leoni

Ibrahim Fehmiu (1892 – 1951)

Mësuesi i popullit, intelektuali dhe veprimtari, Ibrahim Fehmiu  lindi në qytetin e Gjakovës, më  25 nëntor të vitit 1892, ndërsa vdiq në Prizren në vitin 1951.

          Mësimet e para i mori në mejtepin  e “Xhamisë së Gërçarve”, në vendlindje. Këto mësime i zgjeroi në mejtepin e “Halil Efendisë”, ku mësues i parë i tij ishte Hafiz Ymer Guta një arsimues fetar i gjeneratave më të hershme.

         Mësimet e larta mbi shkencat dhe formimin human i mori në Shkup, në shkollçn e njohur të kohës, “Dar-ul Mualiminë”. Kjo shkollë ishte një qendër e edukimit ku ishin shkolluar një pjesë e mirë e aktivistëve të kohës së fundit të Perandorisë Osmane, të cilët me ndryshimin e sistemit të shkollimit shërbyen si mësues e arsimtarë nëpër shkollat shqipe në viset e pushtuar shqiptare nga ish Jugosllavia monarkike e despotike. Në këtë shkollë, Ibrahimi ndër shokët e tij dallohej për zgjuarsi korrektësi dhe disiplinë.

          Më 1912, diplomon dhe kthehet në vendlindje ku vetë angazhohet në disa veprimtari për arsimimin e popullit në frymën kombëtare. Në anën tjetër, Këshilli i Bashkësisë Islame asaj kohe në Gjakovë e cakton imam, hoxhë, mësues e predikues në “Xhaminë e Gërçarve”. Këtu gjatë ushtrimit të veprimtarisë fetare vije në dukje ushtrimi i sajë në gjuhën shqipe si dhe nxitja e besimtarëve për ta kultivuar gjuhën e tyre. Kjo ishte një veprimtari që nuk shikohej mirë nga qarqet sunduese malazeze.

          Veprimtaria fetare edukative arsimore e Ibrahimit vazhdon edhe në kohën e njohur si “Koha e Austro-hungarisë” nga viti 1916-1918 kur u themelua Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene. Me krijimin e kësaj mbretëria, rikthehet përndjekja e aktivistëve të përhapjes së edukatës në gjuhën amtare dhe si pasojë e sajë shumica e tyre detyrohen që veprimtarinë e tyre ta zhvillojnë në Shqipëri. Aty përpos angazhimit në veprimtarit e profesionit të tij, ndihmon edhe administratën vendase deri në vitin 1929. Një vit pas shpalljes së Mretrërisë të shtetit shqiptar, Ibrahimi kthehet në Kosovë dhe vendoset në Gjakovë. Duke qenë i njohur për aktivitete e tija atdhetare arrestohet dhe dënohet me burg prej vitit  më 1929 deri më 1931. Burgun e ka mbajtur në  Valevë dhe pastaj  syrgjynoset në Sarajevë. Aty jeton deri më 1939, ku edhe kishte krijuar familjen.

“Ibrahimi bijën e parë e kishte emërtuar me emrin  Besa, fjalë e nderit, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse e shqiptarëve; Shpresa do të thoshte shpresë në ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim, djali i parë, në kuptimin e bashkimit të shqiptarëve; Arsim, arsimimi i popullit; Fatmir, fat i mirë për popullin; Bekim, babai im, donte të thoshte bekimi i popullit; Afërditë, agimi është afër për popullin shqiptar dhe Luljeta, lulja e jetës. ( Uliks Bekim Fehmiu)

 Nga Sarajeva, në vitin  1939 shpërngulet në Shkodër. Aty jeton me familjen deri në vitin 1941, kur vendoset në Prizren. Më 1944, tashmë si veteran i përhapjes së edukimit në gjuhën amtare, duke qenë intelektual me profil të njohur ai do të konsiderohej i papërshtatshëm nga regjimi komunist titist e rankoviqist i Jugosllavisë.  Për shkak të bindjeve të tij atdhetare dhe të kundërta me vizionin e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbët e me sllavë, Ibrahim Fehmiu sërish arrestohet dhe dënohet me burg. Një muaj pas lirimit nga burgu  më 19 dhjetor 1951, vdes  në Prizren.

Në ceremoninë e varrimin të trupit të  tij, në varrezat e qytetit të Prizrenit, kishin marrë  pjesë mijëra shqiptarë nga mbarë trojet etnike. Ibrahim Fehmiu kishte bërë emër si atdhetar mësues, intelektual dhe njeri  me merita për kombin e Atdheun. Trupi i tij ishte mbështjellë flamurin kombëtar, pavarësisht se një veprim i tillë binte ndesh me sistemin komunist jugosllav.

 ( REL) Uliks Fehmiu: Emrat që flasin

 Që të flas për babanë tim, Bekimin, së pari do të duhet të flas për gjyshin tim, Ibrahimin, i cili ka lindur më 1892 në Gjakovë, në një familje tregtare dhe arsimore. Shkollën Normale dhe Medresenë e kishte kryer në Shkup. Biografia e gjyshit shkurtimisht mund të tregohet edhe përmes emrave që ua kishte lënë fëmijëve të vet, duke u përpjekur që ata t’i kishin vetëm me kuptime shqiptare, e në asnjë mënyrë arabe ose turke.

Vajza më e madhe quhej Besa, fjalë e nderit, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse e shqiptarëve; Shpresa do të thoshte shpresë në ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim, djali i parë, në kuptimin e bashkimit të shqiptarëve; Arsim, arsimimi i popullit; Fatmir, fat i mirë për popullin; Bekim, babai im, donte të thoshte bekimi i popullit; Afërdita, agimi është afër për popullin shqiptar dhe Luljeta, lulja e jetës.

 Ibrahim Fehmiu me pushkë dhe libër ishte dora e djathtë e patriotit të shquar Bajram Curri, i cili kishte luftuar kundër pushtimit turk në vitin 1912. Si një ndër mësuesit e parë shqiptar, i kushtohet arsimimit të popullit të tij dhe hapjes së shkollave nëpër Kosovë dhe Shqipëri. Për këtë shkak, pushteti serbo-malazez e dënon me vdekje.

 Në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, ndiqet si ithtar i Bajram Currit dhe Fan Nolit. Gjyshin e ndiqte edhe Mbreti Ahmet Zogu, duke vënë një çmim shumë të lartë dukatësh për kokën e tij. Më 1929 kapet dhe izolohet në Valevë. Në atë kohë, familja e tij jetonte në Gjakovë, kurse dy vite më vonë të gjithë së bashku deportohen në Sarajevë, ku, përveç tre fëmijëve të lindur, në botë vijnë edhe bijtë: Fatmiri, Arsimi dhe babai im, Bekimi.

Në vitin 1939, pas okupimit të Shqipërisë nga Italia, ata shkojnë në Shkodër, ku gjyshi bëhet drejtor didaktik i shkollave fillore dhe lind edhe vajza e tij më e vogël, Afërdita.

 Pas rënies së Mbretërisë Jugosllave më 1941, familja kthehet në Prizren, ku ai e vazhdon punën e tij edukative dhe patriotike. E burgosin edhe gjermanët. As në kohën e Jugosllavisë së re nuk mbyllet golgota e familjes Fehmiu. Gjyshin e burgosin dhe pas procesit të montuar ai dënohet. Pas daljes nga burgu, në vitin 1951 ai vdes.

Gjyshja ime, Hedija, ishte e lindur në Gjakovë më 1908, e cila e kishte përcjellë vazhdimisht gjyshin në rrugën e vuajtjeve të tij jetësore dhe babai im mendon se akoma nuk ka gjetur fjalë të mjaftueshme për t’i përshkruar të gjitha vuajtjet e nënës së tij dhe të familjes Fehmiu. Që nga gjysma e shekullit XX e deri më sot, pas Aleksandër Moisiut, është i pari aktor shqiptar me këtë famë ndërkombëtare.

 U shkollua në gjuhën amtare që nga shkolla fillore deri në maturën e gjimnazit. Pas gjimnazit, babai bëhet anëtar i dramës shqipe të Teatrit Krahinor, si teatër i vetëm profesional në Kosovë. Akademinë Teatrore në Beograd e regjistron në vitin 1956, në klasën e profesorit të njohur Mate Millosheviq.

E jep provimin pranues dhe pranohet si student i tij, me kusht që të mësonte gjuhën serbo-kroate. Teatri i Prishtinës ia ndan bursën e studimeve, por mallkimin që kishin bërë “zotat “ e politikës ndaj familjes Fehmiu, bie edhe mbi kokën e babait tim. Pas dy muajve i ndërpritet bursa.

 Duke falënderuar rektorin e Akademisë së Poetëve, Dushan Matiqi, i ndahet bursa për shkollim deri në fund të studimeve. Shpejt mëson serbokroatishten dhe gjatë vitit 1960 bëhet anëtar i rregullt i teatrit më të mirë të vendit, Teatrit jugosllav të Dramës.

Deri në ditët e sotme, profesorët e Akademisë e përmendin babanë tim si shembull i një talenti të jashtëzakonshëm dhe si një student i vyeshëm, që edhe unë, si student i të njëjtin fakultet, i kam dëgjuar disa herë ato lëvdata që i bëheshin babait tim. Deri në vitin 1987, kur jep dorëheqje nga Teatri jugosllav i Dramës, ai kishte luajtur mbi 40 role të llojllojshme teatrore, nga të cilat kishte interpretuar role të mesme dhe kryesore, duke hyrë këtu edhe “Atelia 212”.

 Në dy pjesë teatrore ishte asistent i regjisorit Millosheviq, për “Riçardin e tretë” dhe “Zbulimin” e Dobrica Qosiqit. I realizon filmat: “Klakson”, “Roj”, “Vitet e nxehta”, “Protesti”, “Depsi”, “Pavle Pavlloviq” etj. Pas suksesit të madh të filmit “Mbledhësit e puplave”, në regjinë e A. Petroviqit, ku luan rolin e romit Boro i bardhë (filmi fiton dy shpërblime në Festivalin e Kanës-Francë 1967 dhe nominohet edhe për “Oskar”), fillon karriera e tij internacionale, duke u bërë ylli i parë botëror nga hapësirat tona dhe nënshkruan një kontratë disavjeçare me producentin Dino De Laurentis.

Ai bëhet krenaria e ish-Jugosllavisë. Kryesisht xhironte në Europë, SHBA, Amerikën Jugore, Afrikë dhe Azi. Luajti në gjuhën shqipe, serbokroate, maqedonishte, rome, turke, spanjolle, angleze, frënge dhe italiane. Spektatorët edhe sot i shikojnë filmat dhe teleseritë, në të cilat luajti ai, si: “Odisea” e Homerit, me Irena Papasin; “Aventurierët”, ku luajti rolin kryesor të Daksit (plejbojin Porfi ro Rubiroze); “Dezertor” me Xhon Hjustonin, Riçard Krenën, Rikardo Montalbanin, Çak Konorsin, Vudi Stroudin etj.

 Në “Shtatorin e zi” me Robert Shoun, Marta Kelerin; në “Libera, dashuria ime”, me Klaudia Kardinalen; në “Sallon Kiti” me Ingrid Tulin, Helmut Berger dhe të tjerë. Që ta fitonte rolin me buxhet të lartë në filmin “Aventurierët”, në regjinë e Luis Xhilbertit, duhej që ta zotëronte gjuhën angleze në një afat vetëm prej 10 javësh, gjë që pati sukses. Rolin e fitoi në vitin 1968, po atë vit kur u linda edhe unë.

 Që t’u paraqitej të ftuarve si ylli i ri i filmit “Aventurierët”, krahas yjeve më të mirë të filmit, si: Olivia de Hevilend, Ana Mofo, Kendis Bergen, Ernest Borgnin, Fernando Rej, Alen Badel, Rozano Brazi, Sharl Aznavur etj., për nder të babait tim ishte organizuar një pranim madhështor në hotelin “Pjer” të Nju-Jorkut, ku ishte paraqitur me veshje kombëtare shqiptare. Xhiroi mbi 50 filma, në të cilët luante kryesisht role kryesore.

Në shenjë proteste, për shkak të propagandës antishqiptare dhe urrejtjes ndaj popullit të tij, babai im më 1987-ën në mënyrë demonstrative e lëshon pjesën teatrore “Madam Kolontajn”, ku luante Stalinin dhe Leninin dhe përshëndetet publikisht me veprimtarinë artistike në ish-Jugosllavi. Roli i fundit që luajti për televizionin italian ishte Shën Josifi në filmin “Fëmija i emëruar Jezu” në regjinë e Franko Rosit, i cili është shfaqur edhe në televizionin amerikan.

Shkrimtari dhe producenti italian, Francesko Skardamalia, kishte thënë: “Bekim Fehmiu është i vetmi aktor internacional nga vendet lindore komuniste, i cili xhiroi në Perëndim gati njëzet vjet, duke e depërtuar perden e hekurt, deri në paraqitjen e Gorbaçovit dhe rrëzimin e Murit të Berlinit”. Filmin e fundit “Xhingis Kani” e ka realizuar në vitin 1992 në regjinë e Ken Anakinit dhe në produksionin amerikano-italian.

 Pas Aleksandër Moisiut, aktorit nga gjysma e shekullit XX, babai im është aktori i parë internacional shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit XX. Rënia e Jugosllavisë, lufta e tmerrshme vëllavrasëse, shkatërrimi i Vukovarit, bombardimi i Dubrovnikut, rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, lufta në Kosovë, bombardimi i RS të Jugosllavisë, kanë bërë që babai im të tërhiqej edhe më tepër.

 Është ndarë nga fjalët që për aktorin janë më të fuqishmet dhe mjeti më i mirë. Është ndarë prej tyre dhe i ka shndërruar në heshtje, në protestë, me ç’rast Hamleti do të thoshte… “Ka mbetur heshtja”.

 Hedoni: Babai do të prehet në Lumbardh të Prizrenit

 “Ai jetoi si samuraj dhe vdiq si një samuraj! Babai im shkoi me stil të madh, ashtu siç edhe jetoi. Unë jam i trishtuar, sepse më mungon, por jam njëkohësisht i lumtur për shkak të tij… Kjo ishte dëshira e tij, dhe unë me gjithë zemër e respektoj dhe e mbështes”.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën beogradase “Alo!”, Hedoni, i biri i legjendës së filmit, Bekim Fehmiu, i cili të martën pasdite bëri vetëvrasje.

Në heshtje, gati vjedhurazi vendosi për këtë veprim. Është shtrirë në heshtje në shtrat dhe vendosi që në vete të shtjerë me armë. Bekimi, më të dashurve të tij ua la një letër lamtumirëse, në të cilën për herë të fundit i porositi se i do, por edhe i luti ta kuptojnë.

Biri më i ri i Fehmiut ka thënë në një intervistë për “Alo!” se dëshira e babait të tij ishte që Lumbardhi i Prizrenit të jetë varri i tij.

“Gjithmonë i ka thënë nënës se kur të vijë ai moment, hiri i tij të shpërndahet në Lumbardhin e Prizrenit. E ka dashur atë qytet, ishte shtëpia e tij të dytë. Është shpërngulur aty nga vendlindja e tij, Sarajeva. Pasi të përfundojë kremacioni, ne do të shkojmë atje për ta përcjellë në banesën e përjetshme”, tregon dëshirën e familjes së tij, Hedoni.

 Ai ndan kujtimet për babanë e tij nga ditët e tij të fundit.

 “Ai gjithmonë ka thënë që nëse nuk është vital, energjik me trup dhe shpirt, nuk dëshiron të jetojë. Dhe, nëse diçka e tillë i ndodh, do të shtie me një plumb në ballë! Ne nuk e kemi marrë seriozisht, duke menduar se është tepër romantik, por ai ka qenë gjithmonë konsekuent! Vitin e kaluar ka humbur dy motrat, për të cilat është shqetësuar. I ka parë se si vyshken sikur bimët, të vetëdijshme se jeta, të cilën e kishin dashur, ka kaluar, por nuk ka mundur t’u ndihmojë”, thotë Hedoni.

 Dhe, ai mban mend dëshirën e pashuar të babait të tij për jetën, e cila në fund të shkurtit u zhduk pothuajse brenda natës.

“Deri para katër muajsh, nuk ka pasur njeri më vital se ai. Kur vija nga rruga, m’i merrte çantat e mia dhe vetë i bartte deri në katin e nëntë. Është kënaqur. Pastaj, pësoi një goditje në tru dhe çdo gjë ndryshoi. Ai ishte i pafuqishëm, u plak pothuajse brenda natës. Lëvizte dobët, fliste dobët, nuk ishte më i njëjti njeri, dhe këtë e ndjente. Nuk e ka dashur një fund të tillë…”, kujton Hedoni.

 Pasi me nënën e tij ka gjetur trupin e pajetë të babait të tij mbi krevat, Hedoni thotë se kanë përjetuar një “tobogan të ndjenjave”.

“Nga ai shok, trishtim, dhimbje e deri te vetëdija se kishte kërkuar ashtu dhe për këtë shkak nuk duhet të vuajnë. Mund të flas për një vit, për të treguar se për çfarë do ta mbaj në mend. Ka aq shumë! Ai ishte një njeri i rrallë”, thotë Hedoni.

 Lajmi tragjik e ka gjetur një trashëgimtar tjetër të Bekimit, të birin Uliksin, në Amerikë.

“Ai ishte në shok më të madh! Nuk ishte pranë tij dhe nuk e dinte se çfarë po ndodhte”, thotë Hedoni, i cili kishte dalë në aeroport për ta pritur të vëllanë.

E festoi qetë ditëlindjen e fundit.

Aktori legjendar më 1 qershor, dy javë para se të vendoste të largohej nga kjo botë, mbushi 74 vjet.

“Ditëlindjen e kaluar e festoi qetë… Sikur nuk pati më fuqi”, kujton Hedoni, duke shtuar se babai i tij kohët e fundit mezi lëvizte.

 Prishtinë: Humbja e një aktori të papërsëritshëm

  Vdekja e aktorit Bekim Fehmiu i ka pikëlluar të gjithë shqiptarët; ata e përjetojnë si humbje të një njeriu që i bënte të ndjehen krenarë, thonë përfaqësuesit e komunitetit të artistëve në Kosovë.

 Bekim Fehmiu ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare në Beograd. Policia dyshon të ketë kryer vetëvrasje.

 Regjisori Isa Qosja thotë se vdekja e Fehmiut shënon humbjen e një aktori të papërsëritshëm.

 “Lajm i rëndë… shumë i rëndë, për komunitetin dhe për Kosovën në përgjithësi, për njerëzit e Kosovës. Megjithatë, ishte krenari kur e dëgjonim emrin e tij në skenën ndërkombëtare… dhe me arsye të madhe, sepse Bekimi Fehmiu ishte një figurë e pazakontë, e veçantë, një figurë artistike, i papërsëritshëm”.

 “Në disa filma ka lënë freski të vërteta. Është një humbje tejet e madhe për të gjithë. Kishte shumë energji, shumë vullnet, shumë fuqi artistike dhe ja… përfundoi në mënyrë shumë tragjike, shumë të rëndë… e habitshme për mua”, shprehet Qosja.

 Edhe regjisori Ekrem Kryeziu e quan humbje të rëndë vdekjen e aktorit Bekim Fehmiu.

 “Lajmet e këqija nuk të kursejnë… e ndjeva veten shumë keq, për arsye se u shua një yll i kinematografisë së Ballkanit. Ka qenë dhe do të ngelë i freskët në mendjen time. Shumë njerëz tonë të mëdhenj i kanë ofruar shumë, tepër botës… E vërtetë… është katapultuar aq shpejt në orbitë, saqë i ka marrë rrënjët me vete. Ai i ka marrë rrënjët me vete dhe i ka takuar gjithësisë”, deklaron Kryeziu.

 Lajmi për vdekjen e Bekim Fehmiut është një kumt i zi, thotë dramaturgu dhe publicisti Haqif Mulliqi.

 “Është një kumt i zi, të cilin nuk do të kisha dëshirë ta dëgjoja asnjëherë. Bekimin e kam njohur shumë mirë dhe nga afër. Është shuar një prej artistëve më të mëdhenj shqiptarë të shekullit 20, i cili, objektivisht, na ka bërë të ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë dhe, jo rrallë, ka qenë edhe frymëzim për të gjithë artistët shqiptarë, kudo që kanë jetuar”.

 “Nuk duhet harruar se Bekim Fehmiu është zhvilluar në një rrethanë krejtësisht të pamundshme për t’u zhvilluar një artist shqiptar. Kishte sfida të mëdha në jetë…”, thotë Mulliqi.

 Bekim Fehmiu, gjatë karrierës së tij, nuk ka luajtur në ndonjë film në gjuhën shqipe. Por, përfaqësuesit e komunitetit të artistëve në Kosovë thonë se, pavarësisht nga ky fakt, ai njihet si aktor që ka shpërthyer kufijtë nacionalë për t’ia falur artin botës.

 Regjisori Qosja thotë se aktori Bekim Fehmiu ka lënë gjurmë të pashlyera në kinematografinë e rajonit dhe të Evropës.

 “Ai ka lënë mbresa dhe ka treguar fuqinë artistike, figurën… Ka treguar portretin e njeriut tonë, një portret që është vështirë ta gjejmë si të tillë. Kjo është ajo që ka rëndësi për ne. Fatkeqësisht, s’kemi pasur rastin që ta kemi në një projekt tonin. Fatkeqësisht… nuk kemi pasur mundësi”, thotë Qosja.

 Ngjashëm shprehet edhe regjisori Kryeziu:

 “Arti është arti i botës. Me këtë, në njëfarë mënyre, neve na ka madhëruar, sepse në këtë orbitë që nuk është më kombëtare, në orbitën e yjeve të botës, e kemi edhe ne një njeri që e ka pasur zemrën shqiptare, por që, fatkeqësisht, nuk ka pasur rol në gjuhën shqipe. Bekimi ka qenë një fanar, drejt të cilit ne jemi orientuar”.

 Dramaturgu Mulliqi e vlerëson aktorin e ndjerë si një figurë që do të shërbejë si model për aktorët e ardhshëm.

 “Do të pretendohet për vite e dekada, që të arrihet në atë nivel nga secili artist, jo vetëm shqiptar, por edhe ballkanas. Në fakt, madhështia e Bekimit ishte se ai ishte shqiptar, por përgjithësisht u ka takuar të gjitha kulturave të tjera, ku ka participuar, dhe ato kanë qenë të shumta”, thekson Mulliqi.

 Bekim Fehmiu ishte aktor dhe personalitet i respektuar në gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Mbështetës ka pasur dhe ka edhe në Beograd, ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës.

 Në vitin 1987 filloi heshtja e madhe e Bekim Fehmiut. Dramaturgu beogradas, Gorqin Stojanoviq, që gjatë gjithë këtyre viteve ishte afër Fehmiut, në këtë temë thotë:

 “Në vitin 1987, në kohën e histerisë antishqiptare që zhvillohej, ai tha se më, jo vetëm që nuk do të aktronte, por as nuk do të paraqitej në opinion. Shi për këtë ai nuk vinte as në premierat tona”, thotë Gorqin Stojanoviq.

 Filip David, letrar dhe recensent i librave të Bekim Fehmiut, deklaron:

 “Sa u përket njohjeve me regjisorët dhe aktorët më të njohur botërorë, ne këtu as që e kemi ditur madhështinë e tij. Bekim Fehmiu ka qenë absolutisht në kulmin e kinematografisë botërore. Ai ka pasur role të tilla, por edhe ka njohur personalitete të niveleve të tilla”.

( Radio Evropa e Lirë)

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …