Feja është e domosdoshme për ta mbajtur njeriun lidhur në “zinxhirët” moralë
Feja është e domosdoshme për ta mbajtur njeriun lidhur në zinxhirët moralë, me ligje hyjnore e tokësore, me qëllim të mbarëvajtjes së programit dhe emancipimit të përgjithshëm njerëzor në planetin tonë, të cilin e quajmë tokë.
Njeriu është qenia e vetme në botë, (derisa nuk dimë gjë konkrete për ndonjë lloj apo edhe lloje të tjerë më inteligjentë që jetojnë në rruzull) që mund të krijojë forma gjigante kapitale, që mund të rrugëtojë me shpejtësi kozmike, që mund të shpikë gjëra të jashtëzakonshme por që me shpikjet dhe makineritë e tij nuk prodhon dot një kokërr meli, gruri, misri apo elbi.
Njeriu mund të bëhet zot i vetës, po kurrë nuk bëhet dot zot i njerëzimit, edhe pse mendje të marra e të çoroditura njerëzish kanë provuar dhe prore provojnë që autoritetin, fuqinë dhe egon e tyre t’ ia imponojnë tërë botës.
Zoti ynë në perceptimin tonë është tërësia jonë imagjinare, kreative, raporti që kemi me të panjohurën, së cilës i frikësohemi dhe te i cili mbështetemi.
Ai është diga e besimit për të ruajtur baraspeshën tonë kolektive njerëzore mes së mirës e të ligës, mes territ dhe dritës, mes frikës dhe mujsharisë, mes dashurisë dhe urrejtjes, mes jetës dhe vdekjes, madje duke kërkuar dhe duke besuar edhe në një jetë të përtejme, të përjetshme, e cila është shpikja e mashtrimit të madh njerëzor, bazamenti i feve monoteiste, pa të cilin nuk arrin dot bindjen dhe nënshtrimin e tij.
Ringjallja është karremi, të cilin e kafshojnë besimtarët e devotshëm, në botën e tyre imagjinare duke kërkuar shpagim nga Zoti për punën, jetën dhe angazhimin e tyre jetësor në amshueshmëri.
Ringjallja, riciklimi i jetës nga brezi në brez ekziston në këtë jetë, në një periudhë të caktuar, gjithsecili në kohën dhe hapësirën e vet. Ky është qëllimi primar i çdo gjallese, kalimi nga bota inorganike në atë organike, dhe anasjelltas, nga asgjëja në diçka konkrete, e cila sërish kthehet në asgjë dhe sërish vegjeton pa u ndërprerë.
Jeta, cilado qoftë ajo, e çfarëdo gjallese që të jetë, i ka hiret e veta ekzistenciale, ka instinktin për të jetuar dhe luftën e pandërprerë për ta manifestuar jetën deri në vdekje. Ky është qëllimi primar i çdo gjallese e në veçanti i llojit njerëzor, i cili, për dallim nga të gjitha qeniet, prodhon mjete për jetesë, projekton, realizon, ndërton e shemb, krijon forma e përmbajtje në funksion individual dhe kolektiv.
Frika që kemi nga vdekja, zbulon shpirtin tonë të varfër, mungesën reale të besimit në zot, pavarësisht se i besojmë apo jo ringjalljes. Nuk di prift, hoxhë, rabin, budist, papë apo imam që nuk i frikësohet vdekjes, por di që filozofi Sokrat, ka thënë se frika më e paarsyeshme në jetë është frika nga vdekja, sepse nga ajo nuk shpëton asnjë qenie e gjallë. Mendoj se frika nga vdekja na bën më të përmbajtur, më të njerëzishëm dhe më të dinjitetshëm, gjithnjë duke besuar se ajo nuk mënon, as harron.