Kryesia e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vlerësuar se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues. Kryesia në mbledhjen e saj të parë, diskutoi për planin e punës, planin organizativ të partisë, si dhe për çështjet politike kryesore të vendit. Në lidhje me procesin e dialogut, Kryesia vlerëson se draft-statuti i Asociacionit duhet të kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues. Ky dokument, që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së, krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit tonë, si dhe jashtë rregullimit territorial.
