Fatbardha Zogaj Reka: Një jetëshkrim të shkurt për Nënën tonë NAZIRE!

Në vend të festës për këtë datë, po u sjell një jetëshkrim të shkurt për Nënën tonë NAZIRE!
Sot 77 vjet më parë erdhi në jetë një mrekulli, të cilën e pagëzuan me emrin NAZIRE.
Do të rritej e do të lëshonte shtat kjo vajzë me dy gërrsheta deri në bel në vendin më të bukur të Shqiptarisë, Krajë.
E dalluar në mësime, e pakrahasueshme në edukatë dhe e përkrahur pafund nga prindërit në vitin 1962 do të kalonte katër ditë rrugë nëpër ish Jugosllavi për të ardh në Shkollën Normale të Ferizajt, prej ku fillon jeta e saj ndryshe.
Maturantja e vetme e shkëlqyeshme e 1967-tës në Normalen e Ferizajt do të vazhdoj rrugëtimin e saj jetësor pas shumë peripetish por me vendosmëri e guxim të pashoqe në shtetin Amë, si mësuese e Letërsisë në Shkodër e Durrës për të studiuar Letërsi-Histori në Tiranë. Pas katër vitesh “emigrantja me gërsheta” siç e quanin andej kufirit do t’i kthehej Kosovës për t’u bërë nuse drenicare dhe mësuesja e parë grua në ato anë. Pas një viti do të vazhdoj jetën me bashkëshortin dhe mua, (gëzimin e saj të parë,siç më quante ajo gjithmonë), në Ferizaj.
Studimet e filluara në Universitetin e Tiranës nuk iu pranuan t’i vazhdonte në Universitetin e Kosovës dhe në vitin 1978 u regjistrua në Fakultetin Filologjik dega Letërsi shqipe për të diplomuar në afat rekord në Qershor të 1980, periudhë kjo kur erdhën në jetë edhe dy motrat e mia Rrezarta e Arbënora.
Punoi si arsimtare dhe misionare kundër braktisjes së shkollimit me theks të veçant tek vajzat, në Shkollën Teknike, në Shkollën Ekonomike, në Shk”Halit Ibishi” dhe në QAMO 2 deri më 3 prill 1981, kur në ballë të Demonstratave u radhit bashkë me nxënësit e saj dhe klasën punëtore që u ngritën fuqishëm kundër shtypjes jugosllave ndaj shqiptarëve.
Këtu do të rifillonte aktiviteti më theksuar i saj ilegal që kishte filluar vite më parë në Shqipëri. Nga atje ishte kthyer me kërkesën e një bashkëveprimtari, ” MË SHUMË NA DUHET NJË NAZIRE ATJE SESA 10 NAZIRE KËTU”.
Aktiviteti ilegal i saj përgjatë viteve 1981 e deri në çlirim do të shtrihej kudo në Kosovë dhe në zonat shqiptare në Mal të zi, ku do të formonte grupin ilegal “Jehona e Krajës”. Gjatë kësaj kohe u burgos dhe vuajti denime në Podgoricë, Nish, Mitrovicë, CZ Beograd dhe Spuzhë ku në Naziren malësore u kryen tortura çnjerëzore. Nga burgu i Nishit më 1981 u lirua me fjalët e gardianes ” nema ništa više od nje”(shqip: nuk ka më gjë prej saj), ndërsa nga CZ erdhi në Prishtinë vetëm 42 kg njeri.
Të gjithë kalvarit të vuajtjeve të saj i shtohen dhimbjet shpirtërore të shkaktuara nga familja dhe disa miq të mëhershëm që gjatë asaj kohe nuk e njohnin anipse ishte ajo Nazirja që veç të mira e rrespekt u kishte ofruar gjithmonë.
Zemra e fortë e Malësisë së Shkodrës që kishte ajo dhe pak miq e mikesha që i kishte afër viteve 80-ta e mbajtën gjallë deri në rikthimin e saj në arsim në vitin 1992, kthimin pranë saj e ne të trijave pas divorcit të prindërve tanë gjashtë vjet më parë e kthyen Naziren në jetë.
Pas luftës gjeti qetësinë shpirtërore mes familjes, nxënësve e miqëve e mikeshave që e nderonin dhe e vizitonin herë pas here.
Më 14 dhjetor 2019 pranë tri vajzave, tre dhëndurëve e pesë nipave, pa kujdesin elementar qytetar të institucioneve shëndetësore të shtetit, do të pushoj së rrahuri zemra e Nanës sonë, mësueses së shumë gjeneratave, ushtares për çlirim kombëtar.
Të nesërmen në mbledhjen komemorative, salla e Teatrit mezi i zuri të gjithë ata/ato që kishin ardh të nderonin jetën dhe veprën e Nazires. Fytyra të përlotura dhe fytyra me sy përdhe i dhanë lamtumirën gruas që gjithë jetën ia kushtoi Atdheut dhe Kombit shqiptar.
Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e bashkëvuajtses saj të burgut Hava Shala, kur erdhi të na ngushëlloj për vdekjen e Nënës sonë: “Për dy gjëra jam shumë e lumtur për Nanushin (kështu e thërrisnin vajzat e burgosura që e kishin njohur në burg).
1. Që arriti të jetoj 73 vjet, sepse gjatë vuajtjeve në burg nuk ka qenë as 40 vjeçe aq shumë është torturu saqë shpesh i jam lut zotit o merrja shpirtin, o jepi forcë.
2. Që vdiq në duart e juve tri vajzave, që aq shumë ka vuajt e ka pas mall për ju (vajzave në burg u kishte lënë emrat tanë dhe u kishin mbet pseudonime ata emra).
Krenaria që të patëm kaq fisnike e të veçantë na e shuan mallin pafund që kemi për të shtrenjtën NANË.
Me idealet tua të rrënjosura thellë në mendjet dhe zemrat tona do të jetojmë deri në përjetësi!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …