Prof.dr. Nebi Dervishi: Mehmet Aliu – Pashai i Egjiptit -Misirit (1769- 1849)

Muhamed Aliu- Pashai i Misirit dhe disa nga pinjollët e tjerë të dinastisë shqiptare në Egjypt (1805-1952) janë figura aq të mëdha e komplekse, saqë nuk mbetën aspak prapa, në mos qofshin edhe më të avancuar nga ato figura botërore që na lënë shpesh të mahnitur për bëmat e tyre.

Në historinë botërore njihen drejtuesit të shtetit që kanë dhënë kontribut në prosperitetin e vendeve të tyre, por janë shumë të rralla figura të tilla, burra shteti që kanë themeluar e drejtuar shtete e kombe të tjera, sikundër janë edhe përfaqësuesit e Dinastisë shqiptare të Egjyptit. Jemi të sigurt se vendi ku kontribuuan këto figura i ngre dhe i vlerson në nivelin e duhur këto gjigantë të historisë që për rreth 147 vjet themeluan dhe drejtuan këtë shtet të madh.

Në “biografinë” e një kombi shfaqen përherë dy anë të qëndrueshme, pra dy anë që bien më shumë në sy në tërë rrjedhat e kohëve dhe që në thelb bëjnë pjesën më të rëndësishme të historisë së tij. Trojet ku ngrihen strehëzat dhe përkundin djepat dhe mendjet e mëdha, i japin emrin, tiparet e veçanta, ato konfigurojnë forcën gjeneruese shpirtërore të atij populli. Emrat e atyre personaliteteve  radhiten  njëri pas tjetrit nëpër kohë, duke bërë në këtë mënyrë inventarin shpirtëror të kombit. Sa më i pasur të jetë ai me këtë radhë emrash, aq më vital dhe i ngritur shfaqet ai në historinë e njerëzimit.

Por të kesh një pasuri të tillë është vetëm njëra anë. Është iperativ kohe dhe domosdoshmëri të njihet ky lloj brumi që bënë pjesën më cilësore të ndërgjegjes së tij, sepse ky është produkt i gjeneratave të formuara nëpër kohë. Një ndër ato që rënditet në radhët e emrave të dëgjuar të oxhakut të kombit tonë është pa dyshimin më të vogël edhe Mehmet Ali Pasha. Ai qe një personalitet i rrallë, jo vetëm ndër shqiptarët, apo në përbërje të Perandorisë Osmane, por edhe më tej, madje shumë personalitete botërore të letrave e kanë trajtuar dhe cilësuar duke e ngritur lartë figurën dhe vlerat e tij, duke e emëruar si “Napoleoni i Lindjes së Mesme”.

Tërë këto vite kamë qenë kurreshtar duke i parashtruar shpeshë herë vehtes pyetjen: Si këto njerëz kishin arritur të bëheshin jo një dikushi çfardo, por personalitete shumë të mëdhenj në vend të huaj? Mendoja gjithashtu, jo pa keqardhje për vete e për ne: pse qëlluam kaq egoist, sidomos gjatë periudhës 50 vjeçare të monizmit, megjithëse edhe më pasë vazhdoi po e njejta traditë, që personalitetet kaq të mëdha të kombit (me famë botërore) ti mbulojmë me atë vellon e zakonshme të harresës, ndërkohë që në vendet e tjera i ngrejnë në piedestal edhe kur i kanë me piketore.

Viteve të fundit ka një interesim të shtuar të studiuesve shqiptarë që janë marrë me trajtimin e figurës madhore të Mehmet Ali Pashës, si: Aleksandër Xhuvani Prof. Pëllumb Xhufi, Jaho Brahaj, Muhamet Mufaku, Fatos Buxhaku, Shkëlzen Raça, Bajram Peçi, Nehat Islami, Nikoll Loka, Emin Azemi , Shkëlzen Halimi, , Dr. Faruk Borova, e ndonjë tjetër  me ndonjë portret, apo me ndonjë punim feltonistik.

Është koha që dy akademitë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë të bëjnë më shumë me ndonjë projekt gjithë përfshirës për të hartuar një monografi kushtuar këtij kolosi, shqiptari që drejtoi për 50 vjetë Misirin.

Gjatë kohës që z. Faruk Borova kryente detyrën e tij, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Lindjen e Mesme me qendër në Kajro në Egjypt, pati rastin që të studjonte dhe të kontaktonte personalitete të fushës së historisë dhe biograf të Mehmet Ali Pashës, si dhe të grumbullonte informacione dhe dokumente arkivore rrethë jetës dhe veprës së këtij prijësi me origjinë shqiptare, për të cilin vite më vonë hartoi një monografi titulluar “Dinastia shqiptare që sundoi Misirin (1805-1952).

Gjysma e dytë e shekullit të XVIII, në historiografinë evropiane e atë të Lindjes, tej Bosforit, dallohet për shfaqen e emrave të spikatur në fushën e kulturës, të artit ushtarak, të diplomacisë e të politikës. Të gjitha prerogativat për të spikatur një epokë të madhe, duket se Mehmet Aliu i kishte pasur shumë kohë më parë se të bëhej themelues i Egjiptit modern. Së pari, Mehmet Ali Pasha, i lindur në Kavallë të Greqisë, këtu e 245 vjet më parë (1769), do të rritet e edukohet në frymën e bëmave të papërsëritshme të Aleksandrit të Madh. Përveç kësaj, Mehmet Aliu e dinte fort mirë se kish prejardhjen shqiptare nga i ati i lindur në një fshat afër qytetit të Korçës, dhe se mu shqiptarët para tij kishin gëzuar lavdinë e luftëtarëve të njohur, në fushën e armëve të luftës.

Edhe pse i mbetur pa prind që  në fëmijëri të hershme, ai do të bëhej zot i vehtes duke u bërë një tregëtar i mirë duhani, ndërsa që në moshën 18 vjeçare arriti të bëhej bylykbash i suksesshëm në qytetin e lindjes.  Mehmet Aliu, nga tregëtia me duhan dhe nga ushtrimi i funkcionit të bylykbashit të Kavallës, do të përjetoi ngritje të vazhdueshme në hierarkinë ushtarake dhe politike në Perandorinë Osmane. Ai zuri miqësi me konsullin e Francës, i cili në djaloshin e ri hetoi potencë të madhe, duke i sygjeruar një drejtim tjetër veprimi, shumë më madhor, se atë të tregëtisë. Duket se që atëherë përfaqësuesi i Napoleon Bonapartës në Kavallë, është pikërishtë ai që do të lidhte për gjithnjë “Vezirin e Arbërisë” me Francën. Megjithatë, më 1800, Mehmet Aliu do të detyrohet për pakë kohë të hidhet kundër Francës, kur pa dëshirën e vetë me 300 vullnetarë nga Kavalla niset për në Misir. Përball memlukëve të dobët për qeverisje, i duhej dalur krahë Perandorisë Osmane, e cila sëbashku me Anglinë dhe Rusinë duhej ta dëbontë administratën ushtarake të Napoleon Bonapartës. Nga kjo ekspeditë në Misir, Pashai i ardhshëm i Egjyptit, nuk do të kthehej kurrë më në Kavallë, porse që atëherë do të shfaqej tek ai prirja e rrikthimit te rrënjët e të parëve. Në brigjet e Nilit njohu edhe shqiptarë të tjerë, vazal të dhunshëm të sulltanit, si: Abdyl Beun, Dalip Beun, Mustaf Pashë Gjiritin nga Pojani i Korçës, Sali Korçarin, Omer Vrionin, Rexhep Agë Shkodranin, si dhe shumë të tjerë. Që atëherë Mehmet Ali Pashë Misiri mbeti në lidhje veprimi me feudalët e dëgjuar shqiptarë të vilajetit të Janinës, të Manastirit, të Kosovës dhe të Shkodrës në konfrontim me pushtetin qëndror të Stambollit.

Në tetor të vitit 1808, sulltani i ri turk, Mahmuti II, thirri në Stamboll guvernatorët e provincave kryesore të perandorisë. Erdhën ato të Anadollisë dhe të Rumelisë, por munguan dy më kryesorët Mehmet Aliu i Misirit dhe Ali Pashë Tepelena. Në fakt këta të dy pashallarë shqiptarë nuk kishin arsye të shkonin në Stamboll e të diskutonin me sulltanin mbi të ardhmen e Perandorisë Osmane. Kishte kohë që ata ushqenin secili ëndrrën për tu shkëputur nga Porta e për të ndërtuar shtetet e tyre të pavarura. Mes të dyve, Mehmet Aliu ishte ai që shkonte më larg me ambicjet e tij. Ai ëndërronte të ndërtojë një perandori të tërë, mbi rrënojat e Perandorisë Osmane. Nëse ai nuk e realizoi këtë synim, arriti megjithatë ta kthej Egjyptin në një faktor të rëndësishëm të politikës regjionale dhe të plazmojë të ardhmen e tij si një shtet i zhvilluar laik e i moderuar.

Pra Mehmet Aliu lindi në Kavallë (Thesali) më 1769, nga prindër shqiptarë me origjinë nga Zemblaku i Devollit. Nëna quhej Zenepe dhe babai Ibrahim Aga. U martua në moshë të re , në vitin 1788 me Emine Hanëm, vajzën e Ali Pashë Masralliut. Emine Hanëmi qe gruaja e tij e parë dhe gruaja të cilën ai e respektoi më shumë nga të gjitha gratë e tjera. Nga martesa e tyre lindi djali i tyre i parë, Ibrahimi, më 1789 dhe pas tij plotë të tjerë. Nga Kavalla për në Egjypt, Muhamet Aliu largohet në vitin 1801, ndërkaq Emineja shkoi në Kajro shtatë vjetë më vonë, pra në vitin 1808. Pashai i Misirit u martua shumë herë, ndoshta 13 herë, madje disa martesa i pati të njëkohshme. Si musliman i devotshëm, ai kishte të drejtën të zbatonte traditën islame që lejonte martesën e njëkohshme deri me 4 gra. Nga të gjithë këto martesa sigurishtë lindi edhe shumë fëmijë, plot 30, nga të cilët Muhamed Aliu kishte më shumë përzemër djemtë, sepse ata do të bëheshin ushtarë të ardhshëm. Megjithatë prej tyre vetëm dy qenë kadifë (mëkëmbës): Ibrahim Pasha dhe Sait Pasha.

Muhamed Aliu ishte një ushtarë i thjeshtë, kur në vitin 1801 u dërgua në Egjypt, për të marrë pjesë në shtypjen e revoltave të memlukëve, zotër të vendit që prej shekullit të XIII. Në vitin 1804 në krye të jeniçerëve shqiptarë, ai i dëboi memlukët nga Kajro dhe në të njejtën kohë u shpall guvernator. Brenda viteve 1820-1840 ushtria dhe flota e Mehmed Aliut, nën komandën e djalit të tij po aq të shquar Ibrahim Pashës, u shfaqën sa në Kret e Peloponez, aq edhe në Lindjen e Mesme, duke kërcënuar vetë kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Në vitin 1831-1832, Ibrahim Pasha pushtoi tërë Palestinën, Libanin dhe provincën e Damaskut. Sulltani dërgoi për të shtypur shqiptarin rrebel, vezirin e madhë, Mehmet Rashit Pashën, i cili vetëm një vit më parë kishte masakruar në Manastir ajkën e parisë kryengritëse shqiptare. Por Ibrahim Pasha i shpartalloi forcat osmane dhe e vazhdoi mësymjen drejtë zemrës së Anadollisë, ku mori Konjën, Qytahjan dhe Bursën. Shqiptari energjik rrezikonte të sulmonte e të merrte vetë Stambollin, e në këto kushte sulltani bëri të pabërën, uli kokën dhe thirri për ndihmë armikun më të egër të tij, car Nikollën e Rusisë. Paqa e lidhur në Hunkiar Skelesi në vitin 1833 mes Mehmedit II dhe car Nikollës, e kthente praktikisht sulltanin në një vazal të carit rus. Futja me forcë e arrogancë e Egjyptit të Mehmet Aliut në kontekstin e politikës mesdhetare dhe poshtërimi prej tij i Perandorisë Osmane, rrezikonte të rikonfiguronte gjeopolitikën e të ndryshonte raportet e forcave, të vendosura pas luftrave të Napoleonit. Një gjë e tillë i shqetësoi Fuqitë e Mëdha të cilat u vunë para dilemës, të pajtoheshin me shpërbërjen e Perandorisë Osmane e të njihnin si fuqi partnere perandorinë e re të Mehmet Aliut, apo të ushtronin presion mbi pashain shqiptar që të hiqte dorë nga ambicjet e skajshme e të njihte sovranitetin e Sullitanit, kuptohet kundrejtë koncesioneve të arsyeshme. Franca, ku figura e Mehmet Aliut ishte bërë popullore dhe ku ai thirrej me simpati “Bonaparti musliman”, ishte i prirur ta mbështes atë. Në konceptin  e kryeministrit të Francës, Adolphe Thiers, një perandori e madhe egjiptiane do të thoshte shtrirje e influencës françeze në Lindjen e Mesme e në Mesdheun Lindor, duke ngushtuar sferën e ndikimit anglez, që në të kundërtën anonte nga Perandoria Osmane. Qëndrimi i ndryshëm ndaj guvernatorit shqiptar të Egjyptit i ndan keqas qeveritë e opinionet publike të Francës, Anglisë, Prusisë e Austro-Hungarisë. Në vitin 1840, gjithandej në Evropë ndjehej atmosfera e një konflikti të afërm që u arrit të evitohet në momentet e fundit. Dorëheqja e ministrit françez, Thiers i hapi rrugën kompromisit për çështjen e së ardhmes së Egjyptit. Në marrëveshjen e arritur në 15 korrik 1840 mes Fuqive të Mëdha, Egjypti kthehej në gjendjen e një province të Perandorisë Osmane, paçka me statut të veçantë. Në fakt, Mehmet Aliut iu njoh e drejta e pushtetit të trashëguar me titullin Kadiv, që e veçonte nga guvernatorët e provincave të tjera të perandorisë. Fillon kështu historia e dinastisë sunduese shqiptare të Egjyptit, që u mbyllë me shfronizimin e mbretit Faruk më 1952.

Po çka tjetër e bënë madhështor këtë sundimtar që themeloi Egjyptin Modern, i cili deri atëherë ishte shembull për të keq, një provincë plot anarki e reflekse prapambeturie? Dhe një tjetër çështje me rëndësi, doemos është, se çfarë ishin relacionet e themeluesit të Egjyptit me popujt e tjerë, para se gjithash me shqiptarët dhe grekët, përball pushtimit osman.

Mbase, e shumta e studjuesve  dhe e bashkëkohanikëve të tij bëjnë të ditur, se ai, si një shqiptar i thjeshtë që ishte dhe me sjelljen orjentale që kishte, pati gjithëherë aty ku lypsej nivel të lartë të tolerancës ndaj të tjerëve. Duke e ndjerë kështu më se të nevojshme me praninë e qytetërimit perëndimor ai preferoi pa luhatje kontakte të vijueshme me shumë diplomat e njerëz të ditur të kohës, me të cilët pati miqësi të madhe. Evropianëve, ndërkaq u mundësoi investime si dhe mbrojtjen e kapitaleve të tyre, me çka bëri çishte e mundur për ngritjen ekonomike të vendit të vetë. Nuk ishte e rastësishme që qeveria e tij përbëhej nga ekspertë të huaj, osmanë, shqiptarë dhe françez kryesishtë. Mbrenda atij kuadri ai mbështetet në ndihmën e përvojës së organizimit shtetëror të Francës, ndërsa françezëve u siguron si kundërshpërblim, mbështetjen e ekspeditave kërkimore në fushën e egjyptologjisë.

Është merita e shpirtit demokratik dhe e respektit të pashait shqiptar të Egjyptit ndaj shkencës evropiane, që françezi Shampulion në vitin 1822 deshifron hieroglifet e epokës së faraonëve. Dhe ky zbulim padyshim se u dha dorë egjiptologëve modelitete më të kapshme të përtrirjes së qytetërimit të Egjyptit të Lashtë.

Si gjithëherë, i matur përball të tjerëve dhe z’do mend si vazal i sulltanit, të cilin e urrente, por nuk jepte shenja të hapura armiqësore, ai ecjen e tij përpara e vrojtonte në funksion të rrethanave aktuale të raporteve politico-ushtarake të kohës.

Prandaj, nuk ishte e rastit që Mehmet Ali Pasha, me zemër të thyer, siç shkruan më vonë Myfit Libohova, nuk mundi ti përgjigjej me një “PO” ftesës së Ali Pashë Tepelenës, për një aleancë të përbashkët kundër Portës së Lartë. Për këtë moment historik, historiani e studjuesi Shkëlzen Raça në mes tjerash shkruan “supozoi se me rezon të posaçëm që kishte, ai (Mehmet Aliu) me të drejtë kishte menduar ende në çështjet e pazgjedhura të pjesës tjetër të Egjyptit që kontrollohej nga rebelët momlukë, me çka edhe hedhja në Pashallëkun e Janinës do mund ti shkaktonte dështimin përfundimtar të projekteve politike të tij. Megjithatë vdekjen tragjike të Ali Pashë Tepelenës e përjetoi edhe si tragjedi personale. Sipas shkrimtarit, historianit dhe analistit të njohur ushtarak osman, Ahmet Xhevdet Pashës, mësohet se kur Mehmet Ali Pasha mori lajmin e vrasjes së egër të “Luanit të Epirit” dhe djemve të tij, mblodhi për një çast fëmijët e vet, i informoi për aktin në Janinë, si një akt i pa precedentë në historinë e kohës.

Por pashai i zgjuar i Egjyptit do ti përshtatej si është më së miri rrethanave të inponuara pas vitit 1822. Atë tutje do ta tërhiqte ideja e intervenimit në Greqi, jo nga shkaku i vazalitetit ndaj sulltanit, por edhe për shkak të preardhjes së tij shqiptare, dhe mundësisë së vendosjes së këmbimit tregëtar ndërmjet Egjyptit dhe Detit Egje. Rrjedhimishtë pas rrebelimit të Jeniçerëve në Stamboll, ai pranoi ftesën e sulltanit në këmbim të postit të administratorit për Kretën dhe Morenë.

 Mehmet Aliu përfaqëson përpjekjen e parë e të suksesshme të një udhëheqësi musliman për të ndërtuar një shtet modern e laik. Në këtë drejtim ai parapriu tentativat që kryen në këtë drejtim reformatorë të mëdhenjë të botës muslimane, si Mustafa Pasha apo vetë Mustafa Qemal Ataturku.

Si prijës ushtarak, shprehet studjuesi e historian Pëllumb Xhufi, Mehmet Aliu i filloi reformat e veta modernizuese, pikërishtë nga ushtria. Me ndihmën e oficerëve françez që kishin qëndruar në Egjypt, pas ekspeditës së Napoleonit, në vitin 1801, ai iu vu punës për krijimin e një ushtrie “kombëtare” me fshatarë egjiptian të rekrutuar në shërbimin e rregullt ushtarak të drejtuar nga të huajt e të paisur me armatime perëndimore.

Mehmet Aliu u kujdes gjithashtu të kthente Egjyptin në një fuqi detare. Flota e tij për rrethë 20 vjet kontrollonte ujrat e Mesdheut Lindor, duke shqetësuar sa Perandorinë Osmane, po aq edhe “Mbretëreshën e detrave” Anglinë. Ai ngriti në Aleksandri një arsenal modern për ndërtimin e anijeve, ku ishin punësuar specialist e inxhinjer të shumtë të huaj, kryesishtë françez.

Mehmet Aliu zbatoi gjithashtu një reform agrare, që u hoqi mamlukëve, pothuaj të gjitha tokat duke ia kaluar ato shtetit, i cili ua ndante fshatarëve për ti mbjellë me porosi. Prodhimi i dorëzohej shtetit kundrejtë shpërblimit. Ky system i centralizuar i dha dorë prodhimit në shkallë të gjerë të produkteve që kërkoheshin jashtë, siç ishte rasti i pambukut fijegjatë, sotë e kësaj dite një krenari e eksporteve egjiptiane. Për intensifikimin e prodhimit të pambukut u thirrë nga Franca këshilltari françez Jumel. Zhvillim të madh njohu edhe prodhimi për eksport i mëndafshit natyral.

Aksioni reformator i Mehmet Aliut u shtri gjithashtu në përpjekje për modernizimin e administratës, për shfrytëzimin e burimeve natyrore të Egjyptit, për krijimin e industrive të reja, për hapjen e shoqërisë egjiptiane ndaj botës, për krijimin e një modeli arsimor modern (ai çoi për herë të parë me bursa shtetërore student egjiptian në Evropë) dhe për krijimin e një shtypi kombëtar.

Për të çuar përpara këtë vepër gjigante reformatore në një vend të prapambetur, si Egjypti i asaj kohe, Mehmet Aliu vuri në punë kapacitetet e specialistëve të huaj. Të tillë qenë: colonel Seve, që punoi për modernizimin e ushtrisë; ingjinier Linant de Bellefonds që filloi projekte gjigande për ndërtimin e digave e kanaleve gjatë rrjedhjes së lumit Nil; Dr. Clot u ngarkua me ngritjen e një sistemi shëndetësor sipas stilit evropian etj. Kuptohet që për të realizuar programin e tij të pashembullt modernizues, Mehmet Aliut iu desh të shkelte mbi paragjykimet e një shoqërie të mbyllur e të prapambetur. Shpeshë herë ju desh të përdorte dhunën. Por më në fund ia arriti të ngrejë një model, që dallohej së tepërmi nga pjesa tjetër e Perandorisë Osmane. Dhe në vitin 1839, pas një vizite pune në Egjypt, doktori anglez, John Boering, i raportonte kryeministrit të tij, Lordit Palmerston, se mes surprizave të shumta, ai ishte ndeshur në këtë vend me një fakt të pabesueshëm: në Aleksandri mbrenda mureve të arsenalit guvernatori Mehmet Aliu kishte urdhëruar ndërtimin e një materniteti, ku gratë muslimane i nënshtroheshin kujdesit të mjekëve të huaj. Në një kohë e në një vend tjetër, një gjë e tillë do të përbënte shkelje të moralit islam.

Udhëtarëve të huaj që patën rastin të takojnë Mehmet Aliun, nuk u shpëtoi karakteri i tij i hapur e liberal, që shumë pak përputhej me skemat e ngurta të karakterit islam. Në fakt, ashtu si edhe bashkëpatrioti e bashkëkohaniku i tij, po aq i shquar, Ali Pashë Tepelena, Mehmet Aliu nuk shquhej aspak për ndonjë pasjon a fanatizëm fetar. Përkundrazi ai pati problem të shumta me sektet e me lëvizjet fundamentaliste, siç ishte ajo Vehabiste, me të cilën ai u ndesh sa në Egjypt aq edhe jashtë tij. Në Arabi, Mehmet Aliut iu deshtë të luftonte për  7 vjetë me radhë (1811-1818), që të shtypte kryengritjet e Vehabistëve, të cilëve u mori qytetet e shenjta Mekën e Medinën.

Profili prej qeveritari laik i Mehmet Aliut u shfaqë qartë edhe në qëndrimin e tij ndaj konflikteve fetare, që kishin filluar të përgjaknin që në atë kohë Libanin. Ndryshe nga Perandoria Osmane dhe nga Anglia, që u përzien në këto konflikte  për të marrë anën e popullsisë muslimane, Mehmet Aliu ishte miku e mbrojtësi i popullsisë së krishtere të Maronitëve. Sundimi i tij i shkurtër në Liban u karakterizua nga një paqe e qëndrueshme , që kujtohet me nostalgji në vitet (1840-1860), kur historia e Libanit u shoqërua nga masakra e fakte të përgjakshme mes këtyre dy komuniteteve. Ndoshta edhe në kujtim të veprës pajtuese e të rolit mbrojtës, që pashai shqiptar i Egjyptit luajti ndaj pakicës së krishtere maronite, Fuqitë e Mëdha vendosën më 1861 t’ia besonin qeverisjen e Libanit një guvernatori të krishterë, të emruar nga Porta e Lartë. Kështu u krijua tradita e guvernatorëve të krishterë të Libanit, e më 1883 fati e solli që këtë rol ta luante një bashkëpatriot i Mehmet Ali Pashës, shkodrani Vaso Pasha.

Shqiptari Mehmet Aliu mbahet nga të huajt, si një personalitet që i dha qytetrimin evropian Egjyptit. Ai hapi shkolla të larta, që deri atëherë as që bëhej fjalë, ndërsa personalishtë nuk dinte as hartën e Evropës, madje as të fliste gjuhën e popullit që drejtonte. Në moshën dyzetvjeçare mësoj të shkruante e të lexojë. Mehmet Ali Pasha i hapi dyert tregtare Egjyptit me Evropën, çliroi të krishterët nga pagesat e detyrimet e tjera që i paguanin prej vitesh, vetëm nga të pranuarit një fe tjetër dhe u dha leje për ndërtimin e kishave. Tolerance e tij dhe etja për të bërë një Egjypt ndryshe, bëri që në qeverinë e tij të kishte shqiptarë, turq dhe shumë françez. Me ndihmën e tyre Mehmet Pashai ndryshoi sistemin e qeverisjes. Themeloi Këshillin e Shtetit, hapi ministri të reja, organizoi xhandarmërinë e policinë. Më tepër se 1000 anije përshkonin Nilin …”Gjithë mbretënia e Mehmet Aliut është një punë e rrallë dhe e çuditçme në histori të botës, është një varg triumfesh të papreme, një radh fitimesh së luftës e të diplomacisë, një postat i gjatë vullanjsh të shkëlqyshme, përpara të cilëve mbeti i habitur historitësi” – shkruan në librin e tij prof. Aleksandër Xhuvani në vitin 1921”.

Por pavarsishtë nga jeta aktive që bënte Mehmet Ali Pashai, babai i Egjyptit modern, në vitin 1848, u sëmur rëndë dhe nuk ishte në gjendje që ta drejtonte më vendin e tij. Më 1 shtator 1848 u detyrua të abdikonte, duke ia lënë fronin të birit, Ibrahimit, të cilin e kishte edhe bashkëpuntorit më të ngushtë dhe mjaftë të besuar. Por ndërsa Muhamet Aliu vazhdonte të ishte sëmur, mëkëmbësi i tij, Ibrahim Pasha, vdiq dhe froni kaloi tek nipi, djali, konkretisht tek Abaz Pasha, i biri i Tosum Pashës.

Më 2 gusht 1849, Mehmet Ali Pasha, në moshën 80 vjeçare vdiq në Aleksandri. Trupi i tij u mbështoll me një shall kashmiri, në kokë i vunë fesin tunizian dhe shpatën. Arkivoli i tij u përcoll nga 22 sheikë, që lexonin vargje nga Kur’hani deri kur mbërriti në xhaminë e Alabastrës, në Kajro, ku edhe u varros, mbreti i Egjiptit, i mbikquajtur edhe “Shqiptari i madh” dhe “shqiptari i çartuar” po edhe Bonaparta i Lindjes së Mesme (Egjiptit).

Këtë portret modest kushuar Mehmet Ali Pashës, shqiptarit me origjinë nga fshatrat e Korçës, me rastin e dy përvjetoreve; 245 vjetorit të lindjes (1769) dhe 165 vjetorit të vdekjes (2 gusht 1849) do ta përmbyll me fjalët e historianit e biografit M. Guin: “… Ai shpesh herë bëhej dhelpër e gjithmonë mbetej luan… Ai magjepsi e shkatërroi katër mëkëmbës mbretërish pa u trembur të ngjitej në një fron aq të dobët. Të ngjiteshe aty ishte një kryevepër e të qëndrojë ishte një mrekulli”.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …