Mbahet manifestimi kushtuar themelimit të pikës së UÇK-së në Rancë të Shtimes

Në prani të familjarëve të dëshmorëve, veteranëve të luftës së UÇK-së dhe strukturave udhëheqëse komunale, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, nën organizimin e Degës së OVL të UÇK-së, me një manifestim madhështor u shënua 26 Qershori i vitit 1998, Dita e Themelimi të Pikës së UÇK-së në Rancë.

Në këtë manifestim ishin të pranishëm edhe kryetari i komunës së Shtimes z. Naim Ismajli, nënkryetari z. Fatmir Rashiti, kryesuesi i Kuvendit të Komunës z. Rrahman Jakupi, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Shukri Buja, kryetari i Degës së OVL së UÇK-së z. Nesret Salihaj dhe mysafirë të tjerë.

Kryetari i komunës së Shtimes z. Naim Ismajli, duke i përshëndetur të pranishmit, rëndësi të vecantë i kushtoi formimit të Pikës së Rancës duke e quajtur edhe datë historike të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare në komunën tonë. “Rëndësia e Pikës së Rancës qëndron në atë se për herë të parë Njësiti Ushtarak u paraqit publikisht. Komuna e Shtimes është komunë e vogël, por në proporcion me banorët më tepër ka kontribuar në luftë në Zonën e Nerodimes. Fillimisht, Pika e Rancës dhe Zona e Pashtrikut me pikënisje nga Pjetërshtica. Me vendim të Kuvendit të Komunës së Shtimes këto dy pika do të shpallen të mbrojtura, ku do të ruhen të freskëta kujtimet nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në komunën tonë dhe më gjerë”, spikati kryetari Ismajli.

Për historikun e themelimit të Njësitit të UÇK-së në Rancë, për të pranishmit ekspozoi në mënyrë kronologjike, veterani i UÇK-së z. Ramiz Smajli. Jehona e luftës së Drenicës, Dukagjint, Pashtrikut shumë shpejt mobilizoi shumë djem dhe vajza të komunës sonë dhe kushtrimi i legjendarit Adem Jasharit ishte më tepër se motiv për t’u radhitë në radhët e UÇK-së, tha z. Smajli. ”Kosova bëhet temë diskutimi jo vetëm në mediat botërore por edhe në qendrat vendimmarrëse botërore se atje po ndodh gjenocid mbi një popull të pafajshëm andaj të gjithë të frymëzuar nga legjendari Adem Jashari dhe dëshmorët tjerë ngjeshin armët për liri. Disa djem nga komuna e Shtimes në njësitet e UÇK-së jashtë komunës sepse ushtria jonë kishte marrë përmasa të mëdha. Ata ishin pjesë aktive e njësiteve “Çeliku” dhe këtë përvojë strategjike të luftës e sollën në komunën e Shtimes”, tha z. Smajli. Ai tutje përmendi luftëtarët që luftuan në Llapushnik dhe ata që e hapën Pikën e Rancës. ”Më 26 qershor zyrtarizohet Njësiti “Çeliku 3” në Pikën e fshatit Rancë dhe atë kohë Isak Musliu “Çerçizi”, Fatmir Limaj “Çeliku” dhe Ramiz Qeriqi “Luani” morën vendim të hapet vija e frontit në Grykën e Carralevës, respektivisht me Pikën e Rancës dhe komandant emërohet Nesret Salihaj “Zeneli””, përfundoi z. Smajli.

Në emër të Degës së OVL të UÇK-së të pranishmit i përshëndeti kryetari z. Nesret Salihaj, i cili asokohe ishte komandant i Pikës së Rancës që njihej me nofkën “Zeneli”. Ai vuri në pah se numri i ushtarëve në kohën e themelimit të Pikës së Rancës ishte simbolik, por madhështia e luftës çlirimtare kumboi fuqishëm edhe në këto anë dhe ndikoi që vargoit të lirisë t’i bashkohen shumë e shumë çlirimtarë të tjerë. “Ishte ditë historike, para 18 vitesh në fshatin Rancë nga përvojat e luftës që i fituam në Dranicë e formuam Pikën e Rancës. Atje vepronin edhe të tjerët si Shukri Buja, Ferri, Grupi i Mollopolcit, ndërsa ne ishim ata që drejtpërdrejtë ndikuam në formimin e Pikës në Rancë. Na ndihmuan, familjarët sepse ky popull ishte i përgatitur për luftë dhe brenda dy muajsh në Rancë vepruan 100 ushtarë”, tha z. Salihaj.

Rreth rëndësisë së luftës heroike të UÇK-së, me argument të shumta zbardhi ish-komandanti i UÇK-së z. Isak Musliu, aktualisht asamblesit në Kuvendin e Komunës së Shtimes. Musliu evokoi kujtime gjatë kohës së Ushtrisë Çirimtare të Kosovës të zhvilluara në këto anë. “Që nga ngjarja e Prekazit me automatizëm futemi në front duke organizuar ardhjen nga diaspora. Mua më takoi organizimi në komunën tonë. Dalja legale e Njësitit të Rancës, më 26 qershor 1998 bëhet në shtëpinë e Feriz Kurtishit”, nënvizoi në mes tjerash z. Musliu.

Ish-gjenerali I Zonës Operative të Nerodimes, aktualisht deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Shukri Buja, tha se Shtimja gjatë kohës së luftës së UÇK-së u dëshmua jo si komunë e vogël, por si komunë shumë e fuqishme e luftës çlirimtare të UÇK-së. ”Shtimja ndonëse radhitet ndër komunat gjeografikisht më të vogla në Kosovë, gjatë luftës kishte zemër të madhe, dha trima çlirimtarë, dëshmorë të kombit, veteranë, invalid dhe kontribut gjithëpopullor për t’i shkëput prangat e robërisë. Si deputet mund të ju them se ne sot kërkojmë tetë mijë hektarë tokë e në nivel kombëtar duhet kërkuar shumë troje shqiptare të shkëputura e që sot janë në shtete tjera”nënvizoi ndë të tjera z. Buja.

Në fund për të pranishmit u shfaq një program kulturo-artistik, me poezi dhe këngë kushtuar dëshmorëve të lirisë të interpretuara nga rapsodët: Agim Elmazi, Elmi Agushi dhe Zenel Zekolli.

Me rastin e shënimit të kësaj date historike, paradite janë vendosur kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime dhe Mollopolc, pastaj në fshatin Rancë, në oborrin e Shtabit të UÇK-së është bërë ngritja e flamurit kombëtarë si dhe janë bërë homazhe në Varrezat e Familjes Martire Asllani të këtij fshati. Në përmbyllje të kësaj dite me aktivitete kulturore dhe sportive, në sallën e edukatës fizike të Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku” është organizuar edhe Turneu në Boks.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …