Fjala e Kryetarit Latifi në përurimin e librit kushtuar shkrimtarit Sulejman Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ishte i pranishëm në përurimin e librit kushtuar shkrimtarit Sulejman Krasniqi, ai ndër të tjera tha: Përshëndetje për Kryetarin dhe Kryesinë e LSHK-së, krijuesit dhe dashamirët e fjalës së shkruar si dhe për të gjithë pjesëmarrësit! Jam i nderuar që sot më është dhënë mundësia të prezantoj para jush me një fjalë rasti, ku po flitet e shkruhet për njërin ndër shkrimtarët më prodhimtar, krijimtarinë e të cilit e karakterizonte patos i lartë atdhetar. Në fakt jam edhe shumë i kënaqur që përsëri po flitet për Sulejman Krasniqin, jo pse ai lindi e u rrit në fshatin Hoçë e Vogël të rajonit të Rahovecit, por se ky vigan i letrave shqipe i përket kombit shqiptar dhe kombi po ia jep vendin e nderit që i takon. Pasuria e madhe letrare – artistike, vlera e madhe e romanit të tij historik, janë dhe do të mbeten përherë në thesarin e pasur të historisë shqiptare. Në respekt të kësaj vepre madhore, ne në Rahovec i kemi marrë disa vendime që i japin vendin e merituar Sulejman Kransiqit; emërtimi i bibliotekës komunale me emrin e tij, themelimi i çmimit letrar “Sulejman Krasniqi”, mbështetja e tryezave dhe organizimi i takimeve vjetore në ditëlindjen e tij më 7 dhjetor. Në këtë mënyrë kemi synuar bartjen te brezat e rinj të frymës atdhetare të këtij shkrimtari të madh, të cilin poeti ynë kombëtar Dritëro Agolli e cilëson si “Balzaku i letrave shqipe”. Duke folur e shkruar për Sulejman Krasniqin ne nuk po synojmë ta shkruajmë historinë, por po mësojmë nga historia. Po e lexojmë me vëmendje edhe një herë historinë tonë kombëtare, për figurat e shquara të historisë tonë, jo për t’u mburrur, por që të mos ngelim në klasë nga pasardhësit tanë. E, Sulejman Krasniqi ishte një nxënës i mirë dhe mësues i mirë i historisë. Figurat e shquara kombëtare, siç është Sulejman Krasniqi, e kanë dhënë provimin para historisë, ndërkohë që janë bërë vetë histori. Prandaj, ne duhet të mësohemi me faktin substancial që shkenca e historisë mban qëndrim objektiv ndaj figurave të caktuara historike, pavarësisht konjukturave politike. Identiteti ynë kombëtar është sintezë e të gjitha ngjarjeve, proceseve historike, luftërave e përpjekjeve për mbijetesë e për liri, është sintezë e zhvillimit tonë mendor, kulturor e shoqëror. Kjo nënkupton se ky identitet nuk është formuar brenda një epoke të caktuar historike, mirëpo shqiptarëve u janë dashur shekuj për ta ruajtur e zhvilluar qenien e vet kombëtare. Roli i individëve të caktuar është i pamohueshëm në tërë këto zhvillime të vetëdijes historike. Kombi shqiptar, pavarësisht kufijve administrativ, është një realitet i vetëm etnik, që ka kulturë, histori, kompaktësi të mendimit politik, veçanti dalluese me popujt fqinj dhe të përbashkëtat e tjera që e karakterizojnë civilizimin botëror. Në botë ekzistojnë popuj e kombe, me kulturë të stërlashtë, si edhe shumë popuj të tjerë, por që nuk kanë arritur të ndërtojnë identitet shtetëror, jo se u kanë munguar figurat historike, heronjtë apo emancipimi kombëtar, por se fatet historike kanë qenë në disfavorin e tyre. Shqiptarët këtë e kanë arritur me shumë mund e sakrifica, mbase edhe me pak fat historik. Këtij fati historik i ka kontribuuar në masë të konsiderueshme edhe shkrimtari atdhetar Sulejman Krasniqi. Nisur nga pozita aktuale që mbaj sot, them se politikanët, pavarësisht nivelit të përfaqësimit publik, nuk mund ta shkruajnë historinë. Një pretendim i tillë është larg synimeve të mia personale, mirëpo po përpiqem, që me bashkëpunëtorët e mi ta mësojmë më mirë historinë. Shkenca e historisë ka atribute të tjera dhe duhet të jetë e pavarur nga politika. Të vetëdijshëm për këtë rol që kemi, i kemi besuar shkencës dhe shkencëtarëve, duke i mbështetur në punën e tyre hulumtuese e krijuese. Financimi me fonde publike i projekteve, siç është përmbledhja me dokumente, vështrime kritike, recensione e kujtime “Për Sulejman Krasniqin”, nënkupton përmbushjen e obligimeve që kemi ndaj historisë dhe figurave tona historike e letrare. E dimë se kjo është e pamjaftueshme, por besojmë se në të ardhmen lexuesit tanë do të kenë në duar edhe materiale të tjera, vepra të botuara e të pabotuara të Sulejman Krasniqit. Dihet se ne nuk mund ta përcaktojmë hierarkinë e vlerave në historinë e letërsisë shqiptare, por këtë mund ta bëjë koha dhe disa vepra letrare i rezistojnë me kryeneçësi kohës. Mirëpo, ne vetëm mund të përqendrohemi në emra të përveçëm të letërsisë shqipe dhe në shëmbëlltyrën e tyre atdhetare. Vlerësimi i këtyre figurave dhe i veprave të tyre letrare është një sistem i hapur që nuk mund të përkufizohet as në kohë dhe as në hapësirë. Dhe këtu qëndron madhështia e krijimtarisë letrare e veprimtarisë atdhetare të Sulejman Krasniqit. Përgëzoj Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës për këtë botim, që po prezantohet pikërisht sot në Takimin letrar “Esad Mekuli” të një personaliteti të shquar të kulturës e letërsisë shqipe, duke besuar se nuk do të jetë bashkëpunimi ynë i fundit. Botimet e kësaj natyre na ndihmojnë të kemi një qasje më racionale dhe më përmbajtjesore në lidhje me jetën dhe veprimtarinë e Sulejman Krasniqit.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj!

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …