Urime për 27 Nëntorin – Ditën e Forcës
Sot, Kosova feston Ditën e Forcës, Ditën e Ushtrisë së saj. Ushtria e Kosovës është suksesi më i madh i pasluftës, sepse pjesë e saj janë djemtë dhe vajzat më të mira të vendit, sepse është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria e Kosovës sot, është sublimim dhe kurorëzim i luftës së pastër çlirimtare të heronjve dhe të dëshmorëve tanë, është rezultat i gjakut të derdhur për liri, është rezultat i luftërave dhe i përpjekjeve shekullore të popullit tonë liridashës.
27 Nëntori – Dita e Forcës, është njëra ndër festat tona të mëdha kombëtare në nëntorët e lavdisë e të krenarisë, që ndodhën gjatë gjithë historisë, që nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e deri tek Adem Jashari. Ushtria e Kosovës e ka burimin nga populli ynë liridashës, u lind, u rrit dhe u fuqizua nga populli ynë. Ajo gjithmonë bëri luftë të drejtë, luftë çlirimtare!
Sot, Ushtria e Kosovës njihet si Ushtri profesionale dhe e trajnuar me standarde të NATO-s. Dëshmia më e mirë janë sukseset dhe përgatitja e lartë profesionale që po dëshmohet çdo ditë e më shumë.
Ushtria e Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm në Kosovë. Sot, në Ditën e Forcës, e themi me zë të lartë se sa e rëndësishme është për sigurinë në Kosovë e rajon, si dhe për paqen në botë, anëtarësimi i Kosovës dhe i FSK-së në NATO.
Kosovë, urime për Ditën e Forcës!