Hajrush Kurtaj: Profesor Murtez Neziraj: “SI E PASHË LUFTËN” (Ditar dhe Kujtime)”, vëllimi  I,  nga veterani i UÇK-së, SHB “ SAS “ , Prishtinë, 2023   

Dita e sotme ka domethënie të veçantë për mua, bashkëluftëtarët e Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe popullin tonë. Sot e kemi në dorë veprën: Ditarin e luftës çlirimtare të bashkëluftëtarit tonë, profesor Murtez Neziraj, për gjërat më të veçanta dhe më të rëndësishme, të cilat mund të shërbejnë si dëshmi e rëndësishme, meqë vijnë nga ditarët e lënë në dorëshkrim nga dëshmorët, martirët, nga protagonistë ngjarjesh, pjesë e të cilave aty-këtu janë botuar. Por si të tilla janë shumë pak,  ditarët e luftës janë një pasuri që nuk kanë çmim. Megjithatë,  është fat i madh që në këtë luftë janë mbajtur dhe janë ruajtur disa prej tyre. Dhe, dihet mirëfilli se ditarët na mësojnë për kronologjinë dhe ecurinë e luftës sonë çlirimtare në Kosovë. Pra,  ditarët kanë një rëndësi shumë të madhe dhe shumë të veçantë. Në ditar aktivitetet ushtarake, luftarake paraqiten në rrjedhën e tyre kronologjike: dita, data, ora, rrjedha e aktivitetit, betejës, luftës në proces, ashtu siç është parë, ndier, përjetuar çdo  ngjarje nga pjesëmarrës, protagonistë, veprimet e të cilëve edhe mund të kenë ndikuar në betejë. Mendoj që institucionet tona, shkencore, si: Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik, Arkivi i Kosovës e sidomos Akademia e Shkencave dhe e Arteve e  Kosovës të bëjnë më shumë projekte konkrete dhe të veçanta, në mënyrë që të dilet në terren dhe të mblidhen, grumbullohen, sistemohen, të përgatiten dhe të botohen në mënyrë profesionale ditarët e luftës çlirimtare të Kosovës. 

     Mbështetur nga vetë titulli i këtij ditari, nuk do mend se e gjithë përmbajtja e tij  është e një arsenali të gjerë deri në detajet më të vogla dhe padyshim për nga rëndësia me vlerë të veçantë dhe të jashtëzakonshme, për faktin se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e  Kosovës është fjala më kuptimplotë e çdo ndryshimi në të mirë të kombit dhe atdheut.

     Autori, Profesor i Fizikës,  Murtez Neziraj, veteran i luftës së UÇK-së, këtë ditar të luftës do ta botojë në 5 vëllime e në vëllimin e parë, që sot e kemi në duar, përqendrohet, prej datës 7 mars 1999 – 10 prill 1999, prej faqes 1 – 515, DITAR DHE KUJTIME.  Vëllimi i parë, përshkruan ngjarjet më të rëndësishme të veprimtarisë së tij dhe të bashkëluftëtarëve  për këtë periudhë. 

Ditarin e tij, profesor Murtez Neziraj e fillon me gëzimin e madh nga momenti që merr ftesën për t’iu bashkëngjitur radhëve të UÇK-së dhe përgatitjet për të marrë rrugën luftarake që t’i shërbejë  vendit dhe popullit  në luftën  çlirimtare, kështu shprehet kushtimisht autori, ku tregon me emocione bisedat me familjen e tij, bisedat me luftëtarët e parë që takon e veçanërisht me eprorët e Komandës së Brigadës 162 “Agim Bajrami”, në momentin e takimit të parë dhe marrjes së detyrave luftarake. Më tutje autori  tregon momentin kur merr detyrat për mbajtjen e ligjëratave me ushtarët, ku ndjen kënaqësinë për vlerësimin e Komandës së Brigadës, që në cilësinë e profesorit të fizikës të mbajë ligjërata për mjetet mino-eksplozive, përgatitjen e minave dhe vendosjen e tyre,  por nganjëherë edhe detyrën e drejtuesit të oficerit kujdestar (respektimi i nivelit intelektual dhe përvojave të mëhershme ushtarake). Por, në veçanti ndjen përgjegjësi për këtë besim të marrë nga Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”.

Autori Murtez Neziraj,  shkruan për betejat: 10 gusht 1998 në Gabrricë, 28 shtator 1998 në Jezerc, 26 shkurt 1999 në Puset e Nikës, 28 shkurt 1999 në Gajre, 8 mars 1999 në Ivajë, 24 mars 1999 në Ivajë dhe Kotlinë, 9 prill 1999 në Nikaj, Rakoc dhe Lagje të Re të Kaçanikut.

     Ditari shënon qëndresën e njësiteve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, në veçanti heroizmin e dëshmorëve, flijimin e martirëve dhe sakrificën e popullit për liri.

     Me shumë rëndësi është evidencë e mbajtur gjatë  luftës. Atë e bëjnë ata që e sjellin luftën të shkruar në mjedisin e sotëm. Një veprim i tillë është vlerë, për faktin se historia jonë ka shumë nevojë për t’i marrë të gjitha veprimtaritë që janë kryer për interesat e atdheut e kombit. E, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë mbi vlerat, që duhet t’i marrë përmasat e vërteta që ka pasur, e këto vlera i merr në qoftë se bëjmë evidencën e duhur, si rasti i profesor Nezirajt për këtë vepër madhore që i dha historisë e ne si lexues i jemi falënderues.

      Ditarët kanë rëndësi të trefishtë: historike dokumentare, kulturore, publicistiko- letrare dhe  artistike, por rëndësia e tij historike dokumentare është më e madhja. Prej ditarit  do të kujtojmë një varg datash, do të gjejmë të dhëna që na tregojnë për fitore dhe dështime, por edhe zhvillime, heroizma e sakrifica të mëdha të kombit tonë. Në këtë ditar dëshmohen dokumentarë historikë përmes të cilëve mund të kuptohet si është bërë lufta çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë  e Kosovës, në çfarë vështirësish dhe me çfarë pengesash jemi ballafaquar. Në këtë ditar  autori, sjell ngjarjet që ka përjetuar nga afër. Ai reflekton për ngjarje, ku ka qenë i pranishëm ose që i ka marrë nga burimet e dorës së parë.

      Misioni i luftëtarit nuk përfundon me bërjen e luftës, por kur ata, protagonistët, e sjellin në kohë të shkruar. Askush nuk është i detyruar ta njohë luftën nëse nuk e shkruajmë. E detyrimi për të shkruar është në radhë të parë i atyre që e kanë bërë luftën.  Deshi fati që luftëtarët tanë  kanë qenë të shkolluar me  shkollim të mesëm, studentë,  por edhe me fakultete. Por, rasti i profesor Nezirajt dhe i shumë rasteve të tjera tregon dëshminë se në radhët e UÇK-së ka pasur edhe profesorë, arsimtarë, doktorë, infermierë, ushtarakë, policë etj., të të gjitha fushave.

      Një nivel të tillë shkollimi të luftëtarëve nuk besoj ta ketë pasur ndonjë ushtri çlirimtare në botë (kur kemi parasysh se lufta jonë është zhvilluar në fund të shekullit XX). Kështu që, të gjithë luftëtarët i kanë fuqitë intelektuale ta bëjnë këtë, të shkruajnë për luftën. Prandaj, askush nuk duhet të revoltohet se mund t’u humbet vepra, por secili ta tregojë atë. E them këtë se shpesh dëgjoj luftëtarët të thonë: “nuk ka qenë kështu…është apo s’është dashur të shtojë  edhe këtë…” Më së miri secili ta shkruajë si e ka parë ai personalisht.

      Ka raste kur flasin apo shkruajnë, flasin në vetën e parë, kjo është varfëri, por ajo që më bën të ndihem shumë mirë nga profesori i nderuar, bashkëluftëtari ynë Neziraj, më shumë shkruan për bashkëluftëtarët se sa për veten, shpeshherë edhe veprimet e tij ua atribuon bashkëluftëtarëve, gjë që tregon madhështinë e z. Neziraj. Këtë e thotë me modesti në fillim autori, citoj:

 “Ky libër i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë atyre njerëzve, të cilët në ndonjë mënyrë e përkrahën dhe e ndihmuan këtë, apo që së paku i  çmuan dhe i  deshën djelmoshat dhe vashat e maleve tona.” 

      Angazhimi i tij, që 24 vjet, duke kontaktuar çdo bashkëluftëtar apo qytetar për t’u siguruar se a ishin ato ngjarje si i ka shkruar, do të thotë shumë e mbi të gjitha përgjegjësi dhe korrektësi.  Këto sqarime i paraqet në fusnota, me të cilat edhe ia jep karakterin shkencor këtij punimi.

      Duke vlerësuar librin në fjalë, autori më ktheu në periudhën e krenarisë sime dhe bashkëluftëtarëve të mi, më ktheu në kohën e gjakut e të lavdisë së popullit tim, më ktheu në kohën e dhimbjes për humbjet e ushtarëve dhe eprorëve në fushëbeteja, më ktheu në atë kohë që matej me plumba të shkrepur, me territore të çliruara, me beteja të zhvilluara, më ktheu në atë kohë me fakte, dokumente, me përshkrime  të ngjarjeve ashtu siç ishin, si u zhvilluan, për të më shtuar krenarinë, për bashkëluftëtarë të zotë që kisha.

      Profesor Murtez Neziraj, veteran i luftës, duke na dhënë këtë ditar, shihet se ka bërë një hap serioz dhe të guximshëm për plotësimin e misionit të tij, për të vënë luftën në vendin që i takon. Ky është një akt që duhet përshëndetur dhe vlerësuar. Prandaj, bëj apel që nëse duam ta pasurojmë luftën, secili luftëtar të sjellë në kohë luftën ashtu siç e ka përjetuar vetë dhe siç e ka realizuar në vijat e frontit.

      Jam ndier shumë mirë kur kam gjetur në këtë punim edhe një hapësirë për të treguar se cili ishte kontributi i grave, nënave, motrave dhe vajzave tona të angazhuara në UÇK, por edhe i atyre që e kanë ndihmuar edhe  në forma të  tjera.

      Gruja shqiptare, gjatë gjithë historisë, ka dëshmuar që është grua me vlera unike që ka frymëzuar edhe autorë të shumtë ndërkombëtarë për të thënë, shkruar apo për të folur. Historia jonë kombëtare, me luftra e beteja dhe krijimtaria e jonë popullore-gojore, së bashku, ruajtën personalitet dhe portrete fizike e shpirtërore të gruas shqiptare, të cilat me shekuj ishin nëna, motra, bashkëshorte, por edhe luftëtare, që krah për krah me burrat, me djemt e me vëllezërit, luftuan vetëm e vetëm që ta mbrojnë dinjitetin e tyre dhe kombin, sa herë që i kanosej rreziku prej pushtuesve të trojeve dhe abuzuesve të nderit.

      Si Nora Kelmendi, Shotë Galica, Zahide Jashari, Xhevë Lladrovci, Aze Brahimaj, Fitnete Ramosaj, Myrvete Maksutaj, Hyrë Emini, Lumnie Raka, Jehona Raka, Mukadeze Lika-Muhaxheri, Emsale Frangu  dhe mijëra e mijëra bija të tjera të Kombit ishin edhe me pushkë në dorë krah për krah burrave e bijve të tyre edhe në vijën e parë të frontit.

      Edhe pse është ditar i tij personal, është bërë tentativë për ta kthyer në punim shkencor, ku të gjejnë vend të gjithë ata që autori i ka njohur ose ka marrë pjesë ndër beteja bashkë me ta, apo në operacione përgatitore për luftë. Kjo është një vlerë e madhe për të evidencuar gjithçka të mundshme.

      Theksoj  se, këtë  punim e përshkon fryma e dashurisë për atdheun e kombin, besimi për një jetë më të mirë dhe dëshirë për të dhënë kontributin, për të bërë të mundur dëshirat kombëtare shqiptare dhe për të arritur në lartësitë e nevojshme, për rritjen e portretit kombëtar. Madhështia e autorit, njëherit bashkëluftëtarit tonë Profesor Neziraj, qëndron në angazhimin e jashtëzakonshëm në detyra, me përgjegjësi të lartë, shumë i afërt me bashkëluftëtarë, me popull, e që ishte shembull dhe frymëzim për të tjerët në radhët e Brigadës 162 “Agim Bajrami”.

       Unë, duke falënderuar bashkëluftëtarin tonë Profesor Murtez Nezirajn,  njëherit autor i këtij ditari origjinal të luftës me titullin e pakontestuar: “Si e pashë luftën (Ditar dhe Kujtime)”,  i uroj së pari  shëndet në jetë dhe suksese për veprat e tjera në të ardhmen! Prandaj,  për luftën e UÇK-së,  në krye me Komandantin Legjendar Adem Jasharin duhet shkruar më shumë, se ishte epoka më e lavdishme që ndryshoi historinë njëqindvjeçare të kombit shqiptar, ku nga kjo epokë lindi edhe shteti i pavarur – Republika e Kosovës.

Kolonel Hajrush Kurtaj, fillimisht ushtar i lirisë, zëvendëskomandant, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”,  aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …