leoni

Strategjia e Teknologjisë Informative hapërim drejt ekonomisë digjitale

Strategjia e Kosovës për Teknologji Informative adreson qartë orientimet dhe detyrimet për të gjitha palët në proces, në mënyrë që potenciali i Kosovës në ofrimin e shërbimeve të TI-së brenda dhe përtej kufijve të Kosovës të ndikojë në “Transformimin Digjital” të ekonomisë së vendit, u tha sot me rastin e lansimit të kësaj Strategjie.

Të pranishëm në lansimin Strategjisë së TI-së ishin kryeministri i vendit, Isa Mustafa, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Jan Braathu,  Përfaqësuesja e Ambasadës Gjermane në Kosovë, Henriette Kötter, përfaqësues të institucioneve tjera të vendit dhe kompanive të sektorit të TIK-ut.

Kryeministri Isa Mustafa tha se potencialet e ekonomisë digjitale mund të kontribuojnë pa masë në rritjen ekonomike dhe sidomos në fushën e punësimit dhe janë instrumente të jashtëzakonshme për rritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe rrjedhimisht ne të ardhmen nuk mund të paramendohet relacioni konkurrues, relacioni i inovacioneve, standardizimi, shkathtësitë punuese, pa ekonomi digjitale.

Ai tha se Qeveria është e përkushtuar të krijojë të gjitha mundësitë që të aplikohet revolucioni digjital, duke inkurajuar transformimin digjital të bizneseve ekzistuese dhe përkrahjen e më shumë bizneseve digjitale në vend.

Ndërsa, Ministri Blerand Stavileci theksoi se Strategjia i hap rrugë jo vetëm zhvillimit të sektorit të komunikimeve elektronike, por i vë bazat e forta dhe solide për një ekonomi të bazuar në dije, për një ekonomi e cila sot hapëron drejt ekonomisë digjitale.

“Strategjia e Kosovës për Teknologji Informative mbështetet në 9 shtylla dhe orientimi kryesor është që ne ta zhvillojmë tregun e brendshëm, po ashtu tregun e jashtëm sidomos për kompani, të cilat eksportojnë shërbime e po ashtu edhe fushën e inovacionit dhe të kërkimeve dhe hulumtimeve të aplikueshme”, tha ai.

Sipas tij, MZHE përveç fushave që mbulon, i ka kushtuar vëmendje të veçantë TI-së, madje disa prej objektivave i ka tejkaluar në kuptimin e zgjerimi e projekteve të rëndësishme, duke parë që ky sektor po hapëron sigurt drejt të ardhmes.

Ministri Stavileci potencoi edhe projektin ‘Ekonomia digjitale e Kosovës” që realizohet së bashku me Bankën Botërore, i cili ka 3 shtylla kryesore; infrastrukturën digjitale, edukimin digjital dhe bizneset digjitale, ndërsa shtoi se partnerë të ndryshëm kanë premtuar mbështetje për krijimin e Fondit për TIK.

Nga ana e tij, Ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu, ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për hartimin e kësaj Strategjie, duke e vlerësuar atë si një e arritur e madhe, që vjen si rezultat i bashkëpunimit të Qeverisë me sektorin e IT-së. Ai tha se STIKK është shembull shumë i mirë, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor por për Evropën Juglindore. Ky ka qenë partneritet i mirë mes Qeverisë së Kosovës dhe sektorit të TI-së.

Përfaqësuesja e Ambasadës Gjermane në Kosovë, Henr iette Kotter, tha se e kanë mbështetur këtë projekt duke besuar se sektori i IT-ve në Kosovë ka një potencial të madh të zgjerimit, mund të kontribuojë në rritjen e konkurrencës së Kosovës në tregun ndërkombëtar, për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ndërkaq, aspekte të Strategjisë së Kosovës për Teknologji Informative kanë prezantuar, Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi dhe

Lucas von Zallinger, Konsulent për GIZ.

Ndryshe, hartimi i kësaj strategjie është bërë në bashkëpunim me sektorin privat nëpërmjet STIKK (Shoqata për Teknologji Informative dhe Komunikuese e Kosovës), Universitetet dhe Ministritë tjera që kanë të bëjnë me TI, si dhe me mbështetjen e çmuar nga GIZ-i dhe Ambasada Norvegjeze.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …