Sot, në luginën e Arashit, ndërmjet dy fshatrave Vrajakë dhe Bratotin, përuruam finalizimin e ndërtimit të objektit të ri të Shfmu “Tre Dëshmorët”.
I shoqëruar nga drejtori i arsimit dhe bashkëpunëtorët e mi, në praninë e nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve të shumtë nga të dy fshatrat, përuruam këtë projekt, i cili kishte nisur 3 vite më parë, kur ministër i arsimit ishte z.Ramë Likaj.
E pranishme në këtë ceremoni festive ishte edhe ministrja e MASHTI-t, znj. Arbërie Nagavci, e shoqëruar me zyrtarë të tjerë nga MASHTI.
Për ta bërë edhe më të bukur festën e sotme, nxënësit dhe mësimdhënësit shfaqën një program të pasur festiv.
Vlera monetare e ndërtimit të kësaj shkolle është 365.899,75€, projekt ky që u financua nga MASHTI dhe ekzekutimin e punimeve e ka bërë operatori ekonomik “Euroing”.
Objekti i ri i shkollës ka 9 dhoma mësimi, kabinetin e informatikës, hapësirën për klasë parashkollore, sallën e arsimtarëve, nyjet sanitare dhe në oborrin e shkollës është ndërtuar edhe fusha sportive.
Nga dita e sotme, nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle kanë kushte shumë më të mira për mbajtjen e procesit edukativo-arsimor, sepse objekti i ri i shkollës plotëson të gjitha standardet bashkëkohore për mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Urime dhe e gëzofshi shkollën e re!