Nxënës të shkollës shqipe në Roveredo të Kantonit Grabünden të Zvicrës
Nëntori si zakonisht sjell festë, gëzim në familjet shqiptare kudo qofshin ato, në atdhe apo në mërgim. Dhe ky nëntor në familjet shqiptare në Roveredo të Kantonit të Grabündenit solli gëzim dhe festë sepse fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të këtij vendbanimi në këtë nëntor filluan edhe mësimin në gjuhën amtare – në gjuhën shqipe. Ishte një përpjekje e Shkollës Shqipe” në Zvicër dhe veçanërisht angazhimi i mësueseve Mimoza Qarreti Elshani dhe Egzona Imeri, të cilat së bashku me prindërit hapën dyert e pikës më të re shkollore në Zvicër.
Mësimi plotësues i gjuhës shqipe zhvillohet në shkollën fillore në Roveredo ( scuola elementare di Roveredo), edhe atë çdo të shtune nga ora 10:00-11:30, ku mësuesja Egzona Imeri i pret nxënësit me gëzim të madh duke i motivuar, që ta mësojnë dhe ruajnë gjuhën shqipe. Ajo përveç orëve mësimore me qëllim kryesor përvetësimin e shkronjave të shqipes, gjatë orëve mësimore të këtij fund nëntori i ka kushtuar vëmendje të veçantë datave historike, veçmas Kongresit të Alfabetit dhe “28 Nëntorit – Ditës së flamurit.
Këto orë mësimore ngjallën një atdhedashuri të veçantë te fëmijët shqiptarë, si rëndësia e shkronjave të gjuhës shqipe, dijetarët shqiptarë që përpiluan alfabetin e gjuhës, udhëheqësit e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, flamuri kombëtar etj. Pra ishin disa shenja kombëtare të cilat ngjallën dashuri dhe respekt te fëmijët – nxënësit e shkollës shqipe.