Mbrëmë në pjesën veriore të Mitrovicës është vendosur pa kurrfarë problemi shtatorja e mbretit mesjetar serb, Car Llazar. Inaugurimi i saj pritet të bëhet nesër, me 28 qershor, ditë që në kalendarin festiv ortodoks të serbëve njihet si ‘Vidovdan’. Vendosja e kësaj përmendore, të gjatë afër 8 metra, është bërë në sheshin qendror të pjesës veriore të qytetit. Në ceremoninë e përurimit do të marrë pjesë edhe shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, vizitat e të cilit lejohen nga Qeveria e Kosovës edhe pse ai shkel çdo rregull protokollar. Vendosja e kësaj shtatore, dimensioni nacionalist i të cilës është i qartë, ka treguar edhe njëherë pafuqinë e institucioneve të Kosovës. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ditë më parë kishte deklaruar se do të bënte shqyrtimin e ligjshmërisë së vendosjes së këtij monumenti, por serbët e veriut e vendosën pa pyetur njëri. Kjo përmendore do të jetë pjesë e një sheshi të ri, i dizajnuar asisoj që të ndajë përfundimisht qytetin e Mitrovicës. Edhe në rast se hiqet barrikada në Urën e Ibrit, lëvizja e lirë e qytetarëve do të jetë praktikisht e pamundur për shkak të sheshit të ri. Vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës veriore ishte kundërshtuar fuqishëm si nga asamblistët shqiptarë ashtu edhe nga ata boshnjakë, të cilët kanë thënë se vendosja e këtij monumenti është akt provokativ dhe në baza etnike.
