Bardhyl Llagamit, i ati i dëshmorit të kombit, Skerdilajd Llagamit, 60-vjeçarit tiranas që dikur pat punuar si kryeinxhinier i Kombinatit të Tekstileve “Stalin” dhe më vonë Drejtor Drejtorie në Ministrinë e Ekonomisë, edhe sot e kësaj dite akoma nuk i besohet dhe i duket si një ëndërr e keqe, që djali i tij i vetëm, Skerdilajdi, nuk jeton më. Ai lajm ogurzi që i erdhi familjes Llagami, në korrikun e vitit 2001, Bardhylit vazhdon t’i duket ende si një gjë mistike dhe krejt e pabesueshme. Ai akoma jeton me ato fjalë që Skerdi ia pat thënë atë mëngjes shkurti të vitit 2001, kur e mori në telefon nga Lugina e Preshevës, ndërsa i lutej që të mos mërzitej, pasi ai do të kthehej përsëri në Tiranë, porsa të përfundonte disa punë të vogla. E pabesueshmja e ngjarjes së rënies së djalit të tij, Bardhylit i duket, apo më saktë ai ka dëshirë ta lidhë me një ngjarje të largët, të ndodhur para shumë vitesh. Asokohe një djalë i ri i quajtur Moç Llagami, pasi vrau postkomandantin serb në Grykën e Rugovës, nga përndjekjet e pareshtura dhe keqtrajtimeve, iku nga vendlindja e tij dhe erdhi e u vendos në Tiranë, ku më pas u martua, krijoi familje dhe gradualisht u shtuan, derisa krijuan familjen e gjerë Llagami.
Kështu, sipas Bardhylit, fisi Llagami sikur i kishte një “borxh” për t’ia larë Kosovës dhe fati i takoi që ai të ishte djali i tij i vetëm, 33-vjeçari, Skerdilajd Llagami, apo Komandant “Shpendi”, sikundër e njohën të gjithë luftëtarët e UÇK, ata të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanovcit dhe të Preshevës, e më vonë ata të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ku djaloshi i fuqishëm tiranas komandoi një njësit special.
Skerdi u lind më 31 tetor të vitit 1969, në qytetin e Tiranës dhe ishte fëmija i parë i Bardhyl Llagamit, i cili rrjedh nga një familje qytetare tiranase. Familja Llagami është e njohur dhe nga ajo derë kanë dalë shumë intelektualë, shumica e tyre të diplomuar për Drejtësi dhe Gjuhësi. Qëkur ishte në bankat e shkollës së mesme “Myslim Keta”, Skerdi shquhej për fizikun e tij të fortë dhe kishte një trup shumë të bukur si të sportistëve të Badi-billdingut. I nxitur edhe nga babai i tij, vite më parë ai kishte filluar të merrej me ushtrime të ndryshme sportive dhe premtonte rezultate të larta në garat e vrapimit e të atletikës. Por ai nuk mundi që ta vazhdonte më tej atë sport, sepse u detyrua dhe filloi punë në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, ku punonte dhe babai i tij, Bardhyli, i cili më pas u bë kryeinxhinieri i atij Kombinati. Skerdi nuk e la pas asnjëherë pasionin e tij, të të ushtruarit me sport dhe fiziku i tij u bë shkak, që në vitin 1997, atë e morën si efektiv të Forcave Speciale, (“Brisku”), të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Që nga ajo kohë, kur ai filloi punë pranë atij reparti special, familjen e tij e merrte malli që ta shikonte e ta kishte pranë, pasi ai merrte pjesë në të gjitha operacionet speciale që zhvilloheshin për kapjen e personave keqbërës, jo vetëm në Tiranë, por edhe në shumë rrethe të tjera të vendit. Ai e dinte se prindërit e tij, Bardhyli e Lumturia, si dhe motra më e vogël, bëheshin merak për të, prandaj, nuk u tregonte kurrë për operacionet speciale ku kishte marrë pjesë. Të gjitha ato gjëra familja i merrte vesh vetëm nga shokët e tij, sipas të cilëve Skerdi nuk e njihte rrezikun dhe futej i pari mes plumbave. Ky angazhim i tij vazhdoi deri në marsin e vitit 1999, kur ai iku përgjithmonë nga shtëpia dhe nuk u kthye më – kujton me nostalgji prindërore, Bardhyl Llagami, të kaluarën e djalit të tij, Skerdit, djaloshit simpatik e me një fizik po aq të bukur si ata të aktorëve që luajnë rolet e gladiatorëve të arenave në filmat e Holivudit. – “Askujt nga ne nuk i tregoi kur iku për të luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, – shprehet Bardhyl Llagami për Skerdin, birin e vetëm, i cili në marsin e vitit 1999, braktisi repartin special të “Briskut” dhe shkoi në Kosovë. Lidhur me këtë dhe karrierën e tij të mëvonshme në radhët e UÇK, Bardhyl Llagami shprehet: “Ai e dinte se ne nuk do ta linim që të ikte nga shtëpia, pasi e kishim djalë të vetëm dhe prandaj nuk na tregoi që kishte vendosur të ikte dhe të luftonte në Kosovë. Skerdi ishte një tip shumë i dhembshur dhe tepër i ndjeshëm. Ai prekej menjëherë nga vuajtjet dhe mjerimi i të tjerëve, të cilat nuk i duronte dot. Them se kjo ka qenë një nga arsyet kryesore që ai iku nga shtëpia, pikërisht në atë kohë kur ushtria e Milosheviqit nisi shpërnguljen masive të kosovarëve nga vatrat e tyre dhe të gjitha ekranet e televizioneve u mbushën me tablo rrëqethëse të masakrave serbe ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës. Kur u largua Skerdi nga shtëpia, ne si familje u bëmë shumë merak dhe u alarmuam të gjithë si fis. Për shumë kohë ne nuk lamë njeri pa pyetur, por askush nuk na dha asnjë lajm se ku ndodhej ai. Kaluan muaj dhe ne përsëri nuk kishim asnjë lajm për fatin e tij. Por na mbante shpresa se ai do të ishte gjallë, pasi po t’i kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe, do të merrej vesh menjëherë. Por, ne ngushëlloheshim duke menduar se ai do të kishte ikur jashtë Shqipërisë për të punuar, ashtu si shumë të rinj bashkëmoshatarë të tij. Kështu, kaluan muajt deri më 13 nëntorin e vitit 1999, kur nga një gazetë e përditshme, ne mësuam të vërtetën e vendndodhjes së tij. Në atë gazetë ishte botuar një intervistë me një djalë të ri nga Shqipëria, i quajtur Dritan Dyrmishi, i cili në atë kohë pat luftuar si Komandant Batalioni në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një nga pyetjet që i bëhej nga gazetari intervistues, se kush ishin shqiptarët e tjerë që luftonin bashkë me të në Kosovë, ai i përgjigjej: “Skerdilajd Llagami, Dritan Goxhaj, Ermir Bega, etj., të cilët gjendeshin në çdo moment atje ku vdekja është më e sigurt”. Pas kësaj interviste, që na gëzoi pa masë të gjithëve, ne përsëri vazhduam kërkimet dhe disa herë bëmë përpjekje të lidheshim në telefon me ish-eprorët e lartë ushtarakë të UÇK-së, por përsëri nuk mësuam asgjë për fatin e djalit tonë”, – dëshmon Bardhyl Llagami, lidhur me mësimin e lajmit më të gëzuar të jetës së tij, atë që i biri, Skerdi, ishte gjallë dhe luftonte në radhët e UÇPMB-së.
Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kishin shkuar për të luftuar edhe të rinj të tjerë nga Shqipëria, Skerdi Llagami u bë shumë shpejt tepër i njohur. Për guximin, trimërinë dhe shpirtin e tij luftarak, që ai kishte treguar në të gjitha betejat ku kishte marrë pjesë në zonën e Rrafshit të Dukagjinit, ai ishte caktuar si komandant kompanie, në një nga njësitet ushtarake që vepronin në atë zonë. Lidhur me këtë, i ati, Bardhyli, dëshmon: “Ndonëse ne e mësuam lajmin për vendndodhjen e Skerdit, përsëri rrinim në ankth e me gjak të ngrirë, pasi nuk po arrinim që të komunikonim dot me të me telefon. Kjo gjë vazhdoi për muaj me radhë dhe ajo që na e shtoi akoma dhe më shumë ankthin, ishte fakti që edhe pse lufta në Kosovë kishte mbaruar, ai nuk po kthehej në shtëpi. Ky ankth i yni u shua aty nga shkurti i vitit 2001, kur një telefonatë e bërë nga Kosova, gati sa nuk na çmendi nga gëzimi. Ishte djali ynë, Skerdi, ai që na fliste nga Lugina e Preshevës, ku ai kishte shkuar pas mbarimit të Luftës në Kosovë. Ndërmjet atyre pak fjalëve që ai na tha atë ditë, ishin: “Mos u mërzisni, se unë do të kthehem një ditë, aty, në Tiranë. Por sapo të mbaroj disa punë të vogla….. “. Këto ishin dhe fjalët e fundit që dëgjuam ne në telefon nga goja e Skerdit, sepse ai mbeti atje dhe nuk u kthye kurrë më, ashtu siç na dha fjalën”, – dëshmon e ëma e Skerdilajdit, duke fshirë lotët që i rridhnin herë pas here nëpër faqe. Por, edhe pas mbarimit të Luftës në Luginën e Preshevës, 33-vjeçari Skerdi Llagami nga Tirana, i njohur me pseudonimin “Komandant Shpendi”, i cili kishte bërë emër të madh në radhët e UÇK-së, nuk kishte vendosur të kthehej pranë familjes në shtëpinë e tij në kryeqytetin shqiptar. Po si rodhi më pas fati i djaloshit simpatik tiranas, që i kishte vënë vetes detyrë të gjendej e të luftonte në të gjitha betejat ushtarake ku rrezikoheshin fatet e bashkëkombasve të tij? Lidhur me këtë, shoku i tij i luftës, në Luginën e Preshevës, Dritan Goxhaj, dëshmon: “Pas mbarimit të Luftës në atë zonë problematike, ku Skerdi kishte luftuar si komandant kompanie, ai nuk u kthye në Tiranë. Menjëherë u largua që andej dhe shkoi në malet e Sharrit, mbi Tetovë, ku sapo ishte krijuar Ushtria Çlirimtare Kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni”.
Nisur nga e kaluara e tij në radhët e UÇK-së në Kosovë dhe Preshevë, Skerdin e caktuan me detyrën e komandantit të një njësiti special, i cili ishte direkt nën vartësinë e Shtabit të Përgjithshëm të asaj ushtrie. Në radhët e atij njësiti ai mori pjesë në disa luftime, deri më 29 qershor të vitit 2001, kur ra duke luftuar heroikisht në fshatin Begovi, afër Tetovës, gjatë një luftimi me forcat e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë.
Pas rënies së Skerdit, njësiti special, që komandohej prej tij, u pagëzua me emrin “Shpendi”, duke marrë pseudonimin që i kishin vënë atij që nga koha kur luftonte në radhët e UÇK-së, në Rrafshin e Dukagjinit. Por lajmin për rënien e tij, prindërit e mësuan shumë vonë,… “vetëm në korrikun e vitit 2001, kur erdhi dhe na e tregoi, nëna e Dritan Goxhait, bashkëluftëtarit të Skerdit, në radhët e UÇK – së”, – kujton Bardhyl Llagami. Skerdilajd Llagami u varros me nderime e respekt nga të gjithë shokët e tij të luftës.
Pas marrjes së atij lajmi, Bardhyli u nis për në Kosovë, ku u prit me nderime të mëdha nga Shpëtim Golemi dhe Adem Shehu, ish – vullnetarë në luftën për çlirimin e Kosovës, së bashku me Skerdilajdin, si dhe zyrtarë të Bashkisë së Gjakovës. E shoqëruan Bardhylin deri në kufirin me Maqedoninë, ku atje e pritën përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilët e çuan atë në selinë e Shtabit të tyre, në Malet e Sharrit. Aty, përveç Ali Ahmetit, Bardhyli u prit me nderime të mëdha edhe nga Fazli Veliu, Gëzim Ostreni dhe nga i gjithë Shtabi i UÇK-së , të cilët e çuan atë tek vendi ku pat rënë heroikisht i biri i tij, Skerdilajdi. Aty rrëzë Bjeshkëve të Sharrit, në afërsi të një xhamie, ku ndodhet edhe sot varri i Skerdilajd Llagamit, Ali Ahmeti me bashkëluftëtarët e tij bënë homazhe dhe vendosën kurora në shenjë nderimi për ish-shokun dhe kolegun e tyre nga Tirana, që dha jetën duke luftuar në emër të të drejtave të shqiptarëve. (D. G)
Poezi për Skerdilajdin, shkruar nga i ati, Bardhyl Llagami
O bir!
Ç’e gjeti, ç’e gjeti shtëpinë përdhese
Mbahej e zeza me ca fije shprese
E mbështolli nata
Nata dhe mandata.
Si e more vesh, se të desha unë
Erdhi hija jote, vetë kishe punë
Hije nazelie
Bërthama kajsie
Syt’e tu.
Ti na pe ngadalë, ngadalë, e ngadalë
Heshtja jote ishte muhabet i gjallë
Na shkrive të dyve
O drita e syve
Me lot!
Varur në mur, shqiponja dhe ti
Dje ishe djalë, sot fotografi
Ditën të vështrojmë
Natën të lotojmë
O bir!
Përmbi varrin tënd bora që ka rënë
Kalë do të bëhet, fjalën na ke dhënë
Merri të dy botët
Me vete dhe lotët
Zinxhir.
Djalë në Tiranë, burrë në
Gjakovë
Trimi në Preshevë bie në Tetovë
Ngrihu bir nga varri
Shko tek lapidari
Nëna Shqipëri.
Do të vinë djemtë, vajzat
lulëkuqe
Pleqtë flokë borë edhe dy
burbuqe
Se të deshën shumë
O deti me shkumë
Rri i qetë, fli!
Kishe emër mbreti, ca fije argjendi
Kalove ylberin, more emrin “Shpendi”
Lulet janë strukur
Skerdilaid i bukur
Dhembshurisht.
O ti qiell i pa anë, o ti qiell!
Dhe ti hënëzë e prerë, dhe ti diell!
Si s’na thatë asnjë fjalë
Kur na ra ai djalë
Trimërisht.
Varri atje lart, pranë një xhamie
Malet rreth e rrotull, tokë
Shqipërie!
Arratisen lotët
Dhe betohen shokët
Për LIRI!
Ti njeri, a ç’ je ti, që qëllove
Komandantin dhe shqiponjën dykrenore
Mos kujto se i ke fikur
Trimat bien për tu ngritur
Përsëri!