Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA: VETËVENDOSJE KOMBËTARE, VETËVENDOSJE JUGOSLLAVE; FILLIMI DHE FUNDI I NJË IDEALIZMI MASHTRUES

Fillimi i idealizmit, ngjizja multietnike e VETËVENDOSJES: Albin Kurti ishte spiritus movens i embrionit të formimit të Vetëvendosjes, fillimisht si KAN multietnik, pastaj Lëvizje Vetëvendosje dhe tani Parti Vetëvendosje. U dallua si një ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore që protestuan për lirim të objekteve universitare të okupuara nga Serbia. Me një dukje si Bob Marly dhe me një përmbajtje rebele ishte në ballë të protestës studentore të 1 tetorit 1997 deri në çastin kur inspektori i UDB-së Kovaç e tërhoqi për flokësh duke e dhunuar fizikisht. Ishte një përballje e studentëve të veshur me këmisha të bardha kundër policëve serbë me këmisha të zeza. Studentët, përveçse kërkonin lirimin e objekteve universitare, dolën me kërkesa politike e që ishin të njëjta me qëllimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ishte aktive thuaja në tërë Kosovën. Në vitin 1996 Baca Adem Demaçi e lëshoi KMDLNj-në duke e marrë drejtimin e Partisë Parlamentare të Kosovës me qëllim që të bëhet zë politik i UÇK-së. Në Partinë Parlamentare u shkrinë idealistë të çështjes kombëtare që frymonin me të njëjtin ritëm si Baca Adem Demaçi. Baca nuk pranoi të kalojë edhe unë duke këmbëngulur të qëndrojë në KMDLNj. Pavarësisht kësaj, thuaja 24 orë ishim në kontakt me Bacën Adem dhe isha në disponim që ta përkrah personalisht, familjarisht dhe si KMDLNj, bashkë me Nuhi Ahmetin dhe Avdullah Dërgutin që, në aspektin logjistik dhe financiar, e mbulonin Bacën 100 %. Ime shoqe, Fexhrije Shala, u zgjodh anëtare e Kryesisë së Partisë Parlamentare dhe bashkë me Zaim Kurtin bënin punë të jashtëzakonshme në shtrirje dhe fuqizim të kësaj partie. Angazhim të madh kishte edhe Shashivar Makolli me familje dhe Bajrush Behrami, që të dy tash në amshim.

Më 7 shtator 1998 në Prishtinë u hap Zyra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përfaqësues politik u emërua Baca Adem Demaçi që pati efekte të mëdha sidomos në planin diplomatik. Thuaja i tërë potenciali politik i Partisë Parlamentare të Kosovës u bë pjesë e kësaj zyre ku Skender Kastrati ishte zëvendës i Bacës Adem sikur që Albin Kurti u ofrua të bëhet pjesë e ekipit të Bacës. Në takimin e parë me Albinin, pasi Baca ia tregoi pasojat e mundshme të cilat Albini i pranoi, por Baca e këshilloi të bisedojë me babanë, Zaimin, para se të vendosë përfundimisht. Dhe, të nesërmen, në praninë dhe me pëlqimin e plotë dhe pa asnjë hezitim të Zaimit, Albin Kurti u bë pjesë e Zyrës së Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, duke e shoqëruar Bacën gjatë vizitave që i bënin UÇK-së dhe takimeve me ushtarë dhe komandantë lokalë dhe rajonalë. Kishte raste kur Albinin nuk e lejonin të merrte pjesë në takime (nga disa komandantë). Albini përktheu për Bacën Adem gjatë takimeve me ndërkombëtarë sikur që ishte bashkë me Bacën Adem Demaçi në takim me Robin Kuk, ministër i Jashtëm i MB-së, kur edhe refuzuan të marrin pjesë në Konferencën e Rambujesë. Pastaj Baca Adem, Skender Kastrati, Fexhrije Shala, Albin Kurti, Milot Caka, Shashivar Makolli dhe Bajrush Behrami dhanë dorëheqje shkaku i Rambujesë dhe Zyra e UÇK-së u bë jofunksionale. Gjatë bombardimeve të NATO-së mbi caqet serbe në Kosovë, Albin Kurti u arrestua dhe u dërgua fillimisht në Burgun e Lipjanit ku u keqtrajtua jashtëzakonisht shumë dhe pastaj u dërgua në Llogorin e Pozharevcit në Serbi ku, pas një përballje me ministrin e Drejtësisë së Serbisë që kontrabandohej si gazetar, Albin Kurti u keqtrajtua, porse mbrojti një qëndrim kombëtar dhe politik pa bërë asnjë kompromis. Këtë qëndrim e rikonformoi fuqishëm gjatë gjykimit në Nish. Realisht, periudha nga protesta studentore e 1 tetorit 1997, gjatë angazhimit në Zyrën e UÇK-së dhe derisa u lirua nga burgu, në aspektin njerëzor, kombëtar dhe politik, ishte pa vërejtje dhe nga askush nuk mund të kundërshtohet. Albin Kurtit në atë kohë nuk i mungonte vullneti dhe as guximi të përballej me çdo sfidë apo sakrificë pavarësisht prej pasojave që mund t’i kishte. Ky është mendim im dhe për atë periudhë nuk kam asnjë fakt që do të më bind ta ndryshoj qëndrimin.

KAN-i: Ky emërtim nuk është në gjuhën shqipe, por angleze, si nga përmbajtja ashtu edhe nga qëllimi. KAN u përdor nga Kurti si thithës i anëtarësisë multietnike dhe për ta fituar një legjitimitet te ndërkombëtarët. Pasardhësit e dhunuesve shqiptarë që i shërbyen Jugosllavisë dhe Serbisë u bënë zemra e KAN-it. Organizonin ndeja dhe orgji të shfrenuara. KAN-i u bë qendër për rekrutim të elementit antikombëtar dhe nuk pengohej nga organet e sigurisë shkaku se nuk ushtronin dhunë ndaj askujt dhe nuk tregonin ambicie për aktivitete politike. Ishte një vëllazërim-bashkim jugosllav, tash në Kosovën e lirë, por që përballej ende me pasojat e luftës. Albin Kurti KAN-in e përdori për ta rritur anëtarësinë duke gatuar një gjellë nga e cila do të helmohej më vonë një pjesë e rinisë idealiste dhe skena politike në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Luginë dhe Mal të Zi. Në kohën e KAN-it u krijua ajo afera e suxhukut dhe batanijes së Albinit në Klinë që shumë herë u përmend në Kuvendin e Kosovës. KAN-i ka qenë një organizim krejtësisht i pamoralshëm, i pabesë, tinëzar, i dëmshëm dhe antikombëtar.

LV: KAN-i u shndërrua në Lëvizje Vetëvendosje! ku personaliteti i Albinit ishte i barasvlefshëm me Zeusin, Zotin e të gjithë zotëve, ndërsa Zyra e tij u shndërrua në Orakull ku jepeshin mendimet për çështje kombëtare, politike, ekonomike, kulturore, letrare dhe seksuale. Prej një multietniciteti dhe multikulturalizmi që ishte në KAN, LV tash këndonte këngë të patriotizmit të rëndë për flamurin kombëtar kuq e zi, kundër flamurit të kosovapetrollit – flamurit të Kosovës, për bashkim kombëtar si kusht i domosdoshëm për mbijetesë dhe zhvillim të kombit shqiptar. Ishte kundër decentralizimit në baza etnike, kundër Asociacionit të komunave serbe që e quante Zajednicë, ndërsa unë e quaj Zajebnicë (luajtje ko..sh). Parulla kryesore mobilizuese, vepruese dhe shkatërruese për kundërshtarët politikë dhe ata që nuk e kishin mendësinë e tyre ishte: “Jo negociata – Vetëvendosje”. Ishin kundër politikanëve kosovarë të krahut të luftës dhe të paqes duke i akuzuar se po e vidhnin dhe po e shitnin Kosovën. Ishin kundër UNMIK-ut e mos të flasim se sa ishin “kundër Serbisë”. Nuk e pranuan pavarësinë e Kosovës e as Kushtetutën e saj. Proceset politike dhe të tjera u shkonin në favor duke i faktorizuar edhe më shumë. Përkrahja e Bacës Adem Demaçi në fillim dhe e imja, në të gjitha aspektet, nga ndërtimi i PR për Albinin dhe deri te përkrahja materiale kontribuuan në ngritjen dhe forcimin e karizmës së Albin Kurtit e që automatikisht edhe të LV-së sepse kjo Lëvizje ishte vetë Albin Kurti. Pastaj siguruan përkrahje materiale edhe nga Amerika dhe disa shtete evropiane. Është interesante se asnjëherë nuk e kanë lëshuar asnjë dëshmi për paratë e pranuara dhe se nuk kanë hezituar të marrin para edhe nga ata që publikisht i kanë sulmuar dhe etiketuar si oligarkë dhe antikombëtarë. Kanë manipuluar skajshmërisht me familjet e personave të pagjetur, pa pikë empatie dhe pa pikë morali. Kanë ushtruar dhunë mbi Policinë e Kosovës e para policëve ndërkombëtarë nuk janë dëgjuar fare. Dhe, pas kësaj, vendosën të marrin pjesë në zgjedhje që mbaheshin sipas Pakos së Ahtisarit të cilën nuk e pranonin fare. U bënë edhe deputetë, shumë aktivë në Kuvend, duke dhunuar thuaja të gjitha institucionet, sidomos politikanët që ishin në pozitë. Caqe të preferuara ishin udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së, tash udhëheqës të shtetit të Kosovës. Gjuajtën me vezë, shishe uji, gaz lotsjellës, mjete të forta, kubëza dhe gurë derisa e sulmuan edhe Kuvendin e Kosovës me granatahedhës. Nga perspektiva e kaluar mendoja se këtë po e bëjnë për të penguar procese të dëmshme për Kosovën ndërsa sot, me faktin se i kanë shkelur të gjitha në emër të të cilave ushtronin dhunë, qartazi po del se e kanë bërë për të ardhur në pushtet. Dërguan aktivistë në vrasje dhe vetëvrasje pastaj manipuluan me familjet dhe fatkeqësitë e tyre. Edhe sot po manipulojnë, natyrisht me përkrahje të familjarëve të vrarëve dhe të atyre që janë vetëvrarë. E kanë bërë spastrimin klasik të trurit. Kanë ofruar shtet me të drejta dhe barazi sociale, e kanë shndërruar në shtet të lëmoshës, të dhunës ndaj të gjithë atyre që nuk ndajnë mendimet me ta duke e privuar rininë, jo vetëm rininë nga një të ardhme të cilën po e kërkojnë anekënd botës, vetëm jo në Kosovë.

Qeveria projugosllave Kurti 1 e sidomos Kurti 2: Në mandatin e qeverisë Kurti 1, koha për të bërë diçka të mirë ishte e shkurtër, pastaj edhe pandemia e bëri punën penguese. Në të njëjtën kohë votat ishin të pamjaftueshme për ta marrë pushtetin absolut andaj hynë në koalicion me “profesorin e nderuar, Isa Mustafa” deri dje i brohorisnin: “Isë, Isë argat i Serbisë dhe Isa – Hasha, Esat Pasha”. Administrata amerikane me presidentin Tramp kishte vendosur “thikat mbi hartën e Kosovës…” sipas Kurtit, mirëpo të vetmin dëm e pati se e rrëzuan qeverinë Kurti 1. Realisht qeveria Kurti 1 fitoi më së shumti nga ky rrëzim. Opozita bëri gabim amator në aspektin moral duke e rrëzuar qeverinë Kurti 1 në kohën e pandemisë, ndërsa politikisht pse nuk u bë bashkë për zgjedhjet e radhës. Në këtë qeveri Kurti filloi ta mbushë qeverinë me projugosllavë dhe proserbë duke e bërë një distancim nga përcaktimi kombëtar. Si bingo për qeverinë Kurti ishte arrestimi i heronjve të luftës dhe ndërtuesve të shtetit që ende po mbahen peng në Burgun e Hagës. Konkurrenca u eliminua politikisht edhe me ndihmën e qeverisë Kurti.

Qeveria puro jugosllave Kurti 2: Fushata zgjedhore ku Kurti, bashkë me renegaten Vojsa Osmani, fitoi mbi 51 për qind të votave, ishte tipike gebelsiane; luftim me të gjitha mjetet e mundshme e kundërshtarëve që i konsideronte si armiq, futjen e sasive të mëdha të parave të sekserëve milionerë si Martin Berishaj që pastaj u bë ambasador, ngritja e një rrjeti medial përmes medieve të Jeton Qurroit, një projugosllav i thekur dhe pasionant të cilin pastaj e shpërbleu duke e bërë si Çezare Borxhian e qeverisë, një këlysh ia bëri ambasador sikur që edhe një familjar ia bëri këshilltar kryesor. E mbyti gjithandej frymën kombëtare me mbeturina të UDB-së, KOS-it, jugosllavëve dhe serbëve. Nga LV-ja e dikurshme që, së paku, verbalisht deklarohej si kombëtare, nuk mbetën as gjurmët. Kuvendi u bë si Shou i Mapetëve dhe, krahasuar me përbërjen e mëhershme të deputetëve të LV-së, këta të tashmit apo pjesa më e madhe, përveçse janë injorantë me fletë, në aspektin kombëtar janë mbetje të politikës shtypëse ndaj shqiptarëve. Ka përdorues të narkotikëve, budallenj të certifikuar dhe të poshtër me vërtetim të noterizuar. E pabesueshme, nga një lëvizje kombëtare që më parë i kam besuar 100 për qind, i kanë besuar 51 për qind të votuesve, u bastardua në një monstrum kundërkombëtar, hakmarrës dhe përjashtues, në radhë të parë ndaj opozitës si dhe ndaj përkrahësve të djeshëm dhe mospajtuesve të sotëm. Në qeverinë Kurti 2 nuk bëhet garë se kush është më i miri, por se kush do të jetë injoranti numër 1 dhe kështu me radhë. Edhe ata që kanë trashëguar një të kaluar kombëtare, sot po e turpërojnë këtë trashëgimi dhe kujtim. Burrat e ministreshave sot ndajnë tenderë në ministri, të afërmit e ministrave përfitojnë tenderë, poste diplomatike, vende në borde dhe.. paprekshmëri para ligjit. Persona me simptoma të rënda të çrregullimeve mendore sot janë bartës të posteve të rëndësishme. Mbi 200 000 qytetarë jetojnë me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa me dhjetëra mijëra, kryesisht të rinj, janë larguar nga Kosova. Ata që dje ua çollomitnin kokën policëve të Kosovës dhe përpilonin lista Wanted (si në perëndimin e egër) edhe sot e kësaj dite dhunojnë policët, tash me mjete politike dhe ekonomike.

Urrejtja ndaj bartësve të luftës çlirimtare dhe krijuesve të shtetit sa po bëhet më intensive, nuk lëshohet rast pa i sulmuar dhe pa i dëmtuar edhe sa janë në burg. Në planin ndërkombëtar nuk siguruan asnjë njohje përveçse e denoncuan Trampin te Bajdeni pasi ky i fitoi zgjedhjet. Tash as Bajdeni nuk u pëlqen, sigurisht do ta denoncojnë te Trampi pasi ky do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme! Fort u angazhuan në Ukrainë dhe kundër Rusisë e cila qëmoti do të dorëzohej nga presioni i Besnik Rrencit dhe renegates Osmani, qoftë duke i vendosur sanksione ekonomike, qoftë duke e paralizuar politiksht ndërkombëtarisht. Luftën në Ukrainë e cilësuan si gjenocid nga Rusia, kurse Putinin si kryekriminel të krimeve të luftës. Ndërkaq, gjenocidin e Izraelit në Gaza, në krye me kriminelin e luftës, Benjamin Natanjahu, në të cilin janë vrarë mbi 20 000 palestinezë dhe ku shkalla e shkatërrimit e tejkalon 85 për qind, nuk kanë guxim ta cilësojnë si gjenocid, por e arsyetojnë si e drejtë legjitime e Izraelit për ta luftuar Hamasin. Sa të poshtër dhe të panjerëzishëm! Shkaku i interesave politike, biznesore dhe se fëmijët i kanë dërguar (me para të shtetit) të studiojnë atje!

Kryeministri i qeverisë projugosllave, Albin Kurti: Albin Kurti i sotëm nuk ka asgjë të përbashkët me Albin Kurtin e djeshëm, ose pushteti e ka shpërfytyruar shumë, ose sekuencimi i roleve për marrje të pushtetit ia ka fshehur fytyrën dhe karakterin e vërtetë. Sot nuk i intereson bashkimi me Shqipërinë e as flamuri kombëtar. Nga duaje tënden (Shqipërinë), u dashurua më shumë me Norvegjinë. Nga të qenit përbashkues i të gjitha forcave politike, u bë përçarësi më i madh në Kosovë, Luginë të Preshevës, Mal të Zi, Shqipëri dhe, së voni, e ka lëshuar spirancën e urrejtjes dhe të përçarjes edhe në Maqedoni të Veriut. Nga një “nxënës politik i Adem Demaçit”, u shndërrua në një pion të Jeton Qurroit. Nga një çkapës elektoral, u shndërrua në një megakapës real institucional. Nga një luftëtar për bashkim me Shqipërinë, me Marrëveshjen e Brukselit dhe bishtin e Ohrit, Kosovën po e afron me Serbinë.

Albin Kurti, si spiritus movens dhe garantues suprem i Partisë VETËVENDOSJE!, i ka pasur të gjitha mundësitë të bëhet politikani që realisht do të ishte Hasan Prishtina i ditëve tona. Inteligjent dhe i mençur, pa asnjë dyshim, me një mbamendje fotografike, orator i mirë, politikan me përvojë thuaja 20-vjeçare, bonvivan i vonuar, i përkrahur nga më shumë se 50 për qind të votuesve, pa një opozitë penguese, me një reputacion të pranuar nga shumica e shqiptarëve, me asgjë i penguar nga ndërkombëtarët ishin parakushte të arrijë majat. Mirëpo, urrejtja ndaj bartësve të luftës dhe të posteve kryesore shtetërore që po mbahen si pengje në Hagë që e bënë luftën dhe e bënë shtetin, hatërmbetja, arroganca e numrave, shpërfillja e skajshme e opozitës, ndjenja e theksuar e hakmarrjes, dëshira pasionante për të kontrolluar çdo gjë dhe për të nënshtruar gjithkënd dhe, mbi të gjitha, ndjenja e madhështisë, e zhveshën Albinin nga mundësia e vendosjes në panteonin e patriotëve shqiptarë. Çfarë tash? Albin Kurti ka deputetë dhe ministra që Kosovën e kanë atdhe të dytë, një vend pune dhe mundësi të pasurohen e pastaj; Rozeta Hajdari mund të shkojë në Indi, Donika Katran Gërvalla në Gjermani, Vojsa Osmani në Australi, Besnik Bislimi në Serbi, Hajrullah Çeko në Turqi, Hekuran Murati në Rusi, si kontabilist i mercenarëve të Wagnerit, Xhelal Sfeqla në Izrael, Elbert Krasniqi në Egjipt, Nenad Rashiqi në Shqipëri etj.

Nuk po shoh se ka shqiptarë që edhe as për së afërmi i ngjajnë dhe trashëgojnë vlerat njerëzore, kombëtare, politike, morale dhe ato të sakrificës si të Bacës Adem Demaçi dhe komandantit legjendar Adem Jashari që ishin dy shtylla që mundësuan lirinë e shqiptarëve dhe që janë edhe sot engjëj mbrojtës të kësaj lirie, vetëdije dhe ndërgjegjeje kombëtare. Ne të tjerët silleshim rreth tyre, disa si kontribuues, tjerët si pengues.

Gëzuar dhe urime për Vitin e Ri 2024, kësaj radhe nga Kosova, në vitin tjetër, ndoshta, nga baushtella apo ndonjë kamp refugjatësh! (Epoka e Re)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …