Ahmet Qeriqi: Puna vazhdon. Me sukses e transmetojmë edhe emisionin e dytë 15 minutash, 5 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Puna vazhdon. Me sukses e transmetojmë edhe emisionin e dytë 15 minutash, 5 janar, 1999

Sot në mëngjes, së bashku me Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Dalip Rizanin, Ajvaz Karpuzin e të tjerë kemi shkuar për ngushëllime te Zymer Olluri, babai i dëshmorit, Enver Olluri, i cili më 14 dhjetor 1998 ka rënë dëshmor në brezin kufitar, në Gorozhup. Meqë trupi i dëshmorit  është identifikuar, Zymeri ka hapur të pame.

Në odë takojmë edhe disa bashkëvendës. Zymeri dhe djemtë po mbahen të fortë. Ata, janë të vetëdijshëm se lufta nuk bëhet pa sakrifica. Më gëzon fakti se rënia e Enverit nuk i ka thye, përkundrazi njëri nga vëllezërit ka ngjeshur armën e vëllait dhe është futur në radhët e UÇK-së.

Janë këto momente të një heroizmi që po shënon rritje. Kështu po ndodh në tëra zonat e përfshira nga lufta. Pushkën e dëshmorit, Ruzhdi Salihu e mori babai i tij dhe u fut në radha, edhe pse i moshuar. Pushkën e Fehmi Kastratit në Kizharekë, dy muaj më parë e ngjeshi i vëllai Aliu, në ditën e varrimit të vëllait, sipas insistimit  të nënës së tij trime.

Pastaj kemi vazhduar rrugën për në Pjetërshticë. Edhe atje në Lagjen e Musojve është hapur e pame për Ymri Hafirin, nga Zborci,  po ashtu i identifikuar në mesin e të rënëve në kufi. Në odë na priti babai i dëshmorit dhe disa ushtarë të Pjetërshticës e të Zborcit.

Rreth orës 12. Ali Mullini, mua së bashku me Nezir Myrtajn dhe Emin Ollurin na ka përcjellë në drejtim të Grykës së Kizharekës. Emini është mekanik dhe elektricist. Mbi të gjithë është një djalosh i përkushtuar i lirisë që punon pandërprerë, kudo ku ka nevojë. Ai duhet të bëjë kontrollimin e gjeneratorit, meqë në mungesë të rrymës tërë ditën duhet të punojmë me gjenerator.

Në Berishë si zakonisht  kemi arritur të lodhur dhe të bërë qull në djersë.

Emini dhe Rizahu kanë marrë përsipër ta rregullojnë gjeneratorin, ndërsa unë dhe Neziri së bashku me të tjerët jemi angazhuar në drejtim të sajimit të informatave dhe realizimit të emisionit të dytë të Radios. Tani që ka ardhur Neziri ndihem shumë më i sigurt. Ai  është ia pë zëvendësueshëm në sajimin e informatave dhe sidomos të komenteve.

Në vendin e caktuar dhe në kohë të caktuar kemi transmetuar me sukses edhe emisionin e dytë, ku përveç lajmeve kemi transmetuar edhe një komunikatë të Shtabit të Përgjithshëm, me rastin e fillimit të punës të dy institucioneve informative. Po ashtu, në fund të programit kemi emetuar edhe dy këngë atdhetare.

Pas kryerjes së punës, së bashku me Emin Ollurin i cili i ka rregulluar për mrekulli gjeneratorët, nisemi për në Kizharekë, ku na pret Ali Mullini. Rruga prej Berishës në Kizharekë është teposhtë dhe mund të kalohet për një gjysmë ore. Mirëpo rruga gjatë ngjitjes ta merr shpirtin, meqë është thikë përpjetë  dhe mesi kalohet për një orë, sidomos nëpër dëborë.

Jam ndalur në pikën shëndetësore, e cila ndodhet në shtëpinë e Xhezair Ali Allurit, me qëllim që të ngushëllojmë Reshat dhe Faruk Gashin, të cilët janë shqetësuar me rastin e vrasjes së kushëririt të tyre, Enver Gashi.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …