Intervistë me Granit Sokolin, djali i dëshmorit të kombit, Bedri Ilaz Sokoli

Intervistë me Granit Sokolin, djali i dëshmorit të kombit, Bedri Ilaz Sokoli

Zhvillimet revolucionare të Marsit dhe Prillit të vitit 1981, i kishin dhënë hovin vendimtar kërkesave gjithë-popullore të shqiptarëve në Kosovë e më gjerë  për liri, barazi e drejtësi. Në ato  protesta  të qindra mijëra pjesëmarrësve ishte manifestuar kërkesa unanime plebishitare  për krijimin e Republikës së Kosovës, si proces që do të çonte fillimisht në barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë,  pastaj duke u mbështetur në parimin e të drejtës së kombeve  për Vetëvendosje, në rrethana të reja historike, Kosova dhe viset shqiptare nën Jugosllavi pritej të bashkoheshin me Shqipërinë. Një djalosh i ri i kalitur me ato ideale çlirimtare, ishte edhe Bedri Ilaz Sokoli, i cili luftën e tij kundër regjimit okupator jugosllav  e kishte filluar në vitin 1981 në mesin e gjeneratës së vet dhe e kishte kurorëzuar me gjakun e derdhur për liri, më 1 nëntor të vitit 1989, gjatë protestave dhe demonstratave, në Prishtinë….

 RKL: I nderuar Granit mirë se vini në këtë intervistë  për dëgjuesit e Radios-Kosova e Lirë

Granit Bedri Sokoli: Faleminderit për mundësinë, mirë se ju gjej

  RKL:  Ju jeni  djali i heroit të kombit, Bedri Sokoli, i cili ka rënë në altarin e lirisë 34 vjet më parë. Çka mund të na thoni për fillim të intervistës për veten dhe familjen në përgjithësi?

Granit Bedri Sokoli:  Po, është e vërtetë që jam djali i Bedriut dhe për këtë jam shumë krenar. Fakti që nuk kam arritur ta njoh dhe përjetoj babain tim është një dhimbje shumë e madhe për mua, por nga fjalët që i kam dëgjuar për Babin, nga gjyshi im i ndjerë, Ilaz Sokoli dhe nga axhallarët e mi e hallat në përgjithësi familjaret dhe farefisi me bëjnë krenar dhe mburrem që jam djali i Bedri Sokolit .  Si djalë i Bedriut, në fakt nuk ndihem i vetëm sepse kam familjar që më janë gjetur gjithmonë pranë edhe se mungesa e Babit, është e madhe. Unë  jetoj dhe punoj në Gjermani jetoj me bashkëshorten time Arbneshën, dhe dy vajzat e mia Medinën dhe Duan. Gjithmonë vazhdoj që vajzave të mia t’iu flas për gjyshin të cilin e njohën në datën e përkujtimit, përmes fotografive.

RKL: Çfarë kujtimesh ose historish të veçanta ju kanë treguar për babanë Tuaj  Bedriun, pasi ju keni lindur vetëm 17 ditë para se të përjetësohej Bedriu, më 1 nëntor 1989? 

Granit Bedri Sokoli: Historia që më bën të mburrem më shumë është se babai im, qysh kur ishte i ri, ka pasur shumë atdhedashuri, idealizëm dhe vizion për një Kosovë të Pavarur dhe për bashkimin e trojeve shqiptare. Ka qenë shok i mirë me Zahir Pajazitin, dhe idealet e tyre ishin të kundërta me regjimin serb. Kosova është e shqiptarëve, dhe e tillë duhet të ekzistojë.  Data e 1 nëntorit, jo vetëm për mua, por për të gjithë, ka qenë një datë e trishtuar. Jo vetëm Ilazi humbi djalin e tij, por Kosova humbi luftëtarin më të mirë të të gjitha kohërave. Këtë më kanë thënë shokët e babait tim, miqtë e gjyshit, si dhe farefisi i gjerë.

 RKL: A mund të na tregoni më shumë rreth veprave dhe kontributit të Babit tuaj, në lëvizjen revolucionare të kohës nga ato që keni dëgjuar nga Gjyshi Ilaz, tani i ndjerë, si dhe  nga familjarët e bashkëveprimtarët e tij?  

Granit Bedri Sokoli: Po, gjyshi im Ilazi më ka treguar se, babai im, Bedriu, ka pasur shumë herë mosmarrëveshje dhe konflikte me regjimin qysh nga viti 1981 dhe më herët. Ai gjithmonë ka organizuar demonstrata dhe ka qenë në krye të tyre pa iu trembur syri. Në atë kohë, tek babai im janë gjetur shumë libra dhe këngë në audiokasetë që ishin të ndaluara. Ata kanë qenë një frymëzim për gjeneratat, gjë që ai i ka ndarë me kënaqësi. Pastaj, edhe axha im Florimi, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, iu bashkangjitur idealit të njëjtë, duke luftuar së bashku për një revolucion. Kosova duhet të jetë Republikë me të drejta të plota shkëputje nga ish-Jugosllavia.

RKL: Cilat janë projektet apo  iniciativat, nëse ka të tilla  që kanë ndërmarrë shoqëria, apo institucionet, për të mbajtur gjallë dhe për të promovuar trashëgiminë e dëshmorëve, në këtë rast edhe të babait Tuaj?

 Granit Bedri Sokoli: Te flas për këtë temë është pak absurde, pasi duket sikur gjeneratat e reja kanë harruar se kjo tokë është lagur me gjakun e shumë dëshmorëve. Po ashtu, institucionet nuk kanë bërë aq sa duhet. Për mua, si djalë dëshmori, nuk ka qenë aspak e lehtë që në vitin 2003 të marr rrugën e kurbetit. Asnjëherë nuk kam pasur privilegje, edhe pse jam djalë dëshmor. Në një aspekt, për mua ka qenë më e vlefshme që gjaku i babait tim ka mbetur i njomë dhe i pastër, gjaku i një dëshmori. Ne si familje nuk kemi dashur të përfitojmë në asnjë mënyrë, dhe për mua është e rëndësishme që babain tim e kanë njohur shumë njerëz si një ndër ata të paket që nuk ka mundur që Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj të ngjallin frikë, përkundër torturave dhe plaçkitjeve në shtëpinë ku kemi jetuar. Ai kurrë nuk u ndal as nuk iu largua luftës së tij për idealin e Kosovës së lirë.

RKL: Sa mendoni se është punuar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së Heronjve përgjithësisht dhe a do të duhej të ishte bërë më shumë në këtë drejtim?

Granit Bedri Sokoli: Projektet e mia do të kujdesen që të përcjellin atë ashtu siç jam edukuar nga gjyshi dhe familja, që çdo vit të jem pranë shtatores së tij, duke e kujtuar si një njeri të madh idealist, revolucionar, atdhedashës, dhe besoj se do të ishte një baba i përkushtuar për fëmijët e vet. Shoqëria e babait tim dhe e familjes vijnë në ç’do përvjetor ndërsa institucionet bëjnë shumë pak apo thënë më mirë te hiç, të paktën që në përvjetorë të jenë afër familjes sime dhe të dëshmorëve të tjerë, për nderime të jetës dhe veprave të tyre të na gjinden pranë e pa kushtëzime.

RKL: Një histori e një jete dhe vepër  si ajo e Bedri Sokolit dhe heronjve të tjerë,  sa  shërben për të frymëzuar dhe edukuar brezat e rinj, me ndjenjën e atdhetarisë?

Granit Bedri Sokoli: Historitë e njerëzve të ndritur si Bedri Sokoli janë burime frymëzimi dhe edukimi për brezat e rinj. Jeta dhe vepra e tij shërbejnë si udhërrëfyes të fuqishëm për të nxitur ndjenjën e atdhetarisë tek të rinjtë. Bedri Sokoli, një figurë e shquar nga koha e tij, ka jetuar një jetë të përkushtuar ndaj idealeve të lirisë, drejtësisë dhe pavarësisë kombëtare. Përvoja e tij është një udhëzim i jashtëzakonshëm për brezat e ardhshëm, duke sjellë mësime të çmuara mbi sakrificën dhe guximin për të mbrojtur vlerat e kombit. Historia e Bedri Sokolit dhe heronjve të tjerë shërben si një mjet jetësor dhe edukues që i inkurajon të rinjtë të ndjehen pjesë e një trashëgimie të madhe kombëtare. Ndjenja e atdhetarisë, e nxitur nga këto histori të lavdishme, bëhet një forcë e lehtësuar për të rinjtë në udhën e tyre drejt ndërtimit të një shoqërie më të mirë dhe më të lirë.

RKL: Faleminderit shumë për kohën dhe kontributin tuaj pët intervistën në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë shëndet dhe suksese të vazhdueshme në të gjitha përpjekjet tuaja në jetë.

Granit Bedri Sokoli: Faleminderit shumë për ftesën dhe mundësinë për të ndarë pikëpamjet dhe eksperiencën time në Radion Kosova e Lirë. Ishte një përvojë e mrekullueshme dhe e kënaqshme për mua. Njëherësh, jam i lumtur që pata rastin të kontribuoj në këtë intervistë të rëndësishme.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …