Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Prokurimi publik në Kosovë dhe fuqizimi ekonomik gjithëpërfshirës”. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022, prokurimi publik në Kosovë përbënte 6.5% të Bruto Produktit Vendor (BPV). Pavarësisht praktikave ndërkombëtare për fuqizimin ekonomik të grave dhe avancimin e barazisë gjinore, gratë mbeten të nënpërfaqësuara në fushën e prokurimit publik në Kosovë.
Procedurat e prokurimit publik rregullohen me Ligjin për Prokurim Publik, mirëpo ky ligj nuk përmban perspektivë gjinore dhe nuk përkon me Ligjin për Barazi Gjinore. Sipas Ligjit për Barazi Gjinore, të gjitha institucionet publike përfshirë ministritë, komunat dhe çdo autoritet tjetër kontraktues janë të obliguara të përfshijnë pikëpamjen gjinore në veprimtarinë e tyre.
=Për të parë shtrirjen e prokurimit të përgjegjshëm gjinor në Kosovë, Instituti GAP ka analizuar gjithsej 9,673 kontrata të prokurimit publik në vitin 2022. Në analizë janë përfshirë përfituesit/et sipas autoriteteve kontraktuese të nivelit qendror, lokal, institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike. Gjetjet e raportit tregojnë se 81.1% e bizneseve përfituese të kontratave në prokurimin publik janë në pronësi të burrave, 10.3% janë në pronësi të grave, 5.8% janë në bashkëpronësi të të paktën një gruaje, dhe për 2.7% gjinia e pronarëve/eve është e panjohur. Bizneset në pronësi të burrave kanë përfituar 405 milionë euro apo 78.7% të gjithsej kontratave, kurse bizneset në pronësi të grave kanë përfituar 25.4 milionë euro apo 4.9% të gjithsej kontratave të prokurimit publik gjatë vitit 2022.
Instituti GAP rekomandon të integrohet pikëpamja gjinore përgjatë gjithë procesit të prokurimit publik, përkitazi me kornizën ligjore të Kosovës, si dhe praktikat ndërkombëtare të prokurimit të përgjegjshëm gjinor; të caktohen objektiva dhe/ose kuota për pjesëmarrjen e bizneseve në pronësi të grave në proceset e prokurimit përkitazi me Ligjin për Barazi Gjinore; të bëhet mbledhja sistematike e të dhënave të ndara sipas gjinisë për të gjurmuar pjesëmarrjen e bizneseve në pronësi të grave, punonjëseve gra brenda organizatave ofertuese dhe ndikimin e vendimeve të prokurimit në barazinë gjinore.
Raportin e plotë mund ta gjeni të bashkëngjitur në këtë email ose duke klikuar KËTU.