Albin Kurti

Albin Kurti, “trim” me fjalë kur flet para “popullit” të Vetëvendosjes, frikacak e i mjerë para autoriteteve ndërkombëtare dhe hijes së Radojçiqit

Albin Kurti  vazhdimisht po  ndërron sipas situatës, pikërisht sikur kameleoni. Kur flet para gazetarëve, apo para popullit të Vetëvendosjes, fryn muskujt e tregohet trim mbi trimat, sidomos kur flet për  aksionin e Policisë në veri të Kosovës kundër një bande  serbe, në krye me terroristin, Radojçiq, i cili u ndërmor më 24 shtator 2023. Madje shkon aq larg sa deklaron se me shtatë tetë policë të Kosovës e ka shpartalluar bandën serbe, por nuk tregon pse nuk e ka arrestuar  Radojçinin kur Xhelal ministri  e dinte se ai ndodhej brenda Manastirit, madje i pari e kishte zbuluar dhe e kishte publikuar foton e tij me uniformë të kamufluar. Nuk ka dashur, nuk ia ka mbajtur, ka qenë në bashkëbisedim me ndonjë ndërkombëtar apo ambasador, për këtë nuk flet asnjë fjalë, Kurti as Xhelë trimi.

Tani kur Radojçiqi ndodhet në Serbi, Albin Kurti kërkon nga ndërkombëtarë që ai të arrestohet dhe t’ i dorëzohet organeve të rendit në Kosovë. Një sejmen i Kurtit në një debat televiziv shkon aq larg, sa bandën e Radojçiqit  me 40 banditët e tij e paraqet si rrezikun numër  një për sigurinë e Kosovës, atë bandën që e kishin eleminuar shtatë tetë policët e Xhelës (!).

Po a mendojnë këta naivë të mjerë se Serbia e paska vetëm një Radoje e jo mijëra të tjerë si ai, madje shumë më të rrezikshëm se ai?.

Pas takimit të pati me Sekretarin  e NATO-s, Stoltenberg, kryeministri Albin Kurti, nuk foli as u lavdërua se si e kishte  mposhtur bandën e Radojçiqit, por  foli për rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për Kosovën, jo tashmë për 40 mercenarët e Radojes, por për praninë e 48 bazave të përparme operacionale  serbe përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të këtij kufiri.   Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe, ka saktësuar Kurti.  Ai ka folur për  tërë arsenalin ushtarak të Serbisë, madje duke i bërë të ditur  Stoltenbegut se Vuçiqi po blen armatim në Rusi dhe në Kinë, pasi NATO-ja nuk paska informata të tilla.

T’ i tregosh  sekretarit të NATO-s dhe t i ankohesh se Serbia po blen armë nga Kina e Rusia, nuk është vetëm një naivitet prej adoleshenti politik, por është një babëzi e një mjerani, i cili rrah gjoks kur duhet maturi e vetëpërmbajtje, ndërsa ulë veshët kur flet  para autoriteteve ndërkombëtare, gjithnjë me ankesa kundër Serbisë, Rusisë, Kinës, me pretendime për të treguar se ai është i vetmi që i di të gjitha. Në një moment  të tillë dëliri, duke pretenduar se është më i mençuri i botës, Kurti i kishte quajtur  naiv dhe të  paditur, Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Bliknen.

Kryeministri,  Albin Kurti, kërkon nga KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, që zyrtarisht përmes një raporti, të marrin masa ndaj kërcënimeve serbe, dhe t’ia atribuojnë zyrtarisht Serbisë aktin e agresionit dhe krimin ndaj Kosovës.  Ai tani shpreh frikë se Milan Radoiçiq po riorganizon grupin për një sulm tjetër terrorist, andaj sipas tij  KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet t’ ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit”. Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia vazhdon të kërcënojë sigurinë e Kosovës. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”. Pak ditë më parë, Albin Kurti  duke rrahur gjoks kishte thënë se shtatë policë të Kosovës e kanë mposhtur bandën e Radojës, tani shpreh panik e frikë dhe mendon se KFOR-i EUELEXI, (të cilit dikur ia rrotullonte automjetet), si dhe BE-ja duhet t i besojnë Albinit dhe të veprojë sikur urdhëron ai. Ky naivitet dhe kjo sëkëlldi e Albin Kurtit në radhë të parë e ka bazën në fillimin e krijimit të Asociacionit, të cilin e ka pranuar pasi e di fare mirë se përderisa NATO shton numrin e pjesëtarëve dhe zgjeron rezolutën 1244, Serbisë nuk ia mban të hyjë në aventura. Përkundrazi, Vuçiq është pajtuar për rritjen e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it.

Sot Albin trimi deklaron zëshëm se Ushtrinë e kemi më të fortë se kurrë, i kemi ndarë buxhet dyfish më shumë krahasuar me atë që kishte dhe atë po e rrisim çdo vit. Ia shtuam 1852 ushtarë të rinj dhe 600 tjerë i kemi paraparë për vitin e ardhshëm. Kryeministri shtoi se përveç çizmes në tokë ushtria jonë tani ka sy edhe në qiell me dronët Bajraktar.

Ja si i luan frekuencat e disponimit,  Albin Kurti, herë trim e hero për së gjalli, kur flet para anëtarëve të Qeverisë, herë mjeran e frikacak nga Radoja i Serbisë kur flet me ndërkombëtarët.

Ahmet Qeriqi

  1. 11. 2023

Prishtinë

 

Kontrolloni gjithashtu

Ish-negociatorja, Edita Tahiri, dikur i nënshtrohej Serbisë në Bruksel, tani kërcënon me luftë

Edita Tahiri: Sulmi në Banjskë, pjesë e skenarit të Serbisë për destabilizimin e veriut

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka komentuar zhvillimet dhe prapaskenat pas sulmit në Banjskë. …