Deputeti i PDK-së Ferat Shala, ka deklaruar se me Ligjin e Fondit Sovran, kryeministri Albin Kurti është duke u orvatur ta vendos dorën politike mbi asestet dhe resurset shtetërore, të cilat sipas tij nuk mund të qeverisen. “Kultura dhe mentaliteti i liderit për të kontrolluar gjithçka me çdo mjet e praktikë, pa analizë e pa të ardhme, e kamufluar me kopje të zbehtë nga shtete të caktuara perëndimore, është edhe Ligji për Fondin Sovran, i cili ka kaluar tashmë në Kuvendin e Kosovës, pa vota të opozitës. Në esencë, këtu kemi shpërfaqjen më ekstreme të orvatjes së liderit, për të vendosur dorën politike mbi asete dhe resurse të cilat nuk mund të qeverisen dhe nuk kanë perspektivë me këtë logjikë ekstreme majtiste, centraliste, në kundërshtim me parimet e tregut të lirë e të konkurrencës”, ka shkruar Shala në një opinion të shkruar posaçërisht për “Epokën e re” Ferat Shala thënë se praktikat e shteteve tregojnë se formimi i Fondit Sovran ka ardhur si rezultat kur janë shfaqur teprica të burimeve natyrore shtetërore të njohura si: rezervat e tepërta nga të ardhurat, tepricat tregtare, rezervat bankare që mund të grumbullohen nga tepricat buxhetore, operacionet në valutë të huaj, paratë nga privatizimet dhe pagesat e transfereve qeveritare.