leoni

Finalizohet “autostrada” energjetike Shqipëri-Kosovë

Është finalizuar projekti më i rëndësishëm energjetik Linja e interkoneksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, e cila ka një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km në territorin e Kosovës, duke i hapur kështu rrugë tregut të përbashkët të energjisë.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit që u zhvillua në NS Tirana 2 ishin Kryeministrat Edi Rama e Isa Mustafa, Ministrat Damian Gjiknuri e Blerand Stavileci, përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, KfW-së dhe drejtues të operatorëve të sistemit të transmisionit të dyja vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha me këtë rast se përfundimi i punimeve në pjesën e Shqipërisë, shënon kompletimin e autostradës energjetike prej 400 kV ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Energjia është shtyllë e jona tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Kemi nevojë për energji stabile dhe të bollshme për biznese dhe ekonomi familjare, si parakusht i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe si parakusht i mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha Mustafa, duke shtuar se kjo është një vepër e madhe e një tregu të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës, do të zgjerohet më tutje edhe në vende tjera në Evropën Juglindore, por edhe në Evropë në tërësi.

Ndërsa, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se me projektin e interkoneksionit 400 kV mes dy vendeve po krijohen premisat themelore për një treg të përbashkët të energjisë, duke krahasuar atë me rrugën e kombit.

“Inaugurimi i kësaj linje është nisja e një kapitulli të ri për integrimin e të dy vendeve. Sot shohim me krenari sa shumë kemi bërë për t’u afruar dhe për t’i dhënë hapësirës tonë të përbashkët fuqi dhe portencial zhvillimi, përmes një integrimi të gjithanshëm, duke filluar nga energjia e duke vazhduar në të gjithë sektorët”, tha Rama.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se integrimin ekonomik të të dy vendeve tona që po bëhet gjithnjë e më real dhe më i prekshëm, e tregon edhe projekti i sotëm i autostradës energjetike,  e cila është në linjë me politikat e Bashkimit Evropian dhe në pajtueshmëri me iniciativën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Bashkimi i tregut të energjisë është një projekt që tashmë po merr formën finale, i cili i hap rrugë interesit strategjik të të dy vendeve tona drejt integrimit bilateral të tregut të energjisë dhe në fazën tjetër në integrimin rajonal”, tha Stavileci.

Stavileci tha se përveç linjës së interkoneksionit, Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmarrë hapa konkretë të transformimit të sektorit të energjisë, duke përmendur memorandumin për mundësinë e bashkëfinancimit të projekteve të përbashkëta gjeneruese, bashkëpunimin për krijimin e bursës së energjisë në Shqipëri dhe aplikimin e përbashkët për studimin e fizibilitetit për gazin.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri tha se inaugurimi i kësaj vepre në prag edhe të Samitit të Parisit do të bindë shumë shtete të Bashkimit Evropian që investimet në rajonin tonë janë të domosdoshme dhe shtetet e kanë vullnetin për të bashkëpunuar dhe për t’i realizuar ato në kohë.

Përfaqësuesi i Ambasadës Gjermane në Tiranë, vlerësoi se ky është një hap mjaft i suksesshëm për të rritur sigurimin e furnizimit me energji në Shqipëri, Kosovë dhe në tërë regjionin.

Projekti ka vlerën 75 milionë euro dhe u financua nga Qeveria Gjermane përmes bankës KfW nëpërmjet kredive të zhvillimit. Me linjën e interkoneksionit 400 kV, Shqipëria dhe Kosova do të mund të përfitojnë për shkak të kombinimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Shqipëria e bazon prodhimin e energjisë në 95 për qind nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …