nga palestinezë  vetëm tkurren, ndërsa ato të shtetit izraelit, në emër apo jo të “popullit të zgjedhur”, vetëm zgjerohen.

Ku është drejtësia këtu?!

Kundërshtoj të pranoj se individët, politikat apo shtetet e qytetëruar ua mohojnë popujve të tjerë të drejtën e shtetformimit. Nuk mund të pajtohem me konkluzionet se goditjet me gurë, shkopinj apo granata që iu bëhen ushtrive zaptuese të një vendi nga vendasit qenkan barbarizëm, ndërsa lëshimi i bombave dhe raketave me avionë supersonikë mbi popullsinë civile nga pushtuesit qenka dëshmi e civilizimit.

Kam bindjen se vendet e civilizuara shtojnë shkollat për arsimim, ndërtesat për strehim, spitalet e qendrat shëndetësore për shërimin dhe rritjen e jetëgjatësisë së popujve dhe nuk bombardojnë shkolla, spitale apo qendra fetare ku ndodhen pjesa më e pafajshme e popullsisë, me pretendimin se aty apo këtu strehohet një armik apo terrorist.

Përdorimi i standardeve të dyfishta e të shumëfishta për përcaktimin e karakterit të një lufte sulmuese nga ana e shteteve apo qeverive që pretendojnë se përfaqësojnë qytetërimin botëror është një cinizëm i egër dhe një përgënjeshtrim spektakolar i predikimeve të tyre teorike. Kundërshtoj të besoj se dhënia e dhjetëra miliard dollarëve shtetit sulmues, i cili i përdor ato për vrasjen e mijëra njerëzve të pafajshëm dhe zgjerimin e territoreve të veta në kurriz të të tjerëve dhe, nga ana tjetër, akordimi i disa dhjetëra milion dollarëve për mbijetesën e atyre që mbeten gjallë nga bombat e të parit, përbëka në thelb akt humanitar dhe në shërbim të paqes dhe drejtësisë.

Vrasja dhe rrëmbimi i dhjetëra fëmijëve izraelitë nga organizata Hamas është një akt çnjerëzor dhe barbar, por vrasja dhe gjymtimi i gati dhjetë mijë grave e fëmijëve palestinezë nga ushtria izraelite është një akt po ashtu çnjerëzor e barbar, por i përmasave shumë më të mëdha, është shkelje flagrante masive e të drejtave të njeriut dhe e legjislacionit ndërkombëtar që i mbron ato.

Kundërshtoj të pranoj se vendosja dhe zbatimi i “hierarkisë së jetëve njerëzore” është dëshmi e qytetërimit. Një shpirt që nuk tronditet njësoj dhe një mendje që nuk shqetësohet njëlloj nga vrasjet dhe gjymtimet e fëmijëve hebrenj dhe atyre arabë, nuk është dhe nuk mund të jetë as një shpirt human dhe as një mendje e qytetëruar.

Kundërshtoj të pranoj se qeveria e një vendi të qytetëruar mund të pohojë se “një sulm bërthamor” është opsion i mundshëm, siç bëri Ministri izraelit Amikai Eliahu. Të pohosh dhe aq më tepër të planifikosh “një sulm bërthamor” mbi një territor apo popullsi civile ke rrëzuar çdo maskë për humanizëm e përkushtim të shtetit tënd për respektimi të rregullave ndërkombëtare. Përdorimi i armës bërthamore është shprehja më ekstreme e barbarizmit “modern”.

Kundërshtoj të pranoj se në qytetërim bën pjesë e drejta e cilitdo shteti të imponojë popujt e tjerë se kush duhet të jetë qeverisësi apo administratori i punëve të tyre.

Duke qenë pjesë e një populli që edhe ligji kanunor mesjetar i të cilit e dënonte cenimin e grave dhe fëmijëve, unë kundërshtoj të pranoj si vepra të qytetërimit vrasjet dhe gjymtimet e fëmijëve dhe grave palestineze në shtëpitë e tyre në shekullin njëzet e një. Gjithashtu, izolimi dhe heqja e mundësive për ushqim, ujë, medikamente dhe strehim masivisht e popullsisë civile nuk ndeshet as në manualet e kohëve të barbarëve dhe assesi në kohët moderne.

Rendi botëror, drejtësia dhe paqja njerëzore nuk do të ndreqen dhe as gjejnë prehje për aq kohë sa të ekzistojë hendeku lemeritës midis fjalëve, predikimeve e legjislacionit përgjithësisht human ndërkombëtar dhe vlerësimeve, sjelljeve e qëndrimeve shumëstandartëshe dhe në kundërshtim flagrant me të parat, nga establishmentet politike, qeveritë dhe institucionet përkatëse ndërkombëtare.

Në këtë botë ku mbizotëron hipokrizia dhe trushplarja është më e ndershme të jesh qoftë edhe një zë i mekur në shkretëtirën e së vërtetës se një borizan në oborrin e Mbretërisë së Gënjeshtrës. (DITA)

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …