( Në njëzetë e njëvjetorin e ndarjes nga jeta)
Sot është 6 korriku i vitit 2015, një ditë krejt e zakonshme e vitit për shumë kë, por jo edhe për familjarët, shokët, miqtë dhe bashkëveprimtarët e Ahmet Haxhiut, veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, pararendësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ahmet Haxhiut – Bacit, njeriut, ndaj të cilit gjithnjë ndjehem borxhli për t’i thënë dy tri fjalë për jetën dhe veprën e tij, të paktën në përvjetorët e ndarjes së tij nga jeta, prandaj edhe sot, kur po bëhen 21 vjet nga ndarje e tij prej nesh do të përpiqem t’i them ca fjalë për këtë figurë madhore të historisë së popullit shqiptar. Mirëpo,
Të flitet për jetën dhe veprën e Ahmet Haxhiut, për punën e tij të palodhshme prej atdhetari, pos që është privilegj dhe nder i madh, është edhe përgjegjësi e madhe sepse ka aq shumë për të thënë sa është e pamundur të përfshihen të gjitha në një shkrim përkujtues siç është ky i sotmi.
Ahmet Haxhiu – Baca rrjedh nga familja Zullufi, e Lupçit, e cila në vitin 1921, pasi që pushtuesit serbë i marrin tokë e shtëpi, e merr rrugën e mërgimit për në Turqi nga ku kthehet pas gjashtë muajsh, por jo më në Lupç, por në Prishtinë ku e blenë një shtëpi të vjetër në të cilën më 6 maj të vitit 1932 do të lindet Ahmet Haxhiu.
Ende pa i mbushur nëntë vjet, familja i ballafaqohet me bastisjet e pushtuesve gjermanë, të cilët ia arrestojnë babain, Shaipin, dhe e dërgojnë në burgun e Mitrovicës prej nga, i ndihmuar nga Pajazit Boletini, komandant i xhindarmërisë në Mitrovicë, arratiset dhe iu bashkohet njësive partizane të Kosovës, të komanduara nga Mutafë Hoxha. Në dhjetorin e vitit 1944 pas masakrës në Ferizaj me ç’ rast pa gjyq u pushkatuan 74 kryengritës shqiptarë, dezerton dhe iu bashkohet njësive të Adem Gllavicës në radhë të të cilave qëndron deri në fund të vitit 1945, kur në një përleshje me forcat e OZNA-s vritet te Guri i Kullës në Zabel të Sankocit.
Pas daljes së babait në mal dhe rënies së tij, për edukimin e Ahmetit u kujdesen axha Smajl dhe nëna Emine, bijë e familjes Lala nga Gllamniku, familje kjo e njohur për tradita liridashëse.
Me që axha ishte plak dhe nëna invalide, që në moshë të re Ahmetit i bie të ballafaqohet me valët e jetës, të cilat ishin shumë të pamëshirshme ndaj tij dhe familjes. Për të siguruar bukën për vete, nënën, katër motrat dhe axhën u detyrua t’i ndërroj profesionet njërin pas tjetrit prej „karrocierit“, farkëtarit, e deri te automekaniku.
Që të ballafaqohet me tërë egërsinë e pushtuesëve serbë, për të parën herë i bie akoma pa i mbushur katërmbdhjetë vjetë, në tetorin e vitit 1946 kur me qëllim që të mësojnë ndonjë hollësi për babain dhe shokët, OZNA e arreston dhe për dy javë rresht torturuan në mënyrë çnjerëzore.
Nga kjo kohë arrestimet do ta përcjellin deri në fund të jetës. Arrestimi i dytë do t’i vije deri sa e kryente shërbimin ushtarak, në vitin 1952, po për të njëjtat arësye. Në burg mbahet gjashtë muaj dhe në fund lirohet i pafajshëm me që asgjë nuk kishin mundur të nxirnin nga ai.
Vrasja e babait, të cilit as varrin nuk ia dinte dhe padrejtësitë që ushtroheshin mbi popullin shqiptar, në jetën e tij kishin lënë gjurmë të pashlyeshme, prandaj, duke mos mundur të gjejë qetësi, përpiqej të gjente shokë dhe bashkëmendimtarë që ta luftonte këtë të keqe. Interesimi i tij që të bënte diçka dhe shoqërimi i shpeshtë me Adem Demaçin ndikuan që ai të përcaktohej për rrugën e luftës për liri, së cilës deri në fund të jetës nuk do t’i ndahet.
Burgosja e Adem Demaçit për herë të parë në fund të viteve 50-ta do ta godas rëndë dhe në fillim të viteve 60-të kur ai del nga burgu, Ahmet Haxhiun do ta ketë pranë: shok dhe bashkëpunëtor, anise ishte e vështirë jo vetëm t’i gjendeshe pranë, por edhe kokën ta ktheje nga ai.
Në fillim të viteve 60 kur në Kosovë filloj të veprojë grupi politik në krye me gazetarin dhe shkrimtarin e talentuar, ish të burgosurin politik, të sapodalë nga burgu, Adem Demaçin, Ahmet Haxhiu bashkë me Zeqir Gërvallën, Azem Beqirin, Abdyl Lahun, Ilmi Rakovicën, Fazli Grajçevcin dhe Rexhep Elmazin do të jetë njëri nga pjesëtarët e bërthamës së parë të këtij grupi politik, nga i cili nëntorin e vitit 1963 doli LRBSH-ja.
Në shkurt të vitit 1964 Adem Demaçi e shkruajti programin dhe statutin e organizatës, me çka i dha kahjen që duhej ta kishte lëvizja kombëtare në trojet e pushtuara shqiptare. Organizata u shtri në gjithë hapësirën shqiptare të pushtuar. Në të gjitha aktivitetet krah i fortë ishte edhe Ahmet Haxhiu, i cili kur ishte fjala për popullin dhe atdheun nuk kursehej, nuk ngurronte dhe nuk kërkonte asgjë për vete por krejt çfarë kishte si pasurinë, dijen, shëndetin e më në fund edhe jetën e vet ishte i gatshëm ta ipte.
Në mars të vitit 1964 Ahmeti e bleu një makinë shkrimi për nevoja të organizatës, mirëpo mungonte shaptilografi që ishte aq i nevojshëm, mungonte pëlhura dhe ngjyra, mungonin mjetet për punë. Mungonin edhe të hollat për lëvizje nga qyteti në qytet për kontakte mes anëtarëve të organizatës. Gjithçka mungonte pos vullnetit, i cili gjithnjë mbetej më i fortë se të gjitha mundësitë e anëtarëve të LRBSH-së, prandaj Ahmet Haxhiu e kishte ngritur çështjen e shitjes së shtëpisë për nevoja të organizatës në çka e pengon Adem Demaçi, por jo edhe në shitjen e një pjese të oborrit, anise nuk kishte pasuri tjetër.
Nga fundi i marsit të vitit 1964 organizata vendosi që në tërë Kosovën të shpërndajë flamurin kombëtar, ndërkaq vendimi u zbatua në natën mes 12 e 13 prillit. Në këtë aksion Ahmet Haxhiu jo vetëm se ishte pjesëmarrës politik, por ishte edhe njëri ndër realizuesit praktik të aksionit, sepse pos që e bleu pëlhurën, i bëri edhe shkopinjtë e gozhdat si dhe provat se si ato do të nguleshin nëpër shtylla për t’i mbajtur flamujt.
Ky ishte aksioni më i madh politik që ishte kryer ndonjëherë në Kosovën e pasluftës së dytë botërore.
Pas rreth katër muaj hetimesh, UDB-ja iu ra në gjurmë kryerësve dhe më 8 qershor të vitit 1964 i bëri arrestimet e para. Ahmet Haxhiu, me që nuk u gjend në shtëpi, iu shmang arrestimit. Për rreth dy javë lëvizi nëpër rrethin e Prishtinës, vuri kontakt me disa nga shokët që ishin mbetur jashtë, u nis drejt Prizrenit me qëllim të kalimit në Shqipëri, por me që nuk ia doli, përsëri u kthye në rrethinën e Prishtinës, nga ku pas disa ditësh me trenin e mbrëmjes nga Fushë Kosova u nis drejt Perëndimit. Zagrebi ishte stacioni i radhës. Aty gjeti punë në punëtorinë e Zenel Dobrunës nga Gjakova dhe u ndal të punonte sa për të fituar ca të holla që i duheshin për rrugë. Synim e kishte Austrinë, por nuk ia doli nga se UDB-ja i ra në gjurmë dhe mëngjesin e 8 gushtit të vitit 1964 e arrestoi.
Ishte ky arrestimi i tretë i Ahmet Haxhiut, i cili këtë radhë e mori një denim mjaft të rëndë. Sa i përket qëndrimit të tij në hetuesi, në gjyq dhe në burg ai ka qenë shembull me që asgjë nuk ka dalur prej tij. U dënua me dhjetë vjet burg nga të cilat i mbajti katër, ngase pas Plenumit të VI –të të Brioneve (korrik 1966) u bë rishikimi i dënimeve politike dhe dënimet deri në dhjetë vjetë, u përgjysmuan, përfshirë edhe atë të Ahmet Haxhiut. Dënimin e mbajti në burgun e Nishit.
Në vitin 1968 doli nga burgu, por nuk shkoi më shumë se një vit dhe përsëri, pas dasmës së Hyda Dobrunës në Gjakovë, në të cilën u dyshua se u përgatit diçka kundër Jugosllavisë, e arrestuan, por nuk e mbajten gjatë. Ishte kjo burgosja e katërt e tij.
Ai e vazhdoi punën dhe puna e tij e bëri njeri me autoritet dhe të respektur kudo, autoritet ky të cilit UDB-ja ia kishte frikën, prandaj edhe përpiqej ta rrënonte.
Në vitin 1975, një muaj para se ta burgosnin Adem Demaçin për herë të tretë, e burgosin Ahmet Haxhiun dhe e lirojnë pas arrestimit të Demaçit. Këtë radhë jo pse kishte zbuluar ndonjë veprim i tij, por siç u tha, UDB-ja ia kishte frikën, andaj edhe përpiqej që figurën e tij prej njeriu dhe atdhetari të paepur ta rrënojë, por kjo ishte figurë që nuk rrënohej dhe njollosej lehtë.
Për këtë Adem Demaçi thotë: „Ata janë përpjekur që në biografinë e Ahmet Haxhiut ta vejnë një njollë të zezë, mirëpo njollën e zezë e kanë vënë jo në biografinë e tij, por në biografinë e atyre që janë përpjekur t’ia vënë atij, dhe të atyre që iu kanë besuar.“
Vitet nën dhunën dhe represionin serb vazhdonin. Zgjedha serbe sa vinte e rëndonte më shumë, por edhe shqiptarët përpiqeshin që të organizoheshin sa më shumë e sa më mirë që ta heqnin qafe këtë zgjedhë. Organizimet nuk kalonin pa rënë në sy të UDB-së. U burgos Adem Demaçi me shumë shokë, ndërkaq Ahmet Haxhiu mbeti jashtë burgut. Ai vazhdoi tutje punën duke shpërndarë afishe dhe trakte pa shikuar se të cilës organizatë ishin. Mjaftonte të ishin kundër Jugosllavisë.
Në majin e vitit 1977, në emër të një organizate të quajtur “Çlirimi Kombëtar e Shoqëror“ bashkë me Avdyl Mustafën e harton një trakt, përmes të cilit kërkon lirimin e të burgosurve politikë shqiptarë. Traktin në Prishtinë e shpërndajnë Avdyl e Hamdi Mustafa dhe Shaip Haxhiu, kurse vetë Ahmeti nga posta kryesore e Prishtinës ia dërgon qeverisë Jugosllave. Edhe në vitin 1978 Ahmet Haxhiu e organizon shpërndarjen e trakteve të përgaditura nga Jusuf Gërvalla, me kërkesë për lirimin e të burgosurve politik shqiptarë, me theks të veçante për lirmin e Adem Demaçit.
Pranvera e vitit 1981 Ahmet Haxhiun e gjenë si gjithnjë shumë aktiv. Ai vazhdonte rrugën e vetë prej veprimtari të palodhur në organizimin e masivizimin e demonstratave. Fotografonte dhe inxhizonte e pastaj ato i përcillte jashtë vendit. Përmes ambasadave dhe konsullatave në Beograd, Sofje, Selanik, Athinë, Stamboll e Ankara përcillte edhe shkresa tjera për gjendjen në Kosovë. Në këtë drejtim kishte nisur bashkëpunim edhe me profesorin Masar Stavileci.
Vrasja e Jusuf e Bardhoshit Gërvallës dhe Kadri Zekës janarin e vitit 1982 e godet shumë, por bashkimi i organizatave ilegale nga të cilat doli LPRSSHJ, i jep forcë dhe e gjallëron.
