Qeveria e Shqipërisë ka propozuar shtimin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit, në kalendarin e festave kombëtare. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Qeverisë së Shqipërisë tha se Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim në Ligjin për Festat Kombëtare dhe Ditët Përkujtimore. “Këshilli i Ministrave po i propozon Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është një ditë me simbolikë të veçantë. 22 nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, të cilët janë të shpërndarë në pothuajse gjitha vendet e Ballkanit”, tha Hasani. Ai theksoi se viti 2024 është një vit i rëndësishëm për shqiptarët në rajon dhe shtoi se Shqipëria shpreson që të ketë një rrugë sa më të qartë dhe të shpejtë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të Kosovës, të Preshevës apo të Malit të Zi janë në procese të rëndësishme përfaqësuese dhe integruese”, tha ndër të tjera Hasani. Propozimi i Qeverisë së Shqipërisë për ndryshimet ligjore për 22 Nëntorin duhet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë.
Kontrolloni gjithashtu
Blerta Deliu- Kodra: Kryetarja Vjosa Osmani e ka zbehur shumë pozitën e Presidencës
Deputetja nga Radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra ka vlerësuar se kryetarja …