Fjala e kryeredaktorit të monografisë, “Masakra e Reçakut…”, Ahmet Qeriqi, me rastin e përurimit të këtij libri, në gjuhën angleze

Sot, këtu para jush,  flas në emër të kolegjiumit të Redaksisë së botimit të parë të librit, “Masakra e Reçakut krim kundër njerëzimit” meqë lënda e prezantuar në të, është prodhim i një grupi të autorëve, ku  secili në mënyrën e vetë ka dhënë kontribut të çmuar në hartimin e këtij libri. Me këtë rast përkujtojmë me pitet e nderim, ish-anëtarin e ndjerë të Redaksisë, mjekun e luftës dhe të paqes,  doktor, Vezir Bajrami, i cili me rastin e obduksionit të kufomave të viktimave, i pari kishte konstatuar se në Reçak forcat serbe kanë kryer krim kundër njerëzimit.

Libri,  të cilin po e përurojmë sot është ribotim i librit me të njëjtin titull, të  cilin e kemi botuar në vitin 2004. Versioni që sapo ka dalë nga shtypi është shkurtuar për një të gjashtën e tërësisë, të botimit paraprak, meqë kemi hequr disa pjesë, kryesisht  publikime në shtypin e kohës. E veçanta e kësaj pune është se ky libër është përkthyer në gjuhën angleze, nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, të cilin e falënderojmë me këtë rast   dhe ky libër do t’ i shërbejë lexuesve anglisht-folës që të njihen me të vërtetat e masakrës, të përshkruar në radhë të parë nga dëshmitarët okularë dhe dëshmitarë e faktorë të tjerë relevantë, në ditët e masakrës e më pastaj.

Libri paraqet me vërtetësi e korrektësi të gjitha zhvillimet e kohës, që lidhen me këtë masakër, ndër më çnjerëzoret e më brutalet që ka kryer regjimi serb gjatë luftës së viteve 1998-1999, në Kosovë. Lënda e librit përbëhet nga dëshmitë e dorës së parë, rrëfimet e atyre që kanë arritur të shpëtojnë nga vdekja, fotot e të masakruarve, raporti i hollësishëm i obduksionit të viktimave, informimi  i opinionit nga reporterët e luftës, nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Neredimës, nga Kryesuesi i Misionit të Verifikimit të OSBE-së, Wiliam Voker dhe nga një pjesë e shtypit të vendit dhe të huaj.

Prania voluminoze e lëndës, në këtë libër, që fillon me informatat e para nga 15 janari i vitit 1999, kur është kryer Masakra dhe në ditët e javët në vazhdim, është trajtuar me mjaft vërtetësi,  korrektësi e përgjegjësi nga shumica e atyre që e kanë trajtuar me realizëm këtë akt antinjerëzor të regjimit vrastar serb. Libri, ka edhe këndvështrimin tjetër, atë serb e pro-serb, në përpjekje për ta paraqitur pa droje edhe versionin ndryshe, të atyre që për masakrën në Reçak dhe kudo në Kosovë kanë fajësuar  dhe fajësojnë UÇK-në.

Me qëllim të prezantimit të gjithanshëm në kësaj Masakre, në libër, kemi shfletuar shtypin vendor e të huaj, kemi intervistuar dhjetëra dëshmitarë okularë, kemi marrë opinionet e  autoriteteve të larta të luftës dhe të atyre ndërkombëtare, kemi shkëputur shkrime dhe analiza nga shtypi botëror, të autorëve të njohur dhe me integritet profesional,  ndërkohë që kemi përzgjedhur materialet më reprezentative  për të cilat Redaksia është përcaktuar, me qëllim që lënda të jetë sa më gjithëpërfshirëse, e vërtetuar dhe e faktuar me dëshmi relevante.

Libri për Reçakun është një lloj testamenti i shkruar me qëllim të zbardhjes së vërtetës dhe mos-harrimit të kësaj dhe shumë masakrave të tjera, që ka kryer regjimi serb në Kosovë, por edhe me qëllim që e vërteta e dokumentuar të mbetet në kujtesën e njerëzve, në sirtarët e institucioneve, në arkiva e biblioteka, për t’ iu lënë trashëgim brezave rrëfimet e dhembshme por edhe krenare të luftës dhe sakrificave për lirinë dhe pavarësinë e vendit.  Versioni në gjuhën angleze, që i ofrohet lexuesve, është ri redaktuar dhe shkurtuar, me qëllim të lënda të jetë sa më e stisur dhe të  mos jetë shumë voluminoze.

Unë nuk kam çka flas më shumë për librin, por do të ndalem shkurtimisht në tri çështje me rëndësi sa i përket luftës së UÇK-së në kontekst të Masakrës së Reçakut.

Nuk duhet ta harrojmë faktin kapital se me rastin e intervenimit të forcave policore dhe ushtarake serbe, në Reçak, në orët e mëngjesit të 15 janarit  të vitit 1999, në mbrojtje të popullatës doli toga e Reçakut e UÇK-së, e cila rezistoi aq sa mundi para një force shumë fish më të fortë në fuqi njerëzore  dhe teknikë lufte. Vetëm pasi ranë në altarin e lirisë 9 dëshmorë, forcat kriminale serbe depërtuan në fshat dhe kryen krimin e shëmtuar mbi popullatën civile, burra të moshuar, gra, vajza e fëmijë. Në mbrojtje të kufomave tri ditë më vonë ra edhe komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku.

Një fakt tjetër për të cilin është folur, por nuk është shkruar dhe që duhet të vihet në spikamë është se Komanda e Zonës së Neredimes dhe e Brigadës 161, ishte sjellë me përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe nuk kishte lejuar hakmarrje mbi popullatën civile serbe të Shtimes, edhe pse shumë nga pjesëmarrësit e masakrave në Reçak  kishin qenë serbë vendorë. Vetëm tre katër luftëtarë të UÇK-së të veshur me rroba civile kanë mundur të depërtojnë në lagjet  serbe dhe të masakrojnë gra e fëmijë serbë, por kjo nuk ka ndodhur për shkak se lufta e UÇK-së ishte e pastër edhe pse krejtësisht e pabarabartë në ballafaqim, por me epërsi të fortë morale. Asnjë fëmijë serb, malazez apo rom nuk e kanë vrarë luftëtarët e UÇK-së gjatë luftës. Po të ishte vrarë vetëm një, Serbia do t’ ia kishte ngritur shtatoren në Sheshin e Beogradit. Nuk është dhunuar asnjë femër. Po të ishte dhunuar vetëm një e mitur apo grua  serbe, Sinodi serb do ta kishte shpallur shenjtore.

Çështja e barazimit të viktimës me xhelatin, ka një histori të ligë, të shëmtuar  dhe në esencë anti qytetëruese. Prej Luftës së Dytë Botërore e deri sot kudo në botë është pretenduar dhe pretendohet të barazohet fashizmi me komunizmin.  Madje forcat e deklaruara si antikomuniste pretendojnë t’i paraqesin edhe më të rënda krimet e komunizmit se sa ato të fashizmit. Mjerisht kjo po ndodh edhe në Kosovë, por në një relevantë tjetër. Në vendin tonë këtyre pretendimeve iu kanë prirë dhe iu prijnë ata që kanë qenë dhe janë kundër luftës së UÇK-së. Me qëllim të barazimit të viktimës me xhelatin faktori ndërkombëtar ka themeluar një gjykatë raciste, sikur është Gjykata Speciale kundër UÇK-së, që pritet t’i  gjykojë vetëm krimet e pretenduara të UÇK-së, por jo ato të regjimit të Beogradit, jo krimet e kryera në Reçak dhe gjithandej nëpër Kosovë , në kohën kur kemi edhe rreth 1700 të zhdukur për fatin e të cilëve Serbia e Vuqiçit  hesht me prepotencën e xhelatit.

Libri, “Masakra e Reçakut krim kundër njerëzimit” ia çjerrë maskën pretendimeve të tilla për barazimin  e viktimës me xhelatin, jo me propagandë, por me gjuhën e fakteve e argumenteve, me foto të viktimave, me dëshmi të dëshmitarëve të gjallë dhe me përhapjen e lajmit në botë të kësaj masakre nga miku i madh i së vërtetës, i shqiptarëve dhe veçmas i Reçakut, ambasadori i respektuar, Wiliam Voker, i cili ishte njeriu i duhur në momentin e duhur, që e ngriti zërin  e së vërtetës dhe ndërgjegjes, për të mos lejuar të vritej më tej ndërgjegjja e botës përparimtare demokratike.

Prishtinë,

14. 9. 2017 

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …