Adil Fetahu

ADIL FETAHU: STATUTI I ‘”ZAJEDNICËS” I

Konteksti politik dhe juridik për themelimin e ‘Zajednicës’

Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës, i njohur si dokumenti i Ahtisarit (2 shkurt 2007), në Aneksin e Parë, në kuadër të decentralizimit (neni 8), parasheh se komunat do të gëzojnë shkallë të lartë të vetëqeverisjes. Në pikën (nenin8.4), theksohet: ‘Komunat kanë të drejtë për bashkëpunim ndër komunal dhe tej kufitar në fushat e kompetencave të tyre vetanake dhe të zgjeruara’’.

Në Aneksin III, pika 9.2:të dokumentit të Ahtisarit, është përcaktuar si vijon: ‘’Bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, komunat do të kenë të drejtë të formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet e komunave të Kosovës, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta në pajtim me ligjin’’.

Aty nuk parashihet formimi i asociacionit në baza etnike, por sipas interesave të komunave të cilat duan ta themelojnë asociacionin. Dhe këtu qëndron dobësia e ish autoriteteve të Kosovës, të cilët kanë pranuar dhe nënshkruar formimin e asociacionit në baza etnike, përkundër faktit se në dokumentin e Ahtisarit dhe në Kushtetutën e Kosovës (që është kryekëput ai dokument), Kosova trajtohet si shoqëri multietnike, dhe me shumë privilegje për etnitë pakicë, veçmas për serbët.

Edhe formimi i disa komunave serbe nuk ka qenë në pajtim me dokumentin e Ahtisarit. Sepse kriter për themelimin e komunave të reja me popullsi etnike joshumicë, ishte nëse ai komunitet përbënë së paku 75% të popullsisë së vendbanimit të përqëndruer me popullsi të gjithmbarshme prej së paku 5000 banorësh’’ .Këtë kriter (të vetin) nuk e ka respektuar as vet Ahtisari, kur  në shtojcën e Aneksit III,  ka përcaktuar formimin e  6 komunave të reja: Graçanicë, Novobërdë, Ranillugë, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut, sepse së paku tri prej tyre nuk i kanë pasur nga 5000 banorë.

Me presion nga Serbia dhe nga ndërkombëtarët, nga 15 pikat e Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 19 prill 2013, në gjashtë pikat e para është përcaktuar themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në Marrëveshjen tjetër të nënshkruar po ashtu në Bruksel më 25 gusht 2015, janë përcaktuar parimet e përgjithshme dhe elementet kryesore për themelimin, kompetencat dhe funksionimin e Asociacionit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me aktgjykimin e vet, dt.23 dhjetor 2015, ka vlerësuar se dispozitat e kësaj marrëveshjes së dytë në 23 pika nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Dhe këtu pastaj thyheshin shpatat e palës serbe e palës kosovare, me ndërhyrjet e faktorëve ndërkombëtarë, gjithnjë në krah të palës serbe, duke thënë se ajo që është nënshkruar duhet të zbatohet.

‘’Asociacioni’’ ishte fjala më e përdorur nga autoritetet e Serbisë, në të gjitha takimet ndërkombëtare dhe rrinte si shpata e Damokleut mbi qafën e përfaqësuesve të Kosovës në bisedimet me palën serbe, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. U bënë edhe disa verzione të statutit për asociacionin,  me autorë të ndryshëm, të njohur e të pa njohur, që lëshoheshin si tullumbace, për të matur pulsin e opinionit. Por, duket se Statuti të cilin përfaqësuesit ndërkombëtar ua paraqitën Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe kryetarit të Serbisë, A.Vuçiq, më 21 tetor 2023, është një tekst serioz që do të jetë bazë për themelimin dhe funksionimin e Asociacionit, sado që ka disa dispozita të papranueshme për palën kosovare. Ndërkaq, thonë se edhe Kurti edhe Vuçiqi janë deklaruar se ky statut ‘’është i pranueshëm’’. Dhe kjo është çudia e botës, kur dihen qëndrimet diametralisht të kundërta të njenit kundër tjetrit, ku gjetën këtu pikën e përbashkët që të pajtohen? Ndërkombëtart e lavdëruan këtë verzion si më i miri i mundshëm, dhe se në këtë mund të bëhen vetëm korrigjime kozmetike, dhe garantojnë se nuk përmban kompetenca ekzekutive dhe në asnjë   mënyrë nuk e rrezikon sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Po të shohim se çka përmban vërtetë Statuti i ri.

 Titulli i Statutit është:

STATUTI THEMELUES

I ASOCIACIONIT TË KOMUNAVE ME SHUMICË SERBE NË KOSOVË

Statuti i ofruar nga ndërkombëtarët, përmban 45 nene, të sistemuara në 7 kapituj:

Dispozita të përgjithshme  (neni 1 – 12)

Objektivat dhe detyrat (kompetencat) (13 – 23)

Struktura organizative (24 – 37)

Buxheti dhe financimi (38)

Buletini zyrtar (39)

Marrëdhëniet me autoritetet qendrore (40 – 44)

Dispozita kalimtare dhe përfundimtare (45).

Preambula e Statutit u referohet marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel më 2013 dhe 2015, ligjeve përkatëse të Kosovës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe Kushtetutës së Kosovës.

Pas përkufizimit të termave (neni 1), në nenin 2 par.3 shkruan: ‘’Asociacioni i themeluar me këtë statut, ofron një kornizë vetëqeverisëse për komunitetin serb të Kosovës brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale dhe nuk do të fitojë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare të saj. Korniza përfshinë mbështetjen e ofrimit të shërbimeve të koordinuara në fusha të veçanta, me mundësi për mbështetje financiare nga Serbia, dhe një kanal efektiv komunikimi të drejtpërdrejt për komunitetin serb të Kosovës në Qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal’’.

Statuti i paraqitet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, para se të miratohet (neni 3 pika 2). Pas përfundimit të shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese, komunat që duan të bëhen anëtare të Asociacionit, i dorëzojnë Ministrisë së pushtetit lokal listën e delegatëve (këshilltarëve) të cilët do ta përfaqësojnë komunën në Asociacion. Pas themelimit, Asociacioni do të jetë i hapur  për çdo komunë tjetër, nëse pranohet me 2/3 e votave të Kuvendit. Anëtaret e reja duhet ta pranojnë këtë Statut (neni 5:4). Anëtaret e Asociacionit mund t’i bashkohen (edhe) asociacioneve tjera kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin në fuqi (5:5). Asociacioni mund të shpërbëhet vetëm me vendim të Kuvendit (të Asociacionit, v.j.), të miratuar me 2/3 e votave të delegatëve të saj. Në atë rast, shpërbërjen e bënë Ministria e Pushtetit Lokal. Ndryshime të Statutit mund të propozojnë organet e Asociacionit ose komunat anëtare. Ndryshimet e propozuara i shqyrton Gjykata Kushtetuese, dhe (vetëm) pas vlerësimit pozitiv të Gjykatës, ndryshimet hyjnë në fuqi (6.2.). Asociacioni mund të ketë simbolet e veta: flamurin dhe stemën, të cilat shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese  (11:3). Asociacioni  ka subjektivitet dhe aftësi juridike në bazë të ligjit në fuqi, mund të ketë pronë të vetën të luejtshme e të paluejtshme, kompani në bashkëpronësi, për shërbime në suaza të fushëveprimit të vet, të lidhë kontrata, të padis dhe të paditet (neni 5). Por komunat nuk mund t’ia bartin pronat e paluejtshme në pronësi Asociacionit (6). Në pajtim me ligjet në fuqi, ka të drejtë të bashkëpunojë në suaza të kompetencave të komunave, me komunat dhe institucionet, duke përfshi edhe ato në Serbi, të merr ndihma financiare e pajisje, të liruara nga taksat dhe detyrimet. Mbështetjen financiare e mbikëqyrë Auditori Qendror (12:3).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …