Elez Durmishi e ka porositur Mentor Qeriqin, djalin e kushëririt tim, Vehbiut, që me Nivën e Luanit, mua dhe Qemalin të na përcjellë deri te Gryka e Kizharekës, meqë Ali Mullini është i zënë.
Mentori na ka përcjellë deri në vendin e caktuar. I kam thënë që të mos vijë për të na marrë në mbrëmje, pasi që sonte do të qëndroj në selinë tonë, në Berishë.
Jemi ngjitur përpjetë me Qemalin dhe mezi kemi arritur. Sa herë që nisem nëpër grykë mendoj që rrugën ta bëjë duke ecur ngadalë, por fillon biseda dhe njeriu harron që është duke ecur. Pas një kohe më kaplon djersa dhe më nuk ka guxoj të ndalem për të pushuar. Sapo arrijmë në seli zakonisht i ndërrojmë ndërresat e brendshme meqë na bëhen qull në djersë. Rrobat e djersitura i thajmë afër stufës dhe tërë dhoma merr një erë të athët sikur të drurit të ahut. Ndoshta të gjithë e kanë kuptuar se kështu nuk është mirë, mirëpo nuk kemi zgjidhje tjetër. Kalon një orë e më shumë nga rruga derisa e marr veten.
Punët në Radio dhe në Agjenci tani për tani po ecin mbarë. Isë Krasniqi zakonisht qëndron te kompjuteri. Afër e ka edhe telefonin satelitor. Çdo informatë që e marrim nga terreni ai e çon edhe në selinë e Agjencisë në Cyrih të Zvicrës.
Nezir Myrtaj merr pjesë në sajimin e lajmeve dhe shkruan komente për ngjarje të caktuara. Neziri, është kuadri më i kompletuar dhe më i përgatitur që kemi në Radio dhe në Agjenci. Nusret Pllana përveç leximit të lajmeve i zgjedh edhe pikat muzikore, kryesisht sipas shijes së tij. E tepron me një këngëtare, Leonora. Deri tani për çdo ditë e transmeton këngën e cila titullohet “A vritet pafajësia?”. I kam thënë se është mirë që të mos veçohet që në fillim vetëm një këngë për shkak se atij i pëlqen, por ai nuk ia var fort vërejtjes sime. Si duket mendon se është njohës i mirëfilltë i muzikës, meqë ka marrë pjesë në organizimin e koncerteve. Berat Luzha zakonisht qëndron afër telefonit. E ka një telefon mobil të vetin, që ia ka dhuruar Shoqata e të Burgosurve Politikë, të cilin nuk ia jep askujt, ndërsa jo pak herë e shfrytëzon edhe telefonin satelitor. Nganjëherë i ndihmon Isës, por në të shumtën e rasteve rri dhe pengon. Qemal Aliu momentalisht e kryen detyrën e daktilografit në kompjuter. Nezir Myrtaj angazhohet në sajimin dhe redaktimin e informatave dhe shkruan komente për ngjarje të caktuara. Martin Çuni lëviz nëpër terren, bën intervista me ushtarë dhe eprorë. Unë ndihmoj në radhitjen e redaktimin e informacioneve dhe hartoj tekste tematike dokumentare për dëshmorët apo për ngjarje të caktuara historike.
Valdet Hoti tanimë e ka përvetësuar teknikën e incizimit dhe të transmetimit. Rizah Berisha dhe vëllai i tij, Milaimi, na ndihmojnë në të gjitha punët. Ata i rrinë gati stufës, na sjellin qaj, kafe, edhe ushqim. Në drekë zakonisht shkojmë për të ngrënë bukë në shtabin lokal të UÇK-së, te shtëpia e Osman Berishës, këtu afër. Mendoj se duhet të bëjmë përpjekje që Rizës t`i ofrojmë artikujt e nevojshëm, meqë edhe ashtu ai po tregon interesim që edhe ushqimin ta përgatisë në familje.
Gjatë ditës deri në orarin e caktuar e kemi përgatitur emisionin ditor, ende eksperimental dhe mjaft skematik, por aktualisht nuk kemi mundësi për përsosjen e programit.
Deri në orët e vona të natës kemi punuar. Kam filluar ta përgatis një emision tematik përkujtimor për Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën, i cili duhet të emetohet më 17 janar në përvjetorin e rënies së tyre.