Në vitin 1985 bie në kontakt të drejtpërdrejtë me LPRK-në, dhe kur arrestohen shumë anëtarë të kësaj organizate, e shumë të tjerë kalojnë në ileglitet, ai angazhohet për strehimin e e tyre në bazat që i kishte krijuar në Dyz te Nazmi Llapashtica dhe Sabri Uka, në Kastriot te Sahit Krasniqi, por edhe në shtëpinë e tij në të cilën pos që u strehuan ilegalët, u strehua edhe një pjesë e mirë e teknikës me të cilën shtypeshin afishet dhe traktet e më vonë, nën përkujdesjen e Afrim Zhitisë dhe Fadil Vatës edhe „Rruga e Lirisë“ dhe „Minatori“.
Arrestimet sollën edhe shkëputjen e lidhjeve. Ahmet Haxhiu në shkurt të vitit 1986, me pasaport të Hamit Mustafës udhëton fillimisht në Berlin pastaj në Zvicër, në kërkim të lidhjeve. Në Zvicër i gjen Xhavit Halitin, Emrush dhe Mustafë Xhemajlin, Avni Deharin e shokë tjerë. Lidhjet mes veprimtarëve brenda e jashtë vendit u vunë sërish.
Në korrikun e vitit 1987 në cilësinë e delegatit merr pjesë në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme të LPRK-së, e cila u mbajt në Zvicër. Po këtë vit, kur Serbia përpiqej që flamurit kombëtar të ia ndërronte pamjen, me iniciativën e Ahmet Haxhiut edhe një herë e tërë Kosova u stolis me flamurin kombëtar.
Në vitin 1988, në prak të Konferencës së ministrave të jashtëm të vendeve ballkanike që do të mbahej në Beograd, bashkë me Abdyl Mustafën, në emër të LPRK-së e përgadisin një memorandum, ndërkaq me Adem Mustafën, si babë e djalë, me 21 janar të vitit 1988 nisen për Stamboll dhe nga aty, të shoqëruar nga Njazi Straja dhe Shaban Burica e dorëzojnë në konsullata dhe ambasada të shteteve ballkanike në Stamboll dhe Ankara. Njësoj veproi edhe në vitin 1989 kur në Beograd u mbajt Samiti i Vendeve të Painkuadruara, të cilit ia dergon një Apel, të hartuar nga profesori Masar Stavileci.
Edhe në Mbledhjen e Dytë të Përgjithshme të LPRK-së, të mbajtur në Zvicër tetorin e 1989, Ahmet Haxhiu do të jetë delegat, këtë herë bashkë me Fadil Vatën dhe Arif Seferin.
Vrasja e Afrim Zhitisë dhe e Fahri Fazliut më 2 nëntor të vitit 1989, vdekja e Fadil Vatës disa muaj më vonë dhe shumë vrasje tjera, si dhe mbytja me tortura e Arif Seferit në burgun e Kumanovës, do ta godasin rëndë Ahmet Haxhiun, por nuk do ta thejnë.
Veprimtarinë e vazhdonte ndër të tjera edhe duke u kujdesur njëkohësisht për shokët e burgosur dhe familjet e tyre, për familjet e shokëve të rënë dhe rregullimin e varrezave të tyre.
Në vitin 1991 Ahmet Haxhiu bashkë me Xhavit Hazirin e Xhavit Halitin u takuan me Presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alinë, nga i cili marrin përkrahje morale dhe premtime se do të ndihmohet Kosova në rrugën e saj për çlirim dhe pavarësi.
Në vitin 1991 kur në Ujmir të Klinës u mbajt Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e LPRK-së, në të cilën iu vunë themelet UÇK-së, Ahmet Haxhiu do të jetë njëri ndër anëtarët e Grupit të Organizimit dhe Riorganizimit. Si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPRK-së punoi në organizimin dhe riorganizimin e radhëve nëpër rrethe. Terenit nuk i përtonte dhe kudo që paraqitej nevoja, ai ishte aty.
Edhe në Mbledhjen Konsultative të LPRK-së, të mbajtur në prill të vitit 1993, në Kollarë të Kërçovës, me përfaqësues nga e gjithë hapësira shqiptare e pushtuar dhe mërgata, u shqua me diskutimet e veta shumë konstruktive.
I bindur thellë se çlirimi i atdheut nuk bëhët vetëm me luftë politike por armikut duhet kthyer edhe tytën, gjithnjë kërkonte nga Dega LPRK-së Jashtë Vendit që të siguronte sa më shumë mjete dhe armë për radhët e organizuara. Udhëtimet e shpeshta për Zvicër i ishin bërë rutinë. Vajtje-ardhjet e tij nuk bëhëshin vetëm për informata apo instruksione. Ato i bënte për bartjen e armëve, të blera nga LPRK. Sa i sillte ato, ua shpërndante Këshillave të Rretheve, i depononte nëpër baza të ndryshme mes të cilave ishte edhe shtëpia e tij dhe kujdesej për mirëmbajtjen e tyre.
Në mesin e armëve që ruheshin në shtëpinë e Ahmet Haxhiut ishin edhe 6 mitralozë të rëndë, të cilët do të përdoreshin në luftën e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, njëri prej të cilëve e stolisë krahrorin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Në fund të vitit 1991, pas përleshjeve mes trupave serbe dhe Familjes Jashari, nga Drenica vijnë kërkesa për më shumë armë. Ahmet Haxhiu i bindur se armët duhet të shkojnë aty ku më së shumti duhen, i mbledhë nga Këshillat e Rretheve të LPRK-së dhe i dërgon në Drenicë.
Armët e fundit të cilat u sollën nga Ahmet Haxhiu, dhe u ruajtën nëpër tuba gazi, në shtatorin e vitit 1998, vetëm pak ditë para se të kidnapohej nga forcat serbe Xhavit Haziri, në shtëpinë e tij, Shaip dhe Smajl Haxhiu, të dy bijë të Ahmetit, ia dorëzojnë Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit për njësitet e UÇK-së.
Në mëngjesin e dy gushtit të vitit 1993, ende pa gëdhirë mirë, Ahmet Haxhiun e arrestuan bashkë me të birin, Smajlin dhe shumë shokë të tjerë.
Edhe pse i sëmurë, mbi Ahmet Haxhiun u ushtruan tortura çnjerëzore. Njësoj edhe mbi shokët e tij. Ai, duke i parë shokët se si i kishin katandisur, jo që ta shpëtoj vetveten nga torturat, por që pushtuesit t’i nxjerrë para akuzës për krimet që ishin duke i bërë, tenton të bëjë vetëvrasje. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes, nga burgu i Prishtinës e transferojnë në QKU dhe nga këtu në CZ – në famëkeqe të Beogradit. Pas disa ditësh, ngase të gjitha analizat dhe raportet mjekësore tregonin se nuk e kishte të gjatë, për të mos e marrë përgjegjësinë për vdekjen e tij në burg, e liruan nga burgu, por jo edhe nga akuzat.
Përmes rrugëve ilegale shkoj në Tiranë dhe në Zvicër për trajtim mjekësor, por edhe përkundër përpjekjeve të mjekëve, gjendja gjithnjë e më shumë iu përkeqësua. Duke qenë i vetëdijshëm për gjendjen e tij, vendosi të kthehej në atdheun e tij, për të cilin kishte luftuar tërë jetën.
Për të fundit herë në aeroportin e Gjenevës, me 1 korrik të vitit 1994, nga shumë shokë dhe bashkëveprimtarë, mes të cilëve edhe nga shoku i vjetër Ramadan Shala, u nda me fjalët „Amanet Kosovën!“
Në aeroportin e Shkupit e priti miku i tij më i mirë, Adem Demçi, ndërkaq në Kosovë e pritën shokët tjerë me të cilët e kishte kaluar gadi një gjysëm shekulli veprimtarie, kurse mëngjesin e 6 korrikut të v. 1994 Ahmet Haxhiut – Bacit aq të dashur të të gjithë ilegalëve të Kosovës, i pushoi së rrahuri zemra e tij e madhe.
EPILOG
Më pak se një muaj para se Ahmet Haxhiu t’i mbushte pesë vjetë nga dita e ndarjes nga ne, më datën 10 qershor të vitit 1999 forcat pushtuese serbe u thyen nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ndihmuara edhe nga aleanca Veri-Atlantike dhe definitivisht u tërhoqen nga Kosova.
Më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova, për të cilën aq shumë dha Ahmet Haxhiu, u shpall shtet i pavarur dhe sovran, ndërkaq në ditën që u mbushën njëqind vjet nga shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar, më 28 nëntor të vitit 2012, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Ahmet Haxhiun e dekoroi me Urdhërin „Hero i Kosovës“.