Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e fundit për vitin 2023, në të cilën pritet të shqyrtohen edhe dy rekomandime që kanë të bëjnë me pezullimin e dy partive politike, Lëvizjes për Bashkëveprim dhe Partisë Socialdemokrate. Sipas KQZ-së, arsyeja e pezullimit të këtyre dy partive politike vjen për shkak se ato nuk mbajtën kuvendet e tyre zgjedhore brenda afatit ligjor. Gjithashtu, sipas sqarimeve nga KQZ, partitë politike të regjistruara në Kosovë, e kanë për obligim ligjor që të mbajnë kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partisë dhe pastaj së paku çdo 48 muaj. “Sipas rekomandimit që do të shqyrtohet në KQZ, këtyre partive politike u jepet një afat shtesë prej 45 ditësh që ta mbajnë konventën, kuvendin e tyre zgjedhor”, ka thënë Valmir Elezi